Rindërtimi i godinës së bashkisë së Kurbinit, dëmtuar gjatë tërmetit të Nëntorit 2019, ende nuk ka përfunduar. Megjithëse punimet duhet të ishin mbyllur që në dhjetor të vitit 2021, verifikimi i “Faktoje” zbuloi se, gati një vit pas këtij afati, godina e bashkisë mbetet e papërfunduar dhe fundi i saj nuk duket afër.
Patris Pustina
Në 19 tetor 2020, kryebashkiakja e Kurbinit Mjalinda Cara njoftoi, me anë të një postimi në Facebook, se administrata e Bashkisë Kurbin do të transferohej në Pallatin e Kulturës së Laçit dhe ndërtesa e bashkisë, e cila ishte dëmtuar në tërmetin e 2019, do të prishej për t’u zëvendësuar nga një godinë e re.
Në Janar të 2021, Cara postoi përsëri mbi godinën e re të bashkisë në Facebook, duke u krenuar me vazhdimësinë e punimeve dhe duke e listuar atë mes investimeve që janë kryer dhe janë në proces kryerje gjatë mandatit të saj.
Pjesë nga postimi i Majlinda Carës në Facebook, 27 janar 2021
Në Maj 2021, ajo siguroi se “godina e re e Bashkisë Kurbin do të jetë një ndër më të bukurat në Shqipëri”.
Në 5 shtator 2022, një postim tjetër nga kryebashkiakja Cara promovoi inspektimin e punimeve për godinën e re të bashkisë nga kryeministri Rama.
Postimi i Majlinda Carës në Facebook, 5 shtator 2022
Çfarë nuk përfshihet në postimin e mësipërm është faktit se, në 5 shtator 2022, punimet që u inspektuan nga Cara dhe Rama e kishin kaluar afatin e përfundimit me 9 muaj.Siç “Faktoje” ka evidentuar dhe më parë, projekti i godinës së re të bashkisë duhet të kishte përfunduar në Dhjetor të 2021.
Sipas të dhënave të gjetura në Open Data, data e lidhjes së kontratës për projektin është 01-03-2021. Afati për mbarimin e punimeve është 9 muaj.
“Faktoje” iu drejtua më 16 shtator 2022 Bashkisë Kurbin me një kërkesë për informacion mbi projektin e godinës së re të bashkisë. Në përgjigjen e tyre, bashkia pohoi se ka patur vonesa në punime. Sipas tyre, kjo ka ndodhur si pasojë e volumit të madh të punimeve, problematikave dhe vështirësive teknike të paparashikuara në projekt. Bashkia nuk dha asnjë afat kur pritet të përfundojnë këto punime.
Përgjigja e Bashkisë Kurbin kërkesës për informacion nga Faktoje, datë 30 shtator 2022
“Faktoje” udhëtoi në 19 shtator 2022 në Laç për të verifikuar në terren premtimin për një godinë të re bashkie.
Megjithëse punimet kishin avancuar nga verifikimi ynë i fundit në terren, më Nëntor 2021, ato ende nuk kishin përfunduar. Tabela e projektit, që përmban informacione mbi punimet dhe afatet, mungonte.
Godina e bashkisë Kurbin, 19 shtator 2022
Godina e bashkisë Kurbin, 19 shtator 2022. Vihet re se tabela e projektit ku duhet të ofrohet informacionet mbi afatet është hequr.
Godina e bashkisë Kurbin, 19 shtator 2022
Inxhinieri me të cilin folëm në kantierin e godinës së re na tha se punimet priten të mbarojnë në fund të këtij viti.
Megjithatë, në Gusht të këtij viti, Bashkia Kurbin hapi një tender për punime shtesë për ndërtimin e godinës së re që planifikohet të mbarojnë brenda 3 muajve nga nënshkrimi i kontratës. Fituesi u shpall në tetor 2022, por kjo kontratë nuk është nënshkruar ende. Kështu, duket se godina e re nuk do të jetë gati as për këtë vit të ri.
Pas përgjigjeve të marra nga Bashkia Kurbin dhe verifikimit në terren nga “Faktoje”, premtimi i kryebashkiakes Majlinda Cara për rindërtimin e godinës së bashkisë mbetet i pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.