.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMiss Amerika nuk është fituar nga një transgjinor

Miss Amerika nuk është fituar nga një transgjinor

Një nga mediumet më të ndjekura në rrjetet sociale shqipfolëse, JOQ Albania, ka botuar së fundmi një lajm që pretendon se konkursi i Miss Amerikës ishte fituar nga një mashkull transgjinor. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se nuk bëhet fjalë për titullin kombëtar Miss America, por për titullin e Miss Greater Derry.

————————————

Një video e publikuar nga JOQ Albania, e cila ka marrë mbi 50 mijë shikime, pretendon se “Miss Amerikën e fiton për herë të parë një mashkull transgjinor”. Sigurisht që ky lajm ka ngjallur shumë habi dhe komente nga lexuesit, disa të shqetësuar se “ku po shkon Bota”, e disa të tjerë që kanë nxituar që të fajësojnë politikat e caktuara për mbrojtjen e komunitetit LGBT në ShBA dhe Evropën Perëndimore. 

Video citon gjithashtu, Nguyen, fituesin transgjinor të ketë deklaruar se: “Në historinë 100-vjeçare të Miss Amerikës, unë jam bërë zyrtarisht titullarja e parë transgjinore brenda organizatës Miss Amerika. Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë ndjenjën e të paturit mundësinë për t’i shërbyer komunitetit tim dhe për të përfaqesuar komunitetin tim për herë të parë në Miss New Hampshire.” 

Për të vijuar më tej “Çuditërisht, interneti nuk mund të vendosë nëse ky është një hap fuqizues përpara për të drejtat e grave apo thjesht një djalë që i vjedh një bursë një vajze të re. Sido që të jetë, Miss Amerika po vihet nën kritika sepse rregullat e hyrjes thonë në mënyrë specifike se vetëm konkurentet e lindura femra kanë të drejta të marrin pjesë në konkurs, gjë që u mbështet nga një gjykatë federale së fundmi. është e paqartë nëse Nguyen do të lejohet të mbajë bursën prej 7500 dollarësh në vit.” 


Në të vërtetë, Brían Nguyen nuk ka fituar titullin Miss Amerika. Siç vetëpërshkruhet në Instagram dhe Facebook, Nguyen mban titullin Miss Greater Derry, një nënkonkurs i Miss New Hampshire, që është një nënkonkurs lokal i Miss Amerikës.

Profili në Instagram i Brian Nguyen

faqen zyrtare të Miss Greater Derry, përshkruhet se konkursi është një konkurs paraprak i konkurseve Miss New Hampshire dhe Miss Amerika.

Faqja zyrtare online e Miss Greater Derry

Pra, për t’u bërë Miss Amerika Nguyen do t’i duhej të fitonte konkursinë e bukurisë së New Hampshire, dhe më pas të konkurojë kundër përfaqësueseve nga të gjitha shtetet e ShBA dhe të fitojë konkursinë e bukurisë Miss Amerika.

Shformimi i këtij lajmi dukshëm ka si qëllim sensacionalizmin dhe nxitjen e zemërimit tek publiku. “Një mashkull transgjinor fiton një konkurs lokal bukurie” nuk tingëllon njësoj si “fiton Miss Amerikën,” e kështu ngjall më pak zemërim të çastit apo interes. Titulli sensacionalist i JOQ Albania, nga ana tjetër ka përmbushur qëllimin e tij duke tërhequr qindra komente, kryesisht negative, kundër komunitetit LGBT.

Disa nga komentet më të votuara në videon e JOQ Albania

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img