BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTurqia nuk po përgatitet për një sulm ushtarak nga ShBA

Turqia nuk po përgatitet për një sulm ushtarak nga ShBA

Turqia nuk është duke u përgatitur për një sulm të pritshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç është lajmëruar në disa portale shqiptare së fundi. Opinioni i një ushtaraku turk në pension është transmetuar nga mediat si një zhvillim i vërtetë, duke ngjallur shqetësim të panevojshëm për lexuesit.

—————————————–

Një numër mediash online kanë paralajmëruar në fillim të tetorit se Turqia po bëhet gati për një sulm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Turqit bëhen gati? “Ushtria amerikane, gati të sulmojë Stambollin, në lojë edhe Izraeli me Greqinë” ngre alarmin titulli i përsëritur nga disa media dhe portale

Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se bëhet fjalë për një deklaratë nga një ish-admiral turk të përdorur nga media të papërgjegjshme për të mbledhur klikime me tituj alarmistë. Megjithatë, në brendësi të artikullit, lexuesi që e ka ngrënë karremin e titullit alarmist zbulon se bëhet fjalë për një teori të ish-admiralit të marinës turke, Cihat Yayci, i cili ishte intervistuar nga gazeta Sözcü. Gjatë intervistës, Yayci ka parashtruar teorinë se ShBA do të pushtojë Turqinë. Kjo teori përbëhet nga disa hapa. Sipas Yayci, ShBA fillimisht do të përjashtojë Turqinë nga NATO. Më pas, ShBA do të anëtarësojë në NATO Qipron dhe Izraelin, dhe do ta quajë Turqinë si pushtuese në Qipro. Si përfundim, ShBA do të përdorë nenin 5 të Traktatit të Atlantikut Verior (mbrojtjen kolektive) për të sulmuar Turqinë.

Siç pohon dhe vetë teksti i artikullit në mediat shqipfolëse, teoria e parashtruar nga Yayci është parë si përgatitje e opinionit publik përpara zgjedhjeve të pranverës 2023 në Turqi.

Yayci është një nga arkitektët e doktrinës turke të “Atdheut Blu” (Mavi Vatan) që synon të ringjallë një ndikim detar të Turqisë të ngjashëm me atë të perandorisë osmane. Kjo doktrinë i sheh ShBA dhe Europën si rivalë. 

Tituj që përsërisin në mënyrë jo kritike këtë teori konspiracioniste me qëllim mbledhjen e klikimeve kontribuojnë, dashur apo pa dashur, në shpërndarjen e panikut dhe propagandës politike.

Turqia është pjesë e NATO që në 1952. Ajo ka ushtrinë e dytë më të madhe në Aleancë, pas ShBA-së. Për më tepër, Traktati i Atlantikut Verior nuk ka një dispozitë që parashikon pezullimin e të drejtave të anëtarësimit, aq më pak një dispozitë që parashikon përjashtimin e një anëtari.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img