Të martën më 7 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi ,se ka gjetur boshllëqe të mëdha në rang global, në fuqinë punëtore të sektorit të shëndetësisë, bazuar në raportin e publikuar. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi nga të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë që të investojnë në burime njerëzore e më konkretisht në infermierë. OBSH rekomandon se Shqipëria dhe vende të tjera në të njëjtat kushte ose më keq, duhet të rrisin numrin infermierëve të paktën me 8% në vit.
Infografikë e OBSH-së mbi infermierët në Shqipëri
Edhe pse ministrja Manastirliu, një vit më parë deklaronte se po investohej në burime njerëzore, për vitin 2019, raporti i OBSH tregon se në Shqipëri punojnë 21,472 infermierë ose 74,5 infermierë për çdo 10,000 banorë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar nga ana tjetër e rendit Shqipërinë në fund të klasifikimit me 43 vende europiane, për sa i përket investimeve në shëndetësi. Sipas kësaj renditjeje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës, 2,8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1%.
Raporti i FMN, shpenzimet për shëndetësinë në raport me PPP
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjithashtu “kritikoi” Shqipërinë për sa i përket investimeve në sektorin e Shëndetësisë.
Në aspektin e investimeve në sistemin shëndetësor, Shqipëria renditet në nivel të moderuar sa i përket shpenzimeve të sektorit shëndetësor, së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa shtetet e tjera të rajonit e kanë të lartë këtë tregues. Shqipëria renditet dobët edhe sa i përket numrit të mjekëve, së bashku me Kosovën, ndërsa rajoni e ka këtë tregues të moderuar ose të lartë.
Observatori Global i Shëndetit, më herët raportoi se Shqipëria ka 3.6 infermierë/mami për 1.000 banorë ose 3,600 në total në gjithë vendin.
Kryetar i Sindikatës së Infermierëve, Sabri Skënderi, largimin e infermierëve ia atribuon pagës së ulët dhe kushteve të këqija të punës,
“Rreth 3600 infermierë kanë lënë Shqipërinë në tre vitet e fundit. Kur i pyet pse doni që të ikni ju jashtë Shqipërie, ata thonë: Nuk mund të jetojmë. Ne kemi frikë të bëjmë një fëmijë, të krijojmë një familje. Të kemi një të ardhme, sepse nuk e mbajmë dot. “Infermierët shqiptarë marrin sot 150 euro më pak se infermierët në Kosovë sot, dhe 150 euro më pak se infermierët në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Mungojnë mjetet e punës, mungojnë veshjet, mungojnë mjetet mbrojtëse, mungojnë ambientet higjienike, mungon uji i pijshëm në vendin e punë”- shprehet Skënderi.
“Për 15 vite nuk kemi asnjë rritje të numrit të infermierëve, por janë po ato vende pune që kanë qenë para 15 vjetësh”- theksoi kreu i Sindikatës së Infermierëve.