Pretendimi: Hiqet “Non Grata” e Sali Berishës. Ai udhëton javën e ardhshme drejt SHBA
Vlerësimi: E pavërtetë
Vendosja e “damkës” si non grata për ish-kryeministrin Sali Berisha është një temë që krijon gjithmonë lajme, veçanërisht në median online. Shpesh figura të Partisë Demokratike kanë përsëritur se ky përcaktim që erdhi nga Departamenti i Shtetit Amerikan gjatë presidencës së Joe Biden mund të ndryshojë tashmë që në krye të SHBA-së është Donald Trump. Deri më tani asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim.
Kjo nuk i ka ndaluar portalet online të pretendojnë se kanë lajme ekskluzive të zhvillimeve të reja për “non-gratan” e kreut të demokratëve Berisha.“Ekskluzive! Hiqet Non Grata! Sali Berisha udhëton në SHBA javën e ardhshme, do tronditet qeveria, ja kë do takoje”. Kështu njoftohet në një nga këto artikuj që pretendohet se citon burime pranë kryedemokratit Berisha.
Të njëjtat burime të paidentifikuara njoftojnë se Berisha do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me një senator amerikan, gjë që sipas autorit anonim të shkrimit tregon “një sinjal të fortë për rënien de facto të non-gratës dhe rehabilitimin diplomatik të liderit të opozitës shqiptare”.

Në fakt, nuk ka asnjë njoftim zyrtar që Departamenti Amerikan i Shtetit të ketë hequr Sali Berishën nga lista non-grata dhe kjo vërtetohet edhe nga lista zyrtare e personave që janë përcaktuar të tillë.
Kjo pohohet edhe në vetë shkrimin që në titull njofton heqjen e cilësimit si non-grata duke shpjeguar se Berisha “është gati të paguajë miliona për të hequr non gratën edhe pse nuk ja doli dot ta heqë para zgjedhjeve, kreu i PD synon ta realizojë atë në javët apo muajt në vijim dhe i ka hyrë fort lobimit”.
Kjo tregon se artikulli ka shtrembëruar enkas situatën duke njoftuar në titull diçka të cilën nuk e mbështet më pas në artikull, duke synuar kështu klikime përmes një informacioni të pavërtetë.