Mëngjesin e 20 tetorit, pedagogë nga të gjitha fakultetet, krahas tyre prindër dhe studentë, u mblodhën në “Universitetin Politeknik” të Tiranës, në mbështetje të protestës.
Për pedagogët, por edhe për shumë ish-pedagogë të dalë në pension të pranishëm, protesta nuk është më vetëm çështje e studentëve, por një situatë që, sipas tyre, kërkon reagim edhe nga ata që i presin të rinjtë çdo ditë në auditore.
“Bashkohu! Mos qëndro indiferent!”, ishte thirrja me të cilën iu drejtuan ata qytetarëve.
Qëndrimi i tyre lidhet me shqetësime që shkojnë përtej përplasjeve së ditës.


Në deklaratat e tyre, ata flasin për vështirësitë ekonomike të studentëve, kushtet e universiteteve dhe, mbi të gjitha, për atë që e konsiderojnë përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.
Një pedagoge e Universitetit të Tiranës, (e cila nuk pranoi të identifikohej me emër për Faktojen), e përmblodhi shqetësimin me një pyetje të drejtpërdrejtë: si mund të jetojë një student me 100 euro? Ajo iu referua bursës për ata studentë që e kanë mesataren mbi 9.
Ajo kundërshtoi paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për heqjen e bursave për studentët (edhe ata ekselentë) që përfshihen në akte dhune gjatë protestave.
“Ne nuk kemi vendosur sot, kemi qenë që në ditën e parë me ta. Kërkesat e tyre janë kërkesat e të gjithëve ne”, u shpreh pedagogia, duke ngritur shqetësimin për tarifat, mungesën e infrastrukturës dhe vështirësitë që studentët hasin për të përballuar jetesën.
Sipas saj, problemet e të rinjve nuk janë të shkëputura nga ato të familjeve shqiptare. Kostoja e jetesës, mundësitë e kufizuara ekonomike dhe kushtet e studimit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për shumë të rinj të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Edhe pedagogu i Shkencave të Natyrës, Mihallaq Qirjo, e lidhi daljen në protestë me mënyrën se si është trajtuar rinia gjatë ditëve të fundit.
Ai tha se pamjet e dhunës ndaj të rinjve kanë shtuar shqetësimin dhe kanë nxitur më shumë njerëz t’i bashkohen protestës. Sipas tij, pakënaqësia lidhet edhe me keqmenaxhimin e fondeve publike dhe me mosdëgjimin e kërkesave të qytetarëve.
“Unë të rinjtë e protestës i dua dhe i mbroj”, u shpreh Qirjo, duke kritikuar reagimin e policisë dhe duke theksuar se përdorimi i forcës duhet të mbetet brenda kufijve të përcaktuar nga ligji.
Një tjetër pedagog që iu bashkua protestës ishte Ilir Kaso i cili tha se sipas tij, fakti që të rinjtë janë ngritur për të drejtat e tyre është një shpresë shumë e madhe për vendin.
“Shpresë e madhe që duhet të solidarizohemi të gjithë dhe të mos mposhtemi në këtë fatkeqësi që po na ndodh, sot po sakrifikojmë një nga gjërat më të shenjta, mësimi. Uroj që kjo të jetë zgjidhja finale dhe të ketë rrugëzgjidhje“, u shpreh Kaso.
Ndërsa një ish pedagog, por gjithashtu edhe ish-ushtarak, rreth të 70-ave, tha për Faktoje se ishte aty më shumë për shkak të dhunës së policisë ndaj studentëve, të cilën ai e konsideronte si reprezalje.
“Më duket se po ripërjetoj vitin 81. Mënyra se si policia po i përgjigjet protestuesve është jo proporcionale. Sot, me këto që po shoh, ndiej turp që dikur kam mbajtur atë kapele. Këto janë taktika serbe dhe jo shqiptare”, tha ai, me nerv për Faktoje.al.

Thirrja për bojkot total: Do mblidhemi çdo ditë në orën 10:00
Ndërkohë, pedagogu Enver Bytyçi dha një panoramë më të qartë për atë se çfarë pritet në vijim.
Ai deklaroi se lëvizja në mbështetje të studentëve do të vijojë me thirrjen për bojkot total të procesit mësimor, jo vetëm në universitete, por edhe në shkollat e mesme.
Sipas tij, ndalimi i dhunës ndaj protestuesve është një nga kushtet kryesore që pedagogët i kanë drejtuar qeverisë.
Profesori pranoi se pedagogët nuk u kanë dhënë studentëve mbështetjen e duhur në protestat e mëparshme, duke theksuar se këtë herë nuk duhet t’i lënë vetëm.
Madje ai tha se pedagogët do të jenë çdo ditë në shesh në mbështetje të studentëve, duke mos përjashtuar as mundësinë e një greve urie.
“Nëse vazhdon dhuna, pedagogët do të jenë në shesh çdo ditë dhe do t’i mbështesim studentët, ndoshta deri në një grevë urie. Ne e kemi obligim t’i mbështesim fuqimisht studentët tanë. Ne jemi aty sepse studentët tanë janë aty. Ne ndihemi borxhli, sepse duhet t’i kishim mbështetur që në vitin 2018”, tha profesor Bytyçi.

“Sot studentët janë liderët tanë në shesh”
Në deklaratat e pedagogëve të tërheq vëmendjen një fjali që përmbledh marrëdhënien që ata duan të shprehin me studentët në këtë moment: “Ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderët tanë në shesh”.
Edhe për kreun e sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, mbështetja nuk do të jetë e kufizuar në marshimin e së martës.
Ai deklaroi se pedagogët synojnë të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Universitetit Politeknik të Tiranës, për të shprehur solidaritetin me studentët për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Kovaçi tha gjithashtu se sindikata i kishte drejtuar qeverisë kërkesa zyrtare që prej marsit, por nuk kishte marrë përgjigje. Sipas tij, mungesa e reagimit institucional ka shtuar pakënaqësinë dhe ka ndikuar në përshkallëzimin e protestave.
“Qeveria me të gjitha kërkesat që kemi bërë që në mars nuk kanë denjuar as të përgjigjen zyrtarisht. Kjo është qeveri që nuk dëgjon. Nuk dëgjoi as studentët dhe as lëvizjen më 31 maj. Kur nuk iu përgjigjesh protestuesve paqësore do të presësh edhe protestues të revoltuar. U përgjigjën me dhunë , më e keqja është që kemi parë persona civilë. Është një brutalitet paqësor dhe brutaliteti ndaj rinisë shqiptarë është i papranueshëm.
Ne shprehim solidaritet të plotë me studentët, prej 4 muajsh nuk u dëgjuan dhe sot jemi në situatën ku duhet zgjidhje”, tha ai.
Kovaçi gjithashtu shtoi se pedagogët iu bëjnë thirrje përfaqësive diplomatike të huaja dhe Parlamentit Europian që të mos lejojnë eskalimin e situatës.
Mbështetja nisi përpara marshimit- Pesë kërkesat e pedagogëve
Dalja e pedagogëve dhe marshimi para kryeministrisë nuk ishte një vendim i marrë këtë të martë (20 tetor).
Ditët e fundit, një grup akademikësh publikuan një peticion në mbështetje të studentëve, duke kërkuar ndalimin e dhunës dhe dëgjimin e kërkesave të tyre.
Peticioni, sipas të dhënave të listës që Faktoje disponon, ka mbledhur rreth një mijë e 473 firma më 19 tetor, nga afërsisht 10 mijë pjesëtarë të personelit akademik në vend.
Në deklaratën e tyre, pedagogët i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri kujdestare, e cila, sipas tyre, do të garantonte stabilitetin institucional dhe qetësimin e situatës.
Ata i bëjnë thirrje policisë të ndalë dhunën ndaj studentëve dhe u kërkojnë përfaqësive diplomatike në Tiranë të reagojnë për respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Por deklarata nuk është pa kushte as për vetë protestuesit.
Pedagogët u kërkojnë atyre të mbrojnë pronën publike dhe private, duke argumentuar se dëmtimet mund të përdoren për të delegjitimuar protestën dhe për të justifikuar reagime të mëtejshme ndaj saj.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre.
Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”, thuhet në pikën e fundit të deklaratës.
Të rinjtë rrëzojnë ‘dialogun’ e Ramës para Kryeministrisë
Duke brohoritur në turmë “Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”, studentët, sëbashku me pedagogët u drejtuan drejt kryeministrisë, aty ku kryeministri Edi Rama, kishte vendosur më herët disa karrige të kuqe, mbi të cilat ishin vendosur letra me mbishkrimin “Dialog”.
Me të mbërritur para kryeministrisë, studentët rrëzuan karriget e vendosura në kuadër të thirrjes së tij për dialog.

Me këtë veprim, ata përcollën mesazhin se refuzojnë dialogun e propozuar nga Rama, ndërsa kanë kërkuar lirimin e studentëve të ndaluar gjatë protestave.

“Refuzojmë dialogun! Lironi studentët!”, “Hiqni kapelet, polici e krimit!”, ishin thirrjet e protestuesve poshtë zyrës së Ramës.


Karriget e rrëzuara para Kryeministrisë shënuan refuzimin e studentëve ndaj ftesës për dialog, ndërsa thirrjet e tyre treguan se kërkesa shkon përtej një tryeze negociatash: ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe lirimin e studentëve të ndaluar.






