BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëKostoja e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, më e lartë se sa denoncon PD

Kostoja e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, më e lartë se sa denoncon PD

46 euro për një ton është vlera që paguajnë qytetarët e Elbasanit paguajnë për menaxhimin e mbetjeve nga Bashkia. Shifra u përllogarit gjatë verifikimit të Faktoje që ‘gjeti gabimin’ në deklaratën e deputetit të PD Luçiano Boçi. Ai denonconte se qytetarët e Elbasanit paguajnë 25 euro për ton mbetje. Ndërkohë, referuar të dhënave zyrtare nga Bashkia Elbasan, të përpunuara nga Faktoje, rezulton se inceneratori në këtë qytet ka kushtuar 27 milionë euro, që përputhet me deklaratën e Boçit.

———————————

Në janar 2023, deputeti demokrat, Luçiano Boçi denoncoi përmes profilit të tij në Facebook, vjedhjen që sipas tij po u bëhet qytetarëve të Elbasanit nga bashkia e këtij qyteti.

“Kjo nuk e pengon bashkinë t’i marrë qytetarëve nga xhepat 25 € për ton edhe pse vetëm i grumbullon plehrat. Grabitje e pastër në një Bashki të bërë pis!

Pa harruar 27 milionw € që u rrëmbyen për vetë inceneratorin”, shkruante ndër të tjera në Facebook, deputeti Boçi.

Postimi në Facebook i Luçiano Boçit, 6 janar 2023

Ne kontaktuam zotin Boçi dhe e pyetëm se ku ishte bazuar për gjetjet e denoncuara, sidomos koston 25 euro për ton mbetjesh, në xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

“I jemi referuar buxhetit të Bashkisë për menaxhimin e mbetjeve“, sqaron ndër të tjera zoti Boçi.

Faktoje llogarit koston 46 euro/ ton mbetje, gati dyfishi që deklaron Boçi  

Faktoje vendosi të verifikojë këtë deklaratë, pasi ka interes të lartë për taksapaguesit. Fillimisht kontrolluam të dhënat e Bashkisë Elbasan dhe i konsultuam me ekspertët tanë të ekonomisë.

Referuar materialeve të Bashkisë Elbasan fondi buxhetor për të menaxhuar mbetjet për vitin 2022 është në vlerën rreth 120 milionë lekë. Kjo shifër bazohet në buxhetin e publikuar të Bashkisë Elbasan, prej të cilave rreth 112.3 milionë janë shpenzime operative dhe 7.5 milionë lekë janë shpenzime për investime.

Screenshot, të dhënat nga Bashkia Elbasan

Po nga të dhënat zyrtare rezulton se sasia e mbetjeve të administruara nga Bashkia Elbasan për vitin 2022 është rreth 27, 596 tonë në vit. Bazuar në këto dy të dhëna (totali i fondeve dhe sasia e tonazhit) si tregues i buxhetit të shpenzuar për 1 ton/mbetje në këtë bashki.

Sipas Bashkisë, shpenzimet për menaxhimin e një ton/mbetje janë të vlerën 4, 341 lekë. Përkthyer me kursin e këmbimit të euros me 120 lekë (periudhë kur është parashikuar në buxhet), rezulton se kjo vlerë të jetë rreth 36 euro për ton mbetje.

Sa lekë për ton/mbetje në vit u merr qytetarëve Bashkia Elbasan?

Nese i referohemi programit buxhetor afatmesëm 2022-2024 të Bashkisë Elbasan, të ardhurat e parashikuara për t’u mbledhur nga tarifat e pastrimit për vitin 2022 janë në vlerën rreth 152 milionë lekë.

Screenshot, të dhënat zyrtare nga Bashkia Elbasan

“Pra rezulton që vlera e fondeve që Bashkia u merr qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve, rreth 152 milionë lekë tejkalon nivelin e shpenzimeve që ajo kryen për këtë funksion, që është në vlerë 120 milionë lekë. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e raportuara nga Bashkia Elbasan, ku raporti i të ardhurave nga tarifa kundrejt shpenzimeve paraqitet në 127%”, sqarojnë ekspertë për Faktoje.

Screenshot nga të dhënat e Bashkisë Elbasan

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bashkisë Elbasan, ky institucion për vitin 2022 arkëton nga qytetarët 5,503 lekë për ton mbetje (151,878,000 lekë/27,596 ton mbetje) ose rreth 46 euro për ton mbetje të administruara. Kjo do të thotë se vlera që paguajnë qytetarët e Elbasanit për bashkinë për të administruar një ton mbetje është 46 euro.

“Tarifa që i mblidhet qytetarëve, siç është deklaruar edhe nga vetë Bashkia Elbasan, duhet t’u ofrojë atyre shërbimin e plotë për menaxhimin e mbetjeve dhe jo vetëm grumbullimin e tyre në rrugët e qytetit. Vetë kjo bashki thotë që menaxhimi i mbetjeve përfshin grumbullimin, transportimin dhe trajtimin e mbetjeve”, sqarojnë më tej ekspertë të ekonomisë.

Sa ka kushtuar inceneratori i Elbasanit?

Një tjetër çështje që prek zoti Boçi është kostoja e inceneratorit të Elbasanit, i cili sipas tij ka kushtuar 27 milionë euro. Faktoje bëri një llogaritje edhe të këtyre shpenzimeve, referuar shifrave zyrtare të Bashkisë Elbasan.

Sipas të dhënave rezulton se për vitin 2019-2022 pagesat kapin një vlerë totale prej rreth 1.2 miliardë lekë.

Të dhënat për vitet 2019-2022

Ndërsa, po të shohim të dhënat e mëparshme që i përkasin viteve 2015-2018, pagesat totale kapin një vlerë prej 2.1 miliardë lekë.

Të dhënat për vitet 2015-2018

Në total, pagesat e kryera për inceneratorin e Elbasanit janë rreth 3.3 miliardë lekë ose rreth 27 milionë euro, nëse përdoret kursi i këmbimit të euros me 120 lekë.

Për sa i përket çështjes së inceneratorit të Elbasanit, në muajin dhjetor Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ngriti një sërë akuzash për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” në ngarkim të disa zyrtarëve të lartë.

Duke u rikthyer tek verifikimi i deklaratës së deputetit Boçi, verifikuam se vlera që paguajnë qytetarët e Elbasanit për menaxhimin e mbetjeve nuk është 25 euro për ton, por gati dyfish më e lartë, ose 46 euro për ton. Ndërkohë pagesat e kryera për inceneratorin e Elbasanit, që sipas zotit Boçi kapin shifrën 27 milionë euro, rezulton e saktë. Për këtë arsye vendosëm që deklaratën e deputetit Luçiano Boçi ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img