BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëMitat Tola: Për punë ditësh tabletat do të përdoren gjerësisht në rrugët e vendit

Mitat Tola: Për punë ditësh tabletat do të përdoren gjerësisht në rrugët e vendit

ANXHELA RUÇI

Inovacionet e teknologjisë kanë përfshirë edhe Policinë e Shtetit, më konkretisht Policinë Rrugore e cila më herët lajmëroi futjen në përdorim të tabletave. Me anë të këtyre pajisjeve, puna e efektivëve të rrugores parashikohet të jetë më e lehtë duke marrë parasysh kontrollin online të të dhënave të përdoruesit të mjetit. Në ekranin e vogël të tabletit me vendosjen e targës së mjetit do të shfaqen shumë të dhëna si; gjobat e pashlyera, pajisja ose jo me siguracion, kontrolli teknik, penalitete kriminale të pronarit të mjetit etj.

Në muajin shkurt të 2019-ës, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu shpërndau 250 tableta për punonjësit e Policisë Rrugore, pajisje të cilat sipas tij do të rrisnin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Në mesin e muajit mars drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mitat Tola njoftoi se për punë orësh apo ditësh këto tableta do të përdoreshin gjerësisht në rrugët e vendit.

“ Faza e parë konsiston me pajisjen e patrullave me 250 tableta, të cilat do të zëvendësojnë bllokun tradicional të gjobës. Puna përgatitore ka përfunduar. Jemi në fazën e fundit të kolaudimit dhe punë orësh apo punë ditësh, tabletat do të jenë në rrugë për t’u përdorur gjerësisht nga 250 patrullat e para ”, tha Tola për ATSH.

Çfarë ka ndodhur me përdorimin gjerësisht të këtyre tabletave ndërkohë që jemi në muajin prill?

Edhe pse kanë kaluar afërsisht 2 muaj nga shpërndarja e 250 tabletave së bashku me printerin dhe aksesorët e tjerë të cilat janë siguruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ato ende nuk janë vënë në punë gjerësisht.

Nga informacionet që “Faktoje” ka marrë në rrugë zyrtare me Policinë e Shtetit, thuhet se punonjësit e policisë janë trajnuar, janë pajisur me tableta por vënia në përdorim e këtyre mjeteve digjitale do të fillonte zyrtarisht ditët e para të muajit prill.

 E hënë 8 prill policët qarkullojnë me blloqet e gjobave

Një prej policëve rrugorë që kryen shërbimin e tij në Gjirokastër tha për “Faktoje” se patrullat rrugore në këtë qytet janë pajisur me rreth 10 tableta, por ato ende nuk janë vënë në përdorim.

Gjatë kësaj kohe (prill 2019), “Faktoje” ka bërë verifikim në terren dhe ka vërejtur se ende policët e qarkullimit rrugor përdorin metodën e vjetër të vendosjes së masave administrative nëpërmjet blloqeve ekzistente prej shumë kohësh.

 E premte 5 prill, gjobat vazhdojnë të jenë manuale dhe jo digjitale

Vetë Policia e Shtetit sqaron se 250 tabletat nuk mund të mbulojnë të gjithë shërbimin pasi Policia Rrugore ka shumë herë më shumë efektivë në terren të cilët operojnë në të gjitha rrugët e vendit. Për këtë arsye sipas tyre do të ketë një “bashkëjetesë” mes tabletave digjitale dhe blloqeve të gjobave tradicionale. Një gjë e tillë nuk përbën problem, por çështja është se kur do të vihen në punë tabletat siç deklaruan edhe përfaqësues të lartë të policisë.

Mesa duket teknologjia e re që do të sillte shpejtësi dhe cilësi nga ana e Policisë së Shtetit karshi qytetarëve ka mbetur në fazën e parë që është pajisja me tableta dhe trajnimi i policëve, ndërsa faza e dytë, ajo e përdorimit gjerësisht është ende “në udhë e sipër”.

Do të ishte mirë që nëse dikush nga lexuesit tanë por jo vetëm, merr një gjobë të vendosur dhe printuar nga pajisjet digjitale, të na njoftojë edhe ne që të bëjmë një artikull se deklarata e Mitat Tolas është e vërtetë ose një premtim i mbajtur. Deri atëherë, përdorimin gjerësisht të tabletave do ta klasifikojmë Gjysmë të Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img