Amnistia fiskale, mekanizimi i propozuar nga maxhoranca, që sipas zotimit të kryeministrit, Edi Rama do duhej të miratohej në Parlament brenda këtij sesioni, u shty për në shtator. Nisma që parashikon legalizimin e të ardhurave të padeklaruara, më herët u kundërshtua nga ekspertë të ekonomisë dhe institucionet ndërkombëtare të monitorimit të parave. Përfaqësues të shumicës në komisionin e Ekonomisë e justifikuan shtyrjen e kësaj nisme me argumentin se duhen dëgjuar palët e interesit.
Kryeministri Edi Rama, pasi e hodhi si ide në sesionin e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste më 29 shkurt të këtij viti, prezantoi më gjerë Amnistinë Fiskale gjatë seancës plenare në Parlament më 2 mars.
Amnistia do të jetë fiskale dhe penale dhe do të votohet me 84 vota që nuk do të ketë shans të vijë njeri ta kthejë mbrapsht për arsye politike – argumentoi kryeministri Edi Rama.
Në një lidhje direkte në rrjetin social “Facebook”, më 20 prill, kryeministri Rama njoftoi se nisma do miratohej nga qeveria brenda asaj jave dhe më pas do kalonte për miratim në Parlament, me synimin që të votohej brenda muajit maj.
Një nismë me shumë rëndësi, që e kemi paralajmëruar disa kohë më parë, para se të futeshim në këtë situatë befasie dhe që tani, jemi gati që pasi ta kalojmë këtë javë në qeveri, t’ia cojmë parlamentit, të hapur për konsultime me të gjitha grupet e interesit. Që brenda një afati, uroj brenda majit parlamenti të mund ta miratojë – u shpreh kryeministri Rama.
Më 29 qershor, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, deklaroi se Amnistia Fiskale do miratohej brenda muajit korrik.
Amnistia fiskale do të dalë për aprovim brenda muajit korrik dhe zbatimi i tij do të jetë për një kohë të caktuar 9 muaj deri në 12 muaj sipas aprovimit që do të bëhet në aktin normativ dhe më tej me aprovimin në parlament. Është e nevojshme për ta adresuar amnistinë në fokus të bizneseve dhe kërkesat e tyre – u shpreh Denaj.
Por ndryshe nga sa ishte deklaruar, Komisioni i Ekonomisë vendosi të martën e 28 korrikut shtyrjen e miratimit të amnistisë për sesionin e ardhshëm.
Besoj se për të gjithë ne do ishte më e vlefshme që miratimi nen për nen dhe në tërësi për këtë pr.ligj të kalonte disa javë më vonë, sepse ka nevojë për reflektim dhe përshtypje nga të gjitha palët, sidomos nga palët që janë zbatues, nga bankat tregtare të nivelit të dytë – tha kryetarja e komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi.
Sigurisht marrja kohë dhe diskutimi në çështje të cilat nuk janë ezauruar ende të shikohet dhe nga ana e ministrisë me detaje dhe t’i jepnim me shkrim të gjithë tablonë e pyetjeve për të cilat, përtej konsultimeve publike që ne kemi marrë t’i adresonim edhe pyetjet e bëra – deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.
Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, I pyetur më herët nga Faktoje lidhur me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale, u shpreh se ajo paraqet një rrezik të lartë për korrupsion dhe pastrim të parave në kushtet ku ndodhet Shqipëria.