Gjinari, pjesë e projektit “100 Fshatrat” dhe Parku i Krastës, të konsideruar nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja si “shtylla” të zhvillimit të qytetit, përballen me mungesën e vazhdueshme të investimeve dhe kërcënimit nga ndotja. Projektet e premtuara gjatë fushatës elektorale vitin e kaluar duket se kanë mbetur ende në letër.
“Gjinari, një perlë turistike e Bashkisë Elbasan dhe pjesë e programit të “100 fshatrave” do të marrë padyshim vëmendjen tonë kryesore për t’u shndërruar shumë shpejt në një atraksion të bukur turistik” – shkruante kryebashkiaku i Elbasanit, Llatja në Facebook më 20 prill 2019.
“Faktoje”, më 26 gusht pyeti në Bashkinë Elbasan lidhur me projektet e zbatura në Gjinar dhe disa zona të tjera të përfshira te projekti i “100 fshatrave”.
Bashkia Elbasan, vetëm pas ankimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dha një përgjigje ku konfirmoi se në Gjinar ishin kryer vetëm ndërhyrje me karakter riparues dhe jo projekt i ri.
Gjinari, i cili ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Elbasani, prej vitesh përballet me mungesë investimesh. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për ato që kanë bërë banorët që kanë shtëpitë e tyre dhe i përdorin si bujtina, por për investime të mirëfillta të pushtetit vendor.
Në mesin e muajit tetor, “Faktoje” ishte në Gjinar për një vëzhgim në terren lidhur me infrastrukturën dhe investimet e kryera.
“Që kur ishte komunë e deri më tani, Gjinari nuk ka parë investim me sy. Mëkat se si vend është shumë i bukur. Edhe një rrugë që bënë e çuan 10 vite e si përfundim qep e shqep e lanë. Qendra dhe rrugët e brendshme nuk dihet se sa vite kanë pa investime. Turistët vijnë kryesisht në fundjavë, jo shumë por vijnë” – i tha “Faktojes” Ligor Burdufi.
Nga vëzhgimi i Faktoje konstatuam rrugë të amortizuara deri në problematike, në brendësi të fshatit turistik.
Sikur të mos mjaftonte mungesa e investimeve, Gjinari “kërcënohej” edhe nga ndotja e shkaktuar nga njerëzit.
Më 7 nëntor 2019, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja njoftoi edhe projektin për rivitalizimin e Kodrës së Krastës.
“Një tjetër projekt është edhe rivitalizimi i Kodrës së Krastës, i cili përfshin Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Po ashtu edhe me mbështetjen e qeverisë Japoneze, një projekt shumë të madh i cili synon mbjelljen e shumë hapësirave bosh brenda parkut. Kjo për të garantuar gjelbërimin e plotë sipas të gjithë standardeve të parkut, mbushjen e parkut edhe me kënde sportive. Një tjetër projekt është edhe krijimi i një Lungo Fiume” – u shpreh Llatja.
“Faktoje”, thuajse një vit nga premtimi i kryebashkiakut Llatja ishte në Kodrën e Krastës, ku përtej mungesës së investimeve, sipërfaqa e pyllit kërcënohej nga mbetjet.
Nga verifikimi në terren, edhe në Kodrën e Krastës, përveç ndotjes, nuk konstatuam ndonjë shenjë për nisjen e ndonjë projekti zhvillues të zonës.
Premtimet e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deri më tani, lidhur me investimet në Gjinar dhe Krastë, pas përgjgigjeve zyrtare dhe vëzhgimit në terren, do i gategorizojmë si “Të Pambajtura”.