Një skemë mashtrimi pas historisë prekëse të nënës së vetme nga Kombinati

6

Pretendimi: Një nënë 33-vjeçare nga Tirana tregon në Facebook se si fitoi qindra mijëra lekë përmes një aplikacioni “lojë”, pasi kishte mbetur pa para.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

Esmeralda Topi

———————————————————————

Një postim i publikuar më 27 gusht në Facebook pretendon se një grua me emrin “Laura Vega”, nënë e një djali 8-vjeçar nga Kombinati në Tiranë, kaloi nga pamundësia për të përballuar shpenzimet e përditshme te fitimet prej 260 mijë lekësh përmes një “loje” online.

Historia është ndërtuar në mënyrë të tillë që të ngjallë empati dhe besim, pavarësisht se me një shqipe që ngjason me një përkthim me programe kompjuterike. “Laura” rrëfen vështirësitë ekonomike, borxhin ndaj bankës dhe momentin kur karta i refuzohet në supermarket. Më pas, ajo pretendon se me vetëm 800 lekë të depozituara në aplikacion fitoi fillimisht 45 mijë dhe më vonë 260 mijë lekë.

Postimi shoqërohet me një video ilustruese të një gruaje që ecën në shi gjatë natës, pa u dalluar identiteti i saj. Linku që të çon te “loja” është vendosur në koment. Deri në momentin e verifikimit, postimi kishte marrë rreth 51 mijë shikime, 38 pëlqime dhe 14 komente.

Faktoje ka verifikuar edhe profilin që paraqitet si “Laura Vega”. Profili është i ri, ka rreth 20 ndjekës dhe nuk ndjek asnjë profil tjetër. Fotografia e profilit e publikuar më 17 gusht, që paraqet një grua, përmes kërkimit të imazhit rezulton e lidhur me rajonin e Chouf në Liban, duke ngritur dyshime mbi identitetin e personit pas profilit.

Dyshimet shtohen edhe nga komentet. Disa profile të krijuara rishtazi pretendojnë se kanë depozituar disa mijëra lekë dhe kanë marrë në këmbim dhjetëra apo qindra mijëra lekë. Për shembull, një koment pretendon: “Hodha 3.500 lekë dhe nxora 115.000 lekë.” Këto pretendime nuk shoqërohen me prova të pavarura dhe nuk mund të konsiderohen dëshmi se loja paguan realisht.

Në momentin e verifikimit, linku që çonte te “loja” nuk funksiononte më. Kjo, në vetvete, nuk provon mashtrimin, por e bën të pamundur verifikimin e platformës, operatorit të saj dhe mënyrës se si pretendohet se gjenerohen fitimet.

Megjithatë, historia emocionale, një profil me gjurmë të pakta, pretendime për fitime të mëdha nga një shumë e vogël dhe komente që paraqiten si dëshmi suksesi, përputhet me taktika të njohura të përdorura për të tërhequr përdorues drejt platformave të dyshimta.

Faktoje ka denoncuar raste të mashtrimeve online, ku përdoren histori të sajuara, profile të dyshimta dhe premtime për fitime të shpejta për të joshur qytetarët drejt platformave të panjohura. Edhe autoritetet shqiptare kanë bërë vazhdimisht thirrje për kujdes ndaj këtyre skemave dhe kanë paralajmëruar qytetarët të mos bien pre e ofertave që premtojnë fitime të shpejta apo të lehta.

Premtimi për fitime të mëdha me pak para është një sinjal alarmi, jo një mundësi për t’u pasuruar.