Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga inskenimi i zbarkimit në Hënë të NASA
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————
Misioni i fundit i NASA, Artemis II, ka ringjallur në rrjet pretendimet e hershme të inskenimeve në studio kinematografike të udhëtimeve hapësinore të njeriut. Nën këtë dyshim qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, një video që pretendohet se tregon pamje nga inskenimi i zbarkimit në Hënë të NASA.


Megjithatë, video e mësipërme nuk ëshë e vërtetë. Ajo është krijuar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Një tregues kryesor është logo e Sora, modeli tekst-në-video i Open AI. Duke përdorur inteligjencën artificiale, modeli gjeneron videoklipe të shkurtra bazuar në udhëzime të dhëna nga përdoruesi.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale ishte postuar në TikTok në tetor 2025 nga një llogari me emrin @ai.reversed, e cila, sipas vetëpërshkrimit, “përmbys realitetin me AI,” dhe, siç mund të pritej, poston ekskluzivisht video të gjeneruara me AI.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.






