Reforma zgjedhore vs. territoriale, flasin ekspertët

Ekspertët Afrim Krasniqi dhe Kristaq Kume ndajnë mendime të ndryshme mbi lidhjen mes reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.

17
Ilustrimi i gjeneruar me AI

Fetah Salliu 

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore nisi punën në tetor të vitit 2025, me konsensusin e PS-së dhe PD-së. 

Konferenca e Kryetarëve, po me konsensus, vendosi ta shtyjë afatin deri më 30 nëntor.

Deri më tani, produkti i vetëm i këtij komisioni është prezantimi i një draft-projektligji për financimin e partive politike, i cili u shoqërua me kritika dhe sugjerime nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Reforma territoriale

Ndërkohë që puna për reformën zgjedhore ecën ngadalë, lind pyetja se sa do të ndikojë projektligji për reformën e re territoriale në këto diskutime, sidomos kur zgjedhjet po ofrohen?

Drejtori i ISP-së, Afrim Krasniqi, i cili ndjek prej vitesh proceset zgjedhore, thekson për Faktoje se reforma territoriale ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi atë zgjedhore dhe, për rrjedhojë, edhe mbi zgjedhjet e ardhshme vendore.

“Çdo ndryshim i hartës administrative-territoriale prek drejtpërdrejt zonat zgjedhore, numrin dhe kufijtë e bashkive, njësitë ku do të votojnë qytetarët dhe organizimin e të gjithë procesit”- Afrim Krasniqi

“Së pari është harta zgjedhore. Çdo ndryshim i hartës administrative-territoriale prek drejtpërdrejt zonat zgjedhore, numrin dhe kufijtë e bashkive, njësitë ku do të votojnë qytetarët dhe organizimin e të gjithë procesit”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ndikimi i të dyja reformave lidhet edhe me sjelljen e aktorëve politikë e kandidatëve, të cilët ndërtojnë strategjitë e tyre në varësi të hartës elektorale. Ai shton se përzgjedhja e kandidatëve, koalicionet lokale, prioritetet programore dhe vetë fushata varen nga mënyra se si do të organizohet qeverisja e ardhshme vendore.

“Problemi kryesor është situata aktuale. Shqipëria ndodhet më pak se një vit larg zgjedhjeve vendore, ndërkohë që reforma territoriale dhe ajo zgjedhore po diskutohen paralelisht dhe nën një presion të fortë kohor“, vëren Krasniqi

Sipas tij, reforma territoriale nuk mund të trajtohet e shkëputur nga ajo zgjedhore.

“Harta, kompetencat, financat, përfaqësimi dhe rregullat e konkurrencës politike janë pjesë të së njëjtës arkitekturë të demokracisë vendore. Ndryshimi i tyre në prag të zgjedhjeve, pa kohën dhe konsensusin e nevojshëm, krijon më shumë pasiguri dhe më pak besim te procesi zgjedhor”, thotë Krasniqi.

“Reforma territoriale dhe reforma zgjedhore, si procese legjislative, nuk kushtëzohen nga njëra-tjetra” – Kristaq Kume

Eksperti për zgjedhjet, Kristaq Kume, e sheh në tjetër kënd këtë proces.

“Reforma territoriale dhe reforma zgjedhore, si procese legjislative, nuk kushtëzohen nga njëra-tjetra. Zgjedhjet që do të përcaktojnë hartën për ndarjen administrative-territoriale të vendit nuk janë faktorë që ndikojnë në ndryshimet që mund të bëhen në Kodin Zgjedhor dhe anasjelltas”, thotë Kristaq Kume për “Faktoje”.

Sipas tij, efektet e reformës zgjedhore dhe territoriale shfaqen vetëm pasi ato janë kryer dhe në përputhje me legjislacionin e hartuar prej këtyre dy reformave zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal.

A është e mjaftueshme koha që të realizohen ndryshimet e reformës zgjedhore dhe territoriale kur zgjedhjet nuk janë as një vit larg?

“Duke pasur parasysh afatin e zgjedhjeve lokale të majit 2027, ndryshimet duhet të realizohen përmes një kalendari të qartë dhe realist, duke u dhënë përparësi çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve”, thotë Kume.

Më tej ai nënvizon: “Puna dhe vendimmarrja për hartën e re administrative-territoriale duhet të përfundojë sa më shpejt me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit. Ndërkohë, edhe reforma për Kodin Zgjedhor duhet të përshpejtohet. Ndoshta Kuvendi i Shqipërisë mund të vendosë që puna në Komisionin ad hoc për këtë reformë të realizohet duke trajtuar problemet e zgjedhjeve lokale”