Imazhi ku shfaqet logoja e Universal Pictures së bashku me globin e Tokës në vitin 1927, përpara se Toka të fotografohej nga Nasa, po ngre pretendime që rrumbullakësia e planetit tonë është një konspiracion Hollivudian. “Faktoje” shpjegon se modele të Tokës së rrumbullakët, ose globet, janë përdorur që mijëra vjet më parë.
——————————————————
“Si e dinte Hollywood si dukej Toka përpara NASA?” pyet një imazh që po qarkullon nëpër hapësirat online që mbështesin teoritë konspiracioniste, përfshi edhe ato shqipfolëse.
Nga e dinte Hollywood si dukej Toka përpara NASA? “Imazh” i globit nga 1927, përpara atij të NASA në 1972
Imazhi tregon logon e kompanisë filmike Universal Pictures në vitin 1927, dhe ngre pyetjen se si ka mundësi që imazhi i globit në këtë logo i ka paraprirë fotos së globit nga 1972, të shkrepur nga ekuipazhi i anijes kozmike Apollo 13.
Në fakt, megjithëse foto e parë e planetit Tokë u shkrep në 1968, koncepti i globit apo i Tokës si glob është shumë më i vjetër.
Në fakt, që në shekullin V para Krishtit, mendimtarët grekë ishin të bindur se Toka ishte e rrumbullakët. Ky fakt vetëm sa erdhi duke u konfirmuar ndër shekuj nga shkencëtarë dhe mendimtarë të kulturave të ndryshme.
Modeli më i hershëm i njohur i Tokës sferike, ose globi i parë, u krijua në mesin e shekullit II para Krishtit, nga filozofi Krat i Mallusit.
Ndërkohë, globi më i vjetër që ka mbijetuar deri në kohët tona vjen u krijua gjatë viteve 1490-92 në Nuremberg nga Martin Behaim. Ai e quajti krijimin e tij “Erdapfel” që përkthehet në “Molla e Tokës”. Në këtë model nuk përfshihet kontinenti amerikan, sepse Kolombi ende nuk ishte kthyer nga Amerikat kur globi u krijua.
Erdapfel u krijua në 1492
Kështu, fakti që Universal Pictures ka përdorur globin tokësor në logon e tyre në vitin 1927, më shumë se 40 vite përpara se të shkrepej foto e parë e planetit nga hapësira, nuk është diçka e pazakontë. Kjo, sepse globi i Tokës ka mbi 2500 vite që njihet dhe përdoret nga njerëzit.