Pretendimi: Urologu i njohur shqiptar zbulon se mjekët kanë mashtruar meshkujt që donin të trajtonin inflamacionin e prostatës
Vlerësimi: E pavërtetë
Preparatet e ofruara në website online, me mjekë të rremë, nuk shërojnë prostatën, siç pretendohet në këto faqe. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore ku gjithçka ishte e sajuar me qëllim shitjen e produktit.
Online po qarkullojnë artikuj, ku pretendohet se ekziston një preparat që shëron prostatën, madje duke aluduar se mjekët shqiptarë po i torturojnë pacientët me metoda të vjetra.
“Praktikat mjekësore të mbetura nga shekulli i 19-të. Një urolog i njohur shqiptar ka treguar sesi mjekët kanë mashtruar meshkujt që donin të trajtonin inflamacionin e prostatës dhe ënjtjen e prostates”-raportohet në faqen online që jo më kot titullohet “Jetë e shëndetshme”.
Artikulli që qarkullon online
Artikulli është ndërtuar në formën e intervistës me një mjek, që quhet Dijon Elesi. Në shkrim theksohet se ai është urolog, akademik, shkencëtar.
Por, a është vërtetë ai mjek në sistemin tonë shëndetësor? Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të shkrimit, fillimisht duke kërkuar mbi mjekun në fjalë,
Nga kërkimi i bërë në listën e mjekëve shqiptarë, por edhe në faqen zyrtare të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk rezulton një specialist shëndeti me këtë emër.
Ne bëmë edhe një verifikim të imazhit të përdorur për mjekun në fjalë, ku rezulton se në fakt foto qarkullon në internet së paku që prej vitit 2021 dhe është një imazh i arkivave të fotove që shiten online me imazhe gjeneraliste. Pra, në këtë rast, intervista është e sajuar me mjekë të rremë, për ta bërë të besueshme për lexuesit online dhe për t’i nxitur që të blejnë produktin.
Në një sërë artikujsh të publikuar nga Faktoje, mjekët kanë këshilluar që të tregohet kujdes me përdorimin e këtyre suplementeve që shiten online, duke sugjeruar që paraprakisht të këshilloheni me mjekët specialistë.
Përsa i përket efektit shërues të trajtimit ndaj inflamacionit të prostatës, që reklamohet nëpërmjet këtij artikulli, Fondacioni Amerikan i Kujdesit Urologjik këshillon konsultë tek mjeku për të marrë një diagnozë të saktë prostatiti dhe, si rrjedhojë, trajtimin e duhur.
Marketingu i rremë dhe këshillat për t’iu mos besuar mjekëve, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, përbëjnë një shqetësim serioz në mediat sociale.