Pretendimi: Këto pamje tregojnë një foshnje të lindur me mustaqe
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë pamje që pretendohet se tregojnë një foshnje të sapolindur me mustaqe.

Megjithatë, postimet nuk shoqërohen me ndonjë burim apo detaj identifikues se ku dhe kur ka ndodhur lindja e pazakontë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet janë shkëputur nga një video që është botuar për herë të parë në rrjet më 20 tetor nga faqja e Facebook Neëborn Cuteness, e cila është krijuar më 19 tetor.
Një vëzhgim i videove të tjera të botuara nga kjo faqe tregon se ajo poston gati ekskluzivisht përmbajtje me foshnje, shpesh me qime në fytyrë, që duken të gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Ka dhe tregues të tjerë se pamjet janë gjeneruar me AI.
Video origjinale zgjat ekzaktësisht 10 sekonda dhe ka 24 kuadro për sekondë, një kohëzgjatje tipike për videot e krijuara nga AI. Për shembull, një video standarde e krijuar me mjetin AI Google Gemini rezulton në një video 10-sekondëshe me 24 kuadro për sekondë.
Më tej, video fillon me foshnjën e p,!kthyer djathtas, ku duken disa qime poshtë buzës së poshtme. Kur foshnja kthehet nga e majta, vërehet një ndryshim i dukshëm te qimet mbi buzën e sipërme. Më pas, foshnja kthehet sërish nga e djathta, ndërsa në zonën poshtë buzës së poshtme nuk duken më qime. Gjithashtu, poshtë syrit të djathtë të fëmijës shfaqet qartë një shenjë, e cila më parë nuk ishte e dukshme.
Rritja e tepërt e qimeve te të porsalindurit ndodh vërtet. Në nëntor të vitit 2022, Joao Miguel, një foshnjë e lindur në Brazil, dukej sikur kishte lindur me mjekër, për shkak të sasisë së madhe të qimeve në fytyrë. Pediatria Tatiana Cicerelli Marchini e identifikoi këtë gjendje si hipertrikozë kongjenitale universale dhe theksoi se ajo nuk kishte asnjë ndikim në shëndetin e tij.
Ekziston gjithashtu një sëmundje e rrallë kongjenitale, Hypertrichosis Lanuginosa Congenita, në të cilën qime të tipit Lanugo me gjatësi 3 deri në 5 centimetra rriten në të gjithë trupin. Megjithatë, ato mbulojnë të gjithë trupin, nuk prodhojnë mustaqe vetëm në buzën e sipërme.






