Pas një dekade në krye të Bashkisë së Korçës, në fushatën elektorale për mandatin e tretë, Sotiraq Filo ricikloi premtimin për ndërtimin e aeroportit në Lumalas.
‘…Ndërtimi i Aeroportit së shpejti do të jetë një realitet i prekshëm që do t’i japë një shtysë të madhe zhvillimit të turizmit rajonal dhe sporteve të aventurës.’, premtonte Filo në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Premtimi shoqërohej me një video 3D e cila tregon se si do të duket aeroporti Turistik dhe Sportiv në Korçë. Disa muaj pas këtij zotimi, Faktoje verifikoi se punimet për aeroportin kishin filluar, por përfundimi kërkonte kohë.
Fakt
Aeroporti po ndërtohet në fshatin Lumalas 7.5 km larg qytetit juglindor. Faktoje u rikthye në Korçë këtë fillim nëntori për të parë nga afër ecurinë e punimeve të projektit 1,1 milionë euro.
Vendi vijonte të ishte i rrethuar nga një gardh me rrjetë dhe sipërfaqja e tokës ishte niveluar. I vetmi ndryshim nga një vit më parë vërehej tek godina e administratës e cila thuajse kishte përfunduar.
Këto ishin të vetmet shenja dalluese të punimeve në Lumalas të premten e 1 nëntorit por që janë shumë larg pamjes 3D që tregonte Filo në fushatë.
Por edhe këtë vit, Bashkia nuk jep sqarime për ecurinë e projektit.
“Në lidhje me informacionin mbi fazën e punimeve, kostot, afatet etj, mund t’i drejtoheni Fondit Shqiptar të Zhvillimit.”, thotë shkurtimisht Bashkia e Korçës, duke ia deleguar përgjegjësinë sërish Fondit Shqiptar të Zhvillimit – si njësi zbatuese e projektit.
Aeroporti në Lumalas është pjesë e projektit ‘Dua të luaj’ në Korçë me vlerë 1,1 milionë euro.FSHZH thotë se punimet kanë nisur në korrik të vitit të kaluar dhe duhet të përfundojnë në shkurt të 2025.
“Zbatimi i projektit është drejt përfundimit dhe aktualisht po punohet për lidhjen e rrjetit të ujësjellësit me rrjetin ekzistues dhe lidhjen e energjisë elektrike, instalimin e pajisjeve hidrosanitare dhe ndriçuesve.”, sqaron Fondi i Zhvillimit.
Sipas FSHZH-së ndërhyrja synon të rikthejë në funksion pistën historike ekzistuese të aviacionit në Korçë, e cila për shkak të pozicionit gjeografik dhe klimës ofron kushte optimale për aktivitete sportive ajrore, për fluturimin e mjeteve ultralight dhe freeflight, në një hapësirë të dedikuar për evente ajrore të natyrave të ndryshme, si festivale, gara, panaire etj.
Një vit më parë, Alket Islami, nga Shoqata e Aeronautikës e shihte me shumë interes realizimin e aeroportit.
“Në nivelin sportiv aty ka mundësi për kryerjen e shumë aktiviteteve të sporteve të ajrit si balloning, ultralight paragliding, aeromodeling etj. Në nivel turistik është një portë hyrëse shumë e rëndësishme në të gjithë periudhën e vitit me turistë që vijnë me avionë të vegjël. Ky aeroport do të funksionojë edhe për emergjencat e ndryshme kombëtare me vend bazimin e mjeteve për këto operacione.”, shprehej Islami për Faktoje.
Përfundim
Prej një dekade, në krye të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ka të paktën dy palë zgjedhje që riciklon të njëjtin premtim. I vetmi ndryshim me zgjedhjet e 2019, është se për vendoret e 2023, Filo iu prezantoi qytetarëve edhe një projekt 3D për Aeroportin.
Bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, se aeroporti do të ishte një realitet i prekshëm së shpejti, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.