.

.

BallinaPertejPakësohen pyjet, shtohen vdekjet nga ndotja e ajrit

Pakësohen pyjet, shtohen vdekjet nga ndotja e ajrit

Më shumë se 500 hektarë me pyje janë shkatërruar në 5 vitet e fundit në vend, si rrjedhojë e dukurive natyrore, shfrytëzimit pa kriter apo zjarreve. Nga ana tjetër, Shqipëria u rendit në vendin e dytë në Europë për vdekje si pasojë e ndotjes. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, 23 për qind e vdekjeve në vendin tonë shkaktohen nga probleme mjedisore që kthehen në probleme shëndetësore. Ekspertët e mjedisit rekomandojnë shtimin e hapësirave të gjelbërta me qëllim reduktimin e nivelit të ndotjes në mjedis.


Sipërfaqa e gjelbër në Shqipëri po reduktohet nga viti në vit. Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në 5 vitet e fundit janë “zhdukur” 509 hektarë sipërfaqe me pyje.

Bilanci Kadastral i Fondit Pyjor dhe Kullosor të Shqipërisë, burimi: INSTAT

Në vitin 2019 fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.740.307 (ha) dhe 60,5 për qind të sipërfaqes totale të vendit, sipas të dhënave të INSTAT. Në krahasim me vitin 2015, ky fond është reduktuar me 509 hektarë, sipas INSTAT.

Në sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor në vitin 2019, si rezultat i dukurive natyrore dhe aktiviteteve njerëzore, ka një rënie me rreth 17 (ha), krahasuar me vitin 2018 – thuhet ndër të tjera në raportin e INSTAT.

Në vitin 2019, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 54.846 (000/m3), nga të cilat 94,0 për qind përbëhet nga pyjet publike dhe 6,0 për qind nga pyjet private. Si pasojë e shfrytëzimeve pa kriter dhe zjarreve, vëllimi është ulur afërsisht me 31.316 (m3), krahasuar me vitin 2018.

Hapësirat e gjelbërta, “arma” efikase ndaj ndotjes!

Strategjia e Biodiversitetit 2030 e Bashkimit Europian, ndër nismat më të rëndësishme të unionit, ka në thelb shtimin e hapësirave të gjelbërta me qëllim reduktimin e nivelit të ndotjes në ajër.

Sidomos në zonat e urbanizura me trend rritës, shtimi i hapësirave të gjelbërta duhet të jetë prioritet. Reduktimi i pyjeve nga ana tjetër, është një sinjal i keq për mjedisin si dhe për jetën e njerëzve. Pyjet janë prodhuesi më i madh i oksigjenit, dhe reduktimi i tyre mund të përkthehet në më shumë sëmundje për njerëzit. Nga ana tjetër, shkatërrimi i pyjeve do të thotë, shkatërrim të biodiversitetit në tërësi” – i tha “Faktojes” eksperti i mjedisit, Xhemal Mato.

Shqipëria, vendi i dytë në Europë nga vdekjet e shkaktuara nga ndotja!

Shqipëria vuan nga niveli i lartë i ndotjes. Raporti i publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, nxjerr në pah se 23 për qind e vdekjeve në vendin tone vijnë si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes.

Sipas raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, Shqipëria renditet në vendin e dytë, pas Bosnje dhe Hercegovinës në Europë, për sa i përket vdekshmërisë së shkaktuar nga ndotja.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img