Kafeja gjatë shtatzanisë nuk ndikon në jetëgjatësinë e fëmijëve. Gjetjet e një studimi mbi konsumin e kafesë gjatë shtatzanisë janë shtrembëruar nga portalet, duke shpërndarë dizinformim.
Jona Plumbi
Ndodh shpesh në artikujt e publikuar në rrjet që titulli dhe brendia e lajmit nuk përputhen me njëri tjetrin. Kjo është shenja më e dukshme e atyre që kërkojnë të marrin sa më shumë klikime, jo përmes informimit të saktë por përmes lajmeve të bujshme dhe disinformimit. Ky është rasti i artikullit të publikuar nga “korrieri.com.al” me titullin që do shqetësonte çdo lexues: “Kujdes! Kafeja gjatë shtatzënisë mund të ndikojë në jetëgjatësinë e fëmijës tuaj”.
Në fakt, lajmi në brendi të tij citon një studim të publikuar në “JAMA Network Open”, i cili lidh pirjen e kafes nga gratë shtatzëna me gjatësinë e fëmijëve të tyre pas lindjes. Në asnjë moment, artikulli i publikuar nga “korrieri.com.al” nuk përmend jetëgjatësinë e fëmijëve, ashtu si thuhet në titull.
Lajmi tregon për gjetjet e një studimi , publikuar në 1 nëntor të këtij viti, ku matej gjatësia e fëmijëve të nënave që kanë pirë kafe gjatë shtatzanisë dhe atyre të cilat nuk kanë pirë kafe. Në një krahasim të shifrave, rezultoi se fëmijët e nënave që konsumuan kafenë gjatë shtatzanisë ishin më të shkurtër në shtat në vitet e para të jetës. Sigurisht, faktet për gjatësinë nuk kishin asnjë lidhje me jetëgjatësinë apo shëndetin në përgjithësi, ashtu si lajmëron bujshëm titulli i artikullit.
Shpërndarja e lajmeve me tituj alarmues, me qëllim mbledhjen e klikimeve për përfitime personale vijon të jetë praktikë e përhapur në portalet onlinë në vend.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin