Pretendimi: Kjo video tregon torturat çnjerëzore ndaj të burgosurve palestinezë
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një video që pretendohet të tregojë torturat që po kryhen ndaj të burgosurve palestinezë nga ushtria izraelite po qarkullon së fundi në Facebook në gjuhën shqipe. Pamjet shfaqen një njeri të prangosur me fytyrën të mbuluar nga një maskë dhe këmbët e lidhura me litar, i cili zhytet në një vaskë me kimikate. Më pas, figura del nga vaska me fytyrën e shpërfytyruar. Faqja e ka shpërndarë këtë video me mbishkrimin: “Padrejtësia dhe mizoria e Izraelit ndaj të burgosurve të shtypur në Palestinë,” pra duke pretenduar se këtu bëhet për videon e një torture.

Në fakt, përtej disa detajeve të imazheve që të shtyjnë të dyshosh se ngjarjet zhvillohet në një ambjent normal burgu, verifikimit nëpërmjet motorrit të kërkimit Google lens konfirmon se ajo që pretendohet si torturë është një lojë e krijuar për festimet e Halloween apo parqet e lodrave.
Loja e quajtur “Deep Fried” (“I fërguar” në shqip) mësohet se është krijuar nga kompania Screamfitters. Siç shpjegohet në faqen e kompanisë, loja përbëhet nga një kukull me përmasat e një qënieje njerëzore, e cila futet në këtë “fritezë” dhe del e shpërfytyruar.

Po të shihet videoja me kujdes dhe nga afër, dallohet që figura në fjalë nuk është një person i gjallë, por pikërisht një kukull plastike.

Kjo lojë e frikshme ofrohet për shitje si një argëtim në parqe tematike apo shtëpi fantazmash përgjatë periudhës së Halloween për të frikësuar vizitorët. Pamje të shumta të rreme mbi çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme, sidomos mes izraelitëve dhe palestinezëve, vazhdojnë të qarkullojnë në rrjet dhe janë hedhur poshtë disa here si nga Faktoje dhe organizata të tjera të verifikimit të fakteve.





