
Mëngjesi i 10 prillit na gjeti në rrugën drejt Bovillës. Deri tek reparti ushtarak në Zallherr rruga ishte e shtruar, por aventura nis sapo e kalon atë pikë. Asfalt i degraduar, gropa të shumta, një terren që të detyron të ngadalësosh ritmin dhe të ndjesh çdo tronditje të makinës. Megjithatë, kjo nuk i ndal mjetet e mbushura me turistë që çdo fundjavë ngjiten drejt Bovillës, të tërhequr nga pamja e rezervuarit dhe mundësitë për hiking në kodrat përreth.
Diga e Bovillës, e ndërtuar në vitin 1998 për furnizimin me ujë të Tiranës, është një nga veprat më të rëndësishme hidroteknike të vendit. Me lartësi 91 metra dhe një rezervuar prej mbi 78 milionë m³ ujë, ajo mban mbi shpinë jetën e kryeqytetit. Poshtë saj jetojnë më shumë se 100 mijë banorë të ekspozuar ndaj rrezikut potencial, pasi mungojnë sistemet e monitorimit dhe alarmit.
“Në digë dhe në zonën poshtë saj nuk ka asnjë sistem alarmi për rastet e emergjencave civile, megjithëse kjo digë… konsiderohet vepër e rëndësisë së veçantë”, nxjerr në pah një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Auditimi evidenton edhe një çarje të madhe në masivin shkëmbor 500 metra larg digës, e identifikuar prej vitesh, por pa masa konkrete për monitorim apo eliminim të rrezikut. Të njëjtat problematika janë vënë në pah edhe nga Komiteti Kombëtar i Digave, i cili në raportin e fundit e cilëson Bovillën si rast kritik.
“Mungojnë sistemet e alarmit në trupin e digave… instalimi i sistemeve të tilla moderne është një domosdoshmëri urgjente dhe ligjore,” theksohet në raport.
Duke e renditur Bovillën ndër digat më të rëndësishme, Komiteti i Digave thekson se mungesa e instrumenteve të monitorimit dhe e planeve të gadishmërisë civile e ekspozon komunitetin poshtë saj ndaj një rreziku ekstrem, ku çdo defekt teknik mund të kthehet në katastrofë për mbi 100 mijë banorë.
Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve Tiranë, që ka nën administrim digën e Bovillës, i pranon problematikat, por në përgjigjen për Faktoje thekson se janë vënë në lëvizje për t’i adresuar.

“Monitorimi gjeodezik kryhet dy herë në vit… Monitorimi hidrologjik, çdo ditë kryhet matja e nivelit të ujit në liqen dhe pasqyrohet në ditarin e digës. Këto ditë është instaluar edhe sensori me anën e të cilit kryhet monitorim online i nivelit të ujit” thuhet në përgjigjen e UKT-së.
UKT pohon se monitorimi sizmik është jashtë funksionit për shkak të dëmtimit të kabllit dhe një sensori, por shton se riparimi është planifikuar brenda tre muajve të ardhshëm. Po ashtu, ndërmarrja ka hartuar një projekt për vendosjen e sistemeve të monitorimit dhe një sistem alarmi për banorët poshtë digës.
“Gjendja teknike e digës që administrohet nga UKT-sha, është e qëndrueshme dhe pa probleme teknike që mund të vër në diskutim sigurinë e saj” përfundon UKT.
Tirana ka nën administrim 38 diga të mëdha për ujitje, peshkim dhe zhvillim urban. Pas digës së Bovillës, e cila mbetet kritike për furnizimin me ujë të kryeqytetit, një tjetër vepër e rëndësishme dhe e rrezikuar është diga e Liqenit Artificial. Kjo digë e vjetër, e ndërtuar në vitet 1957–1958, ka shërbyer për dekada si pjesë e parkut rekreativ të Tiranës, por sot përballet me problematika të shumta.
“Në këtë digë nuk ka sisteme monitorimi funksionalë për asnjë element të përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore, përjashtuar një matësi manual të nivelit të ujit” nxjerr në pah auditimi i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Po ashtu, KLSH thekson se portat e shkarkimit nuk funksionojnë në mënyrë të kontrolluar, duke e bërë të pamundur shkarkimin e shpejtë të ujit në raste emergjente. Një sifon prej çeliku, me kapacitet të vogël, nuk mund të përballojë prurje të mëdha, duke e lënë strukturën të pambrojtur.
Nga ana tjetër, edhe vet Komiteti Kombëtar i Digave, e cilëson Liqenin Artificial si rast kritik.
“Ka më se 22 vjet që portat e shkarkimit janë bllokuar… Megjithëse në zonën poshtë saj banojnë afro 45 mijë banorë, nuk ka të instaluar asnjë instrument për monitorimin e digës dhe asnjë sistem alarmi” shkruhet në raportin e fundit.


Portat e shkarkimit të digës së Liqenit Artificial kanë mbi 24 vite të bllokuara. Ky mosfunksionim lidhet me ngjarjen e 27 shtatorit 2002, kur banorët pranë liqenit u zgjuan mes përmbytjes. Hapja e një porte shkarkuese rezultoi fatale, duke shkaktuar dëme të shumta materiale, sidomos në banesat njëkatëshe të zonës së Komunës së Parisit.
Sot në zonën e rrezikut jetojnë mbi 45 mijë njerëz.
Nëse shkon dhe e sheh nga afër digën, jo thjesht vrapon me kufje në vesh rreth e qark saj, do të dallosh shenjat e mosmirëmbajtjes që e shoqërojnë prej dekadash. Skarpatat janë të mbuluara me pllaka të rëna, me bimësi me rrënjë të thella, të cilat rrisin rrezikun e filtrimeve dhe erozionit të brendshëm. Aparaturat e monitorimit mungojnë krejtësisht, duke e lënë digën pa “sy” teknikë që të paralajmërojnë për ndonjë defekt






Në vend të sistemeve moderne, në digën e Liqenit Artificial ekziston vetëm një mjet “primitiv” i quajtur LAT, një dërrasë e vijëzuar në metra dhe centimetra për matjen manuale të nivelit të ujit. Ky sistem nuk jep asnjë paralajmërim në rast rritjeje të shpejtë të nivelit të ujit, duke e bërë të pamundur reagimin në kohë. Ndonëse parashikon pesë sisteme të detyrueshme monitorimi (gjeodezik, sizmik, hidrogjeologjik, hidrologjik dhe gjeologjik) në Liqenin Artificial asnjë nuk është funksional.

Ky sistem nuk jep asnjë paralajmërim në rast rritjeje të shpejtë të nivelit të ujit, duke e bërë të pamundur reagimin në kohë. Ndonëse parashikon pesë sisteme të detyrueshme monitorimi (gjeodezik, sizmik, hidrogjeologjik, hidrologjik dhe gjeologjik) në Liqenin Artificial asnjë nuk është funksional.
Auditimet dhe raportet nxjerrin në pah boshllëqe të mëdha në sigurinë e digave, ndaj ekspertët e fushës e cilësojnë instalimin e sistemeve të monitorimit jo vetëm si urgjencë, por si një kërkesë ligjore të vonuar, që prek drejtpërdrejt jetën e mbi 145 mijë banorëve poshtë Bovillës dhe Liqenit Artificial.


Arjan Jovani President i EURCOLD dhe ish-kryetar i Komitetit të Digave të Mëdha, thekson domosdoshmërinë e ndërhyrjes.
“Të ngrihet alerti i domosdoshmërisë të monitorimit të digave. Është e domosdoshme instalimi i sistemeve të monitorimit të digave. Jo vetëm është e domosdoshme por është kërkesë teknike edhe ligjore që bëhet në të gjithë Evropën”
Ai shton se bazuar në eksperiencën botërore, instalimi i sistemeve nuk është thjesht urgjencë, por një detyrim i vonuar.
“Komiteti para dy vitesh ka çuar listën me 50 digat me risk më të lartë në Shqipëri (ku përfshihet Liqeni dhe Bovilla sepse kanë 100 mijë dhe 45 mijë banorë)” argumenton Jovani për Faktoje.

Vetëm instalimi i sistemeve moderne të monitorimit dhe alarmit, së bashku me respektimin e standardeve ligjore e teknike, mund të garantojë që alarmi i ngritur të mos bie në vesh të shurdhër. Investimet mund të shmangin përsëritjen ngjarjet e së shkuarës, në mënyrë që Bovilla dhe Liqeni Artificial të mos mbeten simbole të neglizhencës.