MARJO BRAKAJ & MERXHAN DACI
Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç ka reaguar ashpër sot për “Paketën Antishpifje” që po përgatit për votim qeveria. Ajo tha se është e shqetësuar për paketën duke nënvizuar se ka nevojë për përmirësime urgjente.
Deklarata:
Jam thellësisht e shqetësuar kur mësoj se këtë javë Parlamenti shqiptar vazhdoi me shqyrtimin e dy projektligjeve, të njohur si “Paketa Anti-Shpifje”. Këto ligje kanë nevojë për përmirësim urgjent. Disa dispozita në të vërtetë nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.
Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat vepruese u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe futja e rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend. Është me rëndësi të madhe të sigurohet që Interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik ku mbizotëron vetë-rregullimi nga media, përfshirë mediat online.
Prandaj, unë i bëj thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i afrojnë ato me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës.
“Faktoje” pyeti që në 12 dhjetor Komisionin Europian nëse ky institucion kishte një qëndrim për zhvillimet me “Paketën Antishpifje”.
Në përgjigje thuhet se Komisioni u ka kërkuar autoriteteve të marrin parasysh komentet e bëra nga OSBE-ja dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, të mobilizuar përmes fondeve të BE-së, për të siguruar përputhjen me standardet evropiane në fushën e lirisë së shprehjes. Këto rekomandime përfshijnë, ndër të tjera, kufizimin e fushës së rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizuale, duke promovuar vetë-rregullimin në vend, sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave të lidhura me median dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në vend.
Komisioni shton se drafti i miratuar të hënën (16 dhjetor) në komisionet parlamentare, nuk merr përsipër disa rekomandime të bëra nga aktorët ndërkombëtarë dhe kështu kjo shqetëson akoma më shumë.
“Është e rëndësishme që të gjitha ato rekomandime – të përsëritura sot nga Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović – të merren në konsideratë para miratimit përfundimtar të ligjit”, tha për “Faktoje” KE.