Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, njoftoi të martën e 14 korrikut, nisjen e pagesës së granteve për rindërtimin, qytetarëve me banesa të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai garantoi edhe nisjen e ndërtimit të banesave individuale në Sharrë. Por sipas të njëjtin premtim, artikuluar nga Veliaj në 15 qershor, në Kombinat, tashmë duhej të ishin kryer 3000 pagesat e para të granteve dhe të kishte nisur ndërtimi i banesave individuale. “Faktoje” shkoi në terren dhe konstatoi se nuk kanë nisur as shpërndarja e pagesave dhe as ndërtimi i banesave individuale.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, më 15 qershor në Kombinat, njoftoi dhënien e 3 mijë pagesave të para për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe nisjen e ndërtimit të banesave idividuale në Sharrë, pjesë e Njësisë Administrative nr.6, Kombinat
Këtë javë do të bëjmë 3 mijë pagesat e para ‘cash’ për familjet me dëmtime të shkallës DS1, DS2, DS3; pra, dëmtime që mund të riparohen. Nga java tjetër fillojmë ndërtimin e shtëpive individuale, kryesisht për zonën e Sharrës dhe periferinë e Kombinatit. Për pallatet që do të prishen, inxhinierët kanë vlerësuar deri tani 41 pallate, kryesisht në Kombinat – premtoi Veliaj.
Të marten e 14 korrikut, thuajse një muaj nga premtimi i bërë në Kombinat Veliaj përsëriti të njëjtë deklaratë.
Ne kemi tashmë të akorduar nga qeveria një fond prej mbi 700 milionë lekësh; 560 milionë janë pagesa ‘cash’ për 3100 familje për dëmet DS1/DS2/DS3 – shpreh Veliaj.
Po në 14 korrik, Veliaj gjatë takimit virtual me kryeministrin dhe ministrin e rindërtimit, njoftoi përmes postimit në rrjetin social “Facebook” nisjen e procesit të ndërtimit për banesat e para individuale.
Nis dhënia e granteve të meremetimit vetjak të banesave në Tiranë, të cilat u dëmtuan pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit. 200 familje në banesa individuale dhe 2882 familje në banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Tiranë – shkroi Veliaj.
Në fakt dhënia e granteve, e premtuar që në 15 qershor ende nuk ka nisur, gjë që e konfirmoi vetë kryeministri Rama, i cili i kujtoi Veliajt se fondi ende nuk ishte lëvruar.
Janë dy mbledhje të radhës së Këshillit Bashkiak, ku presim të miratohen 3100 dosje dhe 2000 të tjera. Pra, në total 5100 dosje, për të cilat do të lëvrohen fondet drejtpërdrejt për familjet e dëmtuara – tha Rama në 14 korrik.
Të enjten më 16 korrik, u zhvillua mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak Tiranë, ku u bënë dëgjesat me inxhinierët për rindërtimin dhe rikonstruksionin e banesave apo pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Faktoje” shkoi të enjten në 16 korrik në Kombinat dhe Sharrë, pjesë e Njësisë Administrative nr.6, ku konstatoi se nuk ishin hapur kantierët e ndërtimit për banesat individuale. Në këtë njësi na u komunikua se deri më sot, ende nuk ka nisur puna në kantierët e ndërtimit.
Ndërkohë, nga komunikimi me banorët e prekur nga tërmeti të cilët duhet të kishin marrë pagesën e grantit, të premtuar që pas 15 qershorit, mësuam se ata ishin në pritje për ta marrë atë me postë. Edhe nga Njësia Administrative nr.6 na u sqarua se grantet ende nuk kanë filluar të shpërndahen.
Nga procesi i rindërtimit, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, janë shpallur 19,880 përfitues të ndarë në 3 kategori sipas nivelit të dëmeve në banesa. Në Bashkinë Tiranë, ka nisur sot, 16 korrik faza e parë, ajo e miratimit të listave të përfituesve të pagesave “cash” për ata që kanë dëmtime të shkallëve DS1,DS2,DS3 dhe pritet që në ditët në vijim të nisë puna për ndërtimin e banesave individuale.