Ditën e parë të këtij viti nuk është regjistruar asnjë tërmet në Himarë, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në portale. Faktoje verifikoi se riciklimi i lajmit është bërë me qëllim tërheqjen e klikimeve, duke përhapur informacione të rreme.
Në artikuj të shpërndarë në portale në vendin tonë pretendohet se një tërmet është regjistruar më 1 janar 2024, me epiqendër në Himarë.
“Lëkundje tërmeti në vendin tonë. Ja ku ishte epiqendra”-raportojnë portalet.
Artikujt e publikuar në portale
Në lidhje me këtë artikull, ne fillimisht bëmë një kërkim te faqja e Institutit të Gjeoshkencave, ku vihet re se dy tërmete me magnitudë shumë të vogël janë regjistruar në datën 1 janar në Konispol dhe Ersekë.
Në faqen zyrtare të Institutit nuk ka asnjë raportim për ndonjë tërmet me magnitudë 3 të shkallës rihter në Himarë.
Gjithashtu, nga një kërkim i bërë rezulton se në fakt një lajm për tërmet në Himarë është regjistruar në shtator 2023 dhe jo këtë vit, siç pretendon portali.
Artikulli i kësaj faqe online është kopjuar me të gjitha detajet nga raportimet e bëra në mediat në shtator të vitit që lamë pas, por duke u sjellë si lajm aktual në këto ditë festash kur raportimet nga terreni dhe ngjarjet që përbëjnë lajm janë edhe më të vakëta.
Riciklimi i lajmeve të tilla bëhet me qëllim tërheqjen e klikimeve, duke përhapur informacione të rreme.