BallinaPertejAeroporti i milionëve të grabitur ndër vite dhe një pikëpyetje e madhe për sigurinë

Aeroporti i milionëve të grabitur ndër vite dhe një pikëpyetje e madhe për sigurinë

MERXHAN DACI

Disa milionë euro u grabitën  në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” teksa disa persona hynë me forcë duke thyer perimetrin e sigurisë. Njëri prej grabitësve u vra ndërsa të tjerët humbën gjurmët bashkë me milionat e eurove. Ky nuk është rasti i parë kur në Rinas ka dështuar sistemi i sigurisë duke vënë në pikëpyetje të gjithë sigurinë e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

————————————————————————————————————————————————————-

Ditën e 9 prillit, rreth orës 15:00, teksa avioni i Austrian Airlines kishte ndezur motorët për të fluturuar drejt Vjenës, disa persona hynë me forcë në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza” dhe grabitën një shumë të konsiderueshme parash që po futeshin në avion për t’u transportuar drejt Austrisë. Një prej grabitësve, i identifikuar si Admir Murataj ka mbetur i vrarë gjatë ndjekjes nga policia.

Ende nuk është zyrtare shuma e grabitur por raportohet mes 2-10 milionë euro.

Grabitja u pa dhe u fototgrafua nga pasagjerët brenda në avion, të cilët kishin kujtuar se po ndodhte një stërvitje policore.

Megjithatë ky nuk është rasti i parë i grabitjes në territorin e aeroportit apo automjeteve që transportojnë para rrugës për në Rinas.

Rasti i parë i grabitjes ishte në 3 dhjetor të vitit 2015, ku në aksin rrugor Qafë-Kashar-Rinas u grabit me armë një makinë e blinduar që transportonte një shumë të konsiderueshme parash të një banke të nivelit të dytë.

30 qershor të vitit 2016 një shumë prej 990-mijë eurosh u grabitën nga disa persona të maskuar të cilët çanë rrethimin e aeroportit “Nënë Tereza”dhe hynë brenda territorit të pistës me një automjet “Benz-Mercedez”.

Rasti tjetër ka ndodhur më 9 shkurt të vitit 2017, përsëri në rrugën e Rinasit ku grabitësit morën 3,2 milionë euro duke i bërë pritë makinës së blinduar që po transportonte paratë drejt aeroportit.

Sa i sigurtë është Rinasi?

Të gjitha këto ngjarje vënë në dyshim trasportimin e parave në Shqipëri por edhe sigurinë e përgjithshme të Aeroportit të Rinasit, si porta më e madhe hyrëse ndërkombëtare e Shqipërisë.

E para që reagoi për grabitjen nga ekzekutivi ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila u shpreh se siguria e aeroportit ka rënë.

Duke folur për grabitjen e djeshme, eksperti i sigurisë Krenar Ahmeti në emisionin “Tempora” në Ora News tha se Aeroporti “Nënë Tereza”, ka qenë më i sigurtë në vitin 1997 sesa sot.

As në 1997, në ditët më të zeza, nuk ka qenë në gjendje më barkas aeroporti sesa sot, ndërkohë që ne pretendojmë se jemi siguri dhe policia është në parametrat e duhur. Në ’97 kur dihet si kemi qenë, aeroporti ka qenë shumë i sigurtë. Ata kanë marrë avionin peng”, deklaroi Ahmeti teksa shtoi se ky është një akt terrorist.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave tha për mediat se ngjarja është përtej imagjinatës dhe nëse nuk do të zbardhet e plotë do të frymëzojë grabitje të tjera. Ai shtoi se ka kërkuar marrjen e masave të sigurisë nga ana e koncesionarit që prej rastit të parë ku ndodhi grabitja e parave në territorin e Aeroportit “Nënë Tereza”, ndërsa kompania kishte kthyer përgjigje se masat e kërkuara janë marrë.

Mediat botërore si CNN, BBC apo Euronews shkruan për grabitjen e Rinasit duke e konsideruar grabitje spektakolare.

Për ngjarjen ka raportuar edhe Rrjeti Ndërkombëtar i Fluturimeve (International Flight Network).

Rastet e grabitjes së parave në aeroport kanë ndodhur edhe në vende të tjera po aq problematike sa Shqipëria në raport me sigurinë. Në 6 mars të 2018-ës, pesë persona thyen sigurinë e aeroportit të San Paolos në Brazil duke vjedhur 4 milionë euro nga avioni i kompanisë ajrore Lufthansa.

Foto e Cover: Top Channel

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img