BallinaPertejNga Ahmetaj tek Kryemadhi, brenda shtëpive të sekuestruara (FOTOT)

Nga Ahmetaj tek Kryemadhi, brenda shtëpive të sekuestruara (FOTOT)

Pronat e sekuestruara përfshijnë banesa luksoze, toka pranë bregdetit në zona preferenciale, njësi shërbimi, automjete luksoze por edhe aksione.

Nga Anila Hoxha

Në katalogun publik të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, pasaporta e pasurisë së sekuestruar përshkruan karakterin arkitektonik të një vile të veçantë, që ndodhet nën mbikëqyrjen e shtetit.

Në kompleksin rezidencial buzë detit në Hamallaj, qetësia dhe luksi bashkohen me arkitekturën moderne dhe ndriçimin elegant, duke e bërë këtë pronë një shembull dallues të jetesës në vijën e parë të bregdetit.

Pasuria në fjalë është vendosur nën sekuestro më 23 mars 2023, sipas vendimit nr. 137 të Gjykatës së Posaçme.

Ky vendim e identifikon vilën si pronë të shtetases E.H., bashkëjetuese e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Ndaj këtij të fundit vijon të jetë në fuqi masa e arrestit në mungesë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

(Foto e vilës së bashkëjetueses së Arben Ahmetaj)

Në listën e pasurive të sekuestruara të SPAK , kjo pasuri vlerësohet 26,884,000 lekë

Pasuritë e sekuestruara

Aktualisht, numri i pasurive të vendosura nën sekuestro preventive arrin në 64.

Këto prona dyshohet se kanë origjinë nga veprimtari korruptive, abuzime me tendera dhe shpërdorim detyre.

Sipas hetimeve, ato dyshohen se iu përkasin ish-funksionarëve publikë, familjarëve të tyre, si dhe, persona të afërt apo të bashkëlidhur me ta.

Pronat përfshijnë banesa luksoze, toka pranë bregdetit në zona preferenciale, njësi shërbimi, automjete luksoze por edhe aksione.

SPAK iu përgjigj Faktoje-s duke bërë preventivin e pasurive të bllokuara, të cilave u është dhënë statusi i aseteve nën hetim.

Ky veprim u ndërmor mbasi pas këtyre pasurive, në rrethin e investigimit penal, figurojnë emra zyrtarësh të lartë, ish-kryetarë bashkish, ish-ministra, ish-deputetë dhe drejtorë të institucioneve.

“Për periudhën kohore 21.12.2019 – aktualisht, bazuar në kërkesat e prokurorëve të posaçëm për sekuestrimin e pasurive, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga korrupsioni duke sekuestruar përkatësisht: 64 pasuri të paluajtshme, 26 pasuri të luajtshme, 11 subjekte tregtare nga të cilat 7 subjekte të sekuestruar plotësisht dhe kuotat përkatëse të personave nën hetim për 4 subjekte të tjerë”

Prokuroria e Posaçme sqaron gjithashtu për Faktoje se, vlera e llogarive bankare të vendosura nën sekuestro arrin rreth një milion euro

Rezulton se shumica e aseteve të vendosura nën sekuestro preventive ose të konfiskuara kanë burim të paligjshëm, të lidhur me krimin e organizuar. Autorët dhe të dyshuarit e përfshirë lidhen kryesisht me rrjete ndërkombëtare të narkotrafikut.

Agjencia

Gjithsej Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara llogarit se në total, nën mbikëqyrje, janë rreth 3982 pasuri dhe prova materiale, të cilat përfshijnë kryesisht apartamente, njësi shërbimi, toka dhe automjete.

Vlera totale e tyre llogaritet 62 milionë euro. Shumë prej tyre sapo publikohen kane tendencë të jepen me qira.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) sqaron për Faktoje se,  “pasuritë që publikohen/ jepen me qira përfshijnë tipologji të ndryshme, si apartamente banimi, njësi shërbimi, garazhe, magazina dhe hotele”.

Por, deri në publikimin e këtij shkrimi, me përjashtim të pasurive të fituara nga krimi, pasuritë e ish zyrtarëve ende nuk janë dhënë me qira referuar një prej administratorëve të caktuar nga gjykata për kontrollin e tyre

Juristi, Bledar Meminaj, shprehet për Faktoje, se pasuritë e sekuestruara që lidhen me zyrtarë apo ish-funksionarë përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të aseteve të bllokuara, krahasuar me ato që duhej të ishin zbuluar në tërësi.

“Në dijeninë time përdoren prestanome për identitetin e tyre për të investuar jashtë Shqipërisë në biznese të ndryshme, duke lidhur kontrata besimi apo edhe të firmosura jashtë Shqipërisë për qarkullimin e parave tek emri tjetër që nuk gjurmohet dot”

Pyetjes se si mund të zbulohen pasuritë, avokati Meminaj u përgjigj me shprehjen: “ndiq paranë”.

Megjithatë, ai shtoi se për të ndjekur gjurmët e parasë është e domosdoshme të ekzistojë infrastruktura e duhur institucionale dhe teknike

(Foto e vilës së bashkëjetueses së Arben Ahmetaj)

Fotot

Ndërsa hetimet penale vazhdojnë, paralelisht me to zhvillohen edhe kundërshtimet e përfaqësuesve ligjorë, të cilët kanë vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese lidhur me pasuritë nën sekuestro preventive.

Ndërkohë, publikimi i të dhënave nga ana e Agjencisë për këto pasuri kufizohet.

Konkretisht nuk bëhen të ditur emrat e pronarëve, por referenca jepet vetëm përmes vendimeve gjyqësore dhe hartave që tregojnë vendndodhjen e tyre.

Njëjtë (si me banesën nën sekuestro preventive pronë e  E.H, bashkëjetuese e ish zv/ kryeministrit Ahmetaj) është edhe prezantimi i një tjetër banese që dyshohet së i përket një ish zyrtari të lartë.

Publikimi i banesës me sipërfaqe 90.8 m2, veranda 61.2 m2, vendndodhja  ”Ujë i Ftohtë , Vlorë”, nuk përfshin emrin e pronarit, por referohet vetëm tek dokumentet gjyqësore dhe hartat që tregojnë vendndodhjen e saj.

Me një mobilim modern, shoqëruar me spote e ngjyra të hapura, një kuzhinë të bardhë kombinuar me elementë druri apo ngjashëm me të, banesa ndodhet në një nga zonat më të pëlqyera të qytetit bregdetar Vlorë.

Vlera e pronës nga Agjencia vlerësohet rreth 9 milionë lekë. Por beteja ligjore nuk ka përfunduar ende, ndaj ky apartament mbetet ende në proces për t’u kaluar në portofolin e shtetit.

Apartamenti në fjalë, dyshohet se i përket  ish- ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Por ky i fundit (Beqja) këmbëngul se nuk ka asnjë lidhje me këtë pronë. 

Avokati i ish-ministrit ka deklaruar më herët se këtë apartament Beqja e përdorte me qira, kontratë që ka përfunduar në vitin 2020.

(Apartamenti në Vlorë, që po hetohet si i lidhur me ish ministrin e Shëndetësisë)

Pasuria është identifikuar nga SPAK në zonën e Lungomares dhe, me vendim gjykate të vitit 2024, ajo iu nënshtrua kontrollit.

Sipas hetimeve, dyshohet se investimet e kryera për mobilimin nuk janë deklaruar nga ish-ministri Beqaj.

SPAK rendit disa fakte që mbështesin këtë dyshim, duke nisur nga kontrata e porosisë, mobilimi i realizuar nga ai dhe bashkëshortja e tij.

Llogaritet se vlera totale e investuar mund të ketë arritur deri në pesë milionë lekë.

Prona mbahet nën sekuestro preventive, pasi ekzistojnë dyshime se origjina e saj është e fshehur.

Si po qarkullon paraja e korruptuar

Avokati Vladimir Meçi shpjegon skemat e qarkullimit të  parave në fushën e korrupsionit.

Sipas tij, hetimi i korrupsionit në nivele të larta është ndër hetimet më të vështira në drejtësinë penale:

“Kjo lidhet me faktin se korrupsioni nuk është një krim që kryhet hapur apo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por zakonisht realizohet në mënyrë të fshehtë, përmes ndërmjetësve, marrëveshjeve informale dhe skemave financiare të maskuara”.

“Së pari, këto hetime kërkojnë metoda të avancuara të hetimit financiar, ndërkohë që shpesh organet e hetimit operojnë ende me metodika klasike të hetimit penal. Hetimi i korrupsionit kërkon analizë të transaksioneve financiare, të lidhjeve ekonomike dhe të strukturave të pronësisë që përdoren për të fshehur përfitimet e paligjshme”, thotë avokat Meçi

“Së dyti, – vijon ai, – është pothuajse e pamundur që një zyrtar i lartë të kapet në flagrancë duke marrë përfitimin korruptiv”.

Në shumicën e rasteve përfitimet, sipas avokatit, nuk kalojnë drejtpërdrejt në emrin e tij, por regjistrohen në emër të familjarëve, miqve apo personave të besuar, ose maskohen përmes kompanive dhe investimeve të ndryshme.

Korrupsioni është sofistikuar

Të njëjtin këndvështrim ndan edhe avokati Meminaj, sipas të cilit, korrupsioni ka ndryshuar formë.

“Nëse më herët paratë merreshin nëpërmjet sekserëve, sot nuk merren më dorazi, por merren jashtë vendit, nëpërmjet changeve të ndryshme dhe kthimit në kriptovalutë”, shpjegon Meminaj.

Ai thekson se paratë cash nuk mund të futen në sistemin bankar ndaj dhe, po transferohen në vendet offshore ose parajsat fiskale.

Pasuritë

Mes emrave që u janë konfiskuar pasuri është edhe ish- ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish -deputeti Alqi Bllako, zyrtarë të dosjes “5D”, (pas të cilës dyshohet se fshihen Redi Molla e Mariglen Qato), apo banesa e ish- bashkëshortes së ish- Presidentit Ilir Meta, gjithashtu e përfshirë në katalogun e pasurive të sekuestruara

Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

(Banesa e ish -deputetes Monika Kryemadhi nën sekuestro preventive)

Në të njëjtën mënyrë, bazuar në vendimin e sekuestros, është emërtuar edhe një tjetër pasuri, e cila për momentin ndodhet nën bllokim preventiv.

Pasuria i përket çiftit Jamarbër dhe Argita Malltezi.

Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

(Banesa nën sekuestro J. Malltezi)

SPAK

SPAK detajon se nga 21 dhjetori 2019 Gjykata Antikorrupsion ka pranuar kërkesat për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të ish-zyrtarëve dhe personave të lidhur me ta, pasi dyshohet se ata mund të kenë ndihmuar në fshehjen e origjinës së këtyre pasurive.

“Përgjithësisht, pasuritë të cilat sekuestrohen me vendim të ndërmjetëm, përfundojnë duke u konfiskuar me vendim themeli dhe me vendim të formës së prerë nga gjykatat e posaçme”, shprehet SPAK.

Konfiskimi

Përveç çështjeve që ndodhen ende nën sekuestro preventive derisa të zgjidhen përfundimisht, 23 pasuri të dyshuara se janë përfituar përmes korrupsionit dhe shkeljes së barazisë në tendera i kanë kaluar tashmë shtetit.

SPAK i thotë Faktojes se “për periudhën kohore 21.12.2019 – aktualisht, bazuar në kërkesat e prokurorëve të posaçëm për konfiskimin e pasurive, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur konfiskimin e pasurive të përfituara nga korrupsioni për 20 pasuri të paluajtshme, 2 pasuri të luajtshme dhe 1 subjekt tregtar”

Ndaj dhe, në këtë pikë, avokat Vladimir Meçi insiston se, ” hetimi duhet të nisë nga analiza e pasurisë së zyrtarit”.

 “Duhet të krahasohen të ardhurat e ligjshme të tij me pasurinë reale që ai apo personat e lidhur me të zotërojnë. Kur konstatohet një pasuri që nuk justifikohet me burime të ligjshme, atëherë lind dyshimi për përfitim të paligjshëm”, thotë ai.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, është lidhja e kësaj pasurie me vendimmarrjen publike të zyrtarit, sidomos në procedurat e prokurimit publik, tenderëve apo koncesioneve.

“Shpesh, – vëren avokat Meçi,- përfitimet korruptive lidhen pikërisht me favorizimin e subjekteve të caktuara në këto procese”.

Vështirësia në hetim, sipas avokatit, shtohet edhe nga fakti që pasuritë e paligjshme shpesh fshihen përmes skemave të ndërlikuara financiare, kompanive guackë apo transfertave ndërkombëtare, gjë që kërkon ekspertizë të specializuar dhe bashkëpunim institucional.

“Në thelb, hetimi i korrupsionit nuk duhet të fokusohet vetëm te akti i marrjes së ryshfetit, por mbi të gjitha te gjurma financiare që ky përfitim lë pas. Pikërisht analiza e pasurisë është shpesh çelësi për të zbuluar korrupsionin në nivele të larta”, thotë avokat Vladimir Meçi

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img