Ministria e Shëndetësisë dërgoi më në fund përgjigjen e detajuar se sa vaksina Pfizer, AstraZeneca, Corona Vac dhe Sputnik janë injektuar që nga nisja e procesit të vaksinimit anticovid. Ky informacion mungon në përditësimet zyrtare në Shqipëri, ndërsa në vendet fqinje si Italia ato përditësohen rregullisht. Faktoje e kishte kërkuar që në muajin shkurt këtë informacion në rrugë zyrtare, të domosdoshëm për transparencën ndaj publikut për një çështje madhore sic është shëndeti publik.
Qëkur nisi procesi i vaksinimit në 11 janar të këtij viti u ngritën shumë pikëpyetje mbi transparencën, ndërkohë që qeveria argumentoi se sekreti tregtar e ndalonte të jepte të dhëna mbi vaksinat e mbërritura anti covid. Që prej asaj kohe, Faktoje nisi monitorimin e këtj procesi, duke e krahasuar edhe me vendet e rajonit apo të Evropës, për mënyrën sesi informonte publikut lidhur me këtë çështje jetike të shëndetit publik. Ndër informacionet e munguara në raportimin zyrtar të MSH është numri i vaksinave të injektuara sipas kompanisë prodhuese.
*Screenshot i një njoftimi ditor të Ministrisë së Shëndetësisë ku mungon transparenca përsa i përket numrit të vaksinave të injektuara sipas kompanisë prodhuese në popullatë
Ndërkohë Italia ka një transparencë totale përsa i përket procesit të vaksinimit,ndryshe nga Shqipëria.
Screenshot i njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë Italiane ku tregohet numri i vaksinave të injektuara sipas kompanisë prodhuese në popullatë
Kërkesa e radhës për këtë çështje u dërgua nga Faktoje në 29 qershor.
Kërkesë për informacion dërguar MSH në 29 qershor 2021
Në 14 korrik në redaksinë e Faktojes mbërriti përgjigjja me numrin e vakisnave të injektuara sipas llojit, që prej nisjes së procesit, e përpiluar nga ISHP, pas delegimit të kërkesës për kompetencë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas përgjigjes zyrtare, deri në 29 qershor të këtij viti janë injektuar:
185 038 doza vaksine AstraZeneca
145 780 doza vaksine PfizerBioNtech-Comirnaty
584 252 doza vaksine Coronavac
40 428 doza vaksine Sputnik V
Sipas këtyre të dhënave, deri më 29 qershor rezultojnë 955 498 doza të injektuara, shifër e raportuar në përditësimin e faqes zyrtare të MSH më 30 qershor, por e padetajuar sipas llojit të vaksinës.
Bie në sy se më shumë se gjysma e injektimeve është bërë me vaksinën Coronavac, ende e pamiratuar nga EMA dhe FDA, çka përbën shqetësim për disa ekspertë.
Por përtej këtij debati, Faktoje e konsideron një hap përpara në transparencën e procesit të vaksinimit, përgjigjen e detajuar për llojin e vaksinave, një informacion që duhet të shfaqet edhe në përditësimin zyrtar të këtij institucioni.
Deri në marrjen e këtij informacioni, Faktoje kishte dërguar kërkesa të njëpasnjëshme prej muajit shkurt, por deri më sot ose nuk merrnim përgjigje, ose ato ishin të paplota.
Screenshot i kërkesës për llojin e vaksinave të injektuara, 12 shkurt 2021
Kërkesa zyrtare për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë me datë 20 maj
Përgjigjja e paplotë e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit
Më herët Faktoje konstatoi edhe disa mopërputhje mes numrit total të dozave të administruara të vaksinave gjithsej nga Shqipëria dhe atyre të injektura që raportohen nga qeveria. Nga verifikimi rezultoi se Shqipëria kishte injektuar më shumë doza sesa kishte administruar, por autoritetet zyrtare ende nuk kanë dhënë një shpjegim edhe pas interesimit të Faktoje.
*Fotoja e profilit e marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë