Një sajesë virale ligji që dënon me burg burrat që harrojnë ditëlindjen e gruas

1283

Në Samoa nuk ka një ligj që dënon burrat, të cilët harrojnë ditëlindjen e gruas së tyre, ashtu siç shkruhet së fundi në disa portale. Artikujt e shpërndarë në media mbi këtë ligj të supozuar nuk janë bazuar në burime të besueshme informacioni.

Lajme të publikuara në portale në vendin tonë pretendojnë se në ishullin e largët të Paqësorit, Samoa, ekziston ligji i çuditshëm që penalizon deri me burgim burrat që harrojnë ditëlindjen e gruas.

Samoa, shteti që burgos burrat që harrojnë ditëlindjen e gruas”- titullohet artikulli i portalit ‘TVA.News’, i publikuar në 16 dhjetor. Madje, më tej në artikullin e portalit ngrihet edhe një pyetje, nëse një ligj i tillë duhet të jetë edhe në Shqipëri.

Artikulli i publikuar nga portali

Burrat në këtë shtet duhet t’i bëjnë gratë të lumtura dhe nuk duhet të harrojnë ditëlindjen e partnereve, pasi nëse e bëjnë dhe gratë denoncojnë në polici, burrat futen në telashe me ligjin. Do të donit që ky ligj të jetë edhe në Shqipëri?-thuhet ndër të tjera në artikullin e portalit.

Por, a ekziston vërtetë një ligj i tillë në Samoa? Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, fillimisht duke bërë një kërkim në internet mbi këtë ligj të çuditshëm. Nga kërkimi rezulton se ky lajm qarkullon prej 3 vitesh në disa media të huaja, duke raportuar këtë ligj si një nga shumë ligje të çuditshme që ekzistojnë në vende të ndryshme.  

Rezulton se fillimisht ky shkrim u publikua në faqen gjermane ‘Faktastisch”. Me një audiencë mbi 8 milionë ndjekësish në rrjetet sociale, kjo faqe ka si qëllim shpërndarjen e informacioneve virale.

Por, në lidhje me këtë çështje, e përditshmja me bazë në Samoa, “Samoa Observer” kontaktoi avokaten, Fiona Ey. Kjo e fundit mohoi që të kishte dijeni për një ligj të tillë. Ndër të tjera ajo u shpreh se i ashtuquajturi ligj është një shembull i shkëlqyer se pse nuk duhet të besoni gjithçka që gjendet në internet.

Sipas “Samoa Observer”, një revistë e përmuajshme britanike, e quajtur “Lawyer’s Monthly” publikoi ligjin fiktiv samonian në edicionin e saj të dhjetorit 2019 mbi “Ligjet që ekzistojnë ende”.

“Është një histori e paprovuar dhe një shembull i shkëlqyer se pse nuk duhet të besoni gjithçka që lexoni në internet, edhe nëse është publikuar nga “Lawyer’s Monthly”- tha avokatja.

Verifikimet e “Samoa Observe” nuk gjetën asnjë reference për ekzistencën e një ligji të tillë. Veç kësaj, nga kërkimi në internet, nuk kishte asnjë media të rëndësishme botërore që të raportonte për një ligj të tillë.

Artikulli paraprakZonat e Mbrojtura apo të pambrojtura?
Artikulli tjetërPërroi i Shushicës nuk u pastrua në pranverë, siç premtoi Llatja
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.