Pretendimi: Më 17 nëntor 2026 do të ketë ndërprerje elektriciteti dhe kolaps global
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi (arkivuar këtu) alarmant se, më 17 nëntor 2026, do të ketë ndërprerje elektriciteti dhe kolaps global.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, madje as ndonjë shpjegim se si pretendohet të ndodhë ky kolaps që lidhet edhe me internetin dhe bankat.
Nuk ka prova se ndonjë kolaps apo ndërprerje elektriciteti globale parashikohet të ndodhë më 17 nëntor të këtij viti.
Asnjë bankë apo institucion nuk ka paralajmëruar ndonjë ngjarje të tillë.
E vetmja ngjarje e lajmëruar që do ndodhë më 17 nëntor është një Testim i Sistemit Kombëtar të Alarmit Emergjent të ShBA.
Në Shtetet e Bashkuara, Agjencia për Menaxhimin e Katastrofave (FEMA) dhe rregullatori i medias FCC po testojnë sistemin e tyre mbarëkombëtar të alarmit emergjent përmes radios dhe televizionit. Testi nuk ka asnjë lidhje me elektricitetin, bankat apo me internetin.
Testi u njoftua nga FCC më 16 shtator dhe nga FEMA më 28 tetor.

Njoftimi publik i rregullatorit amerikan të medias
Testi zhvillohet nëpërmjet stacioneve radiotelevizive, ofruesve të shërbimeve kabllore dhe satelitore në Shtetet e Bashkuara. Këta transmetues ndërpresin programet e tyre për një njoftim të shkurtër në anglisht dhe spanjisht. Formulimi është publikuar paraprakisht dhe përfundon duke deklaruar se ky është vetëm një test dhe se publiku nuk ka nevojë të bëjë asgjë. Alarmet në celular nuk janë pjesë e testit këtë vit.
Alarmet testuese të këtij lloji janë rutinë. Shtetet e Bashkuara i kanë kryer ato rregullisht për vite me radhë. Testimi i një sistemi paralajmërimi nuk do të thotë se pritet një sulm.
Qëllimi i ushtrimit është të verifikojë gatishmërinë operacionale të infrastrukturës së komunikimit për raste emergjence dhe të identifikojë probleme të mundshme teknike përpara se të ndodhë një emergjencë reale. Nëse rrethanat kërkojnë një shtyrje, FCC ka propozuar si datë alternative 3 dhjetor 2026.






