BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaSkadon afati i radhës, por spitali i Laçit nuk duket gjëkundi

Skadon afati i radhës, por spitali i Laçit nuk duket gjëkundi

Rindërtimi i spitalit është një nga nevojat më të mëdha që tërmeti i vitit 2019 shkaktoi në qytetin e Laçit. Për këtë ndërtesë shëndetësore që duhet të mbulojë nevojat e rreth 80 mijë banorëve, procesi zvarritet prej më shumë se 1 viti. Sipas premtimeve të kryeministrit Rama, rindërtimi i spitalit të Laçit duhej të kishte përfunduar në qershor të vitit 2020, ndërsa në shkurt të vitit 2021 ai premtoi një afat të ri, hapjen e spitalit brenda 4 muajve. Faktoje shkoi në terren ditën që skadoi edhe afati i radhës, por edhe këtë herë Laçin e gjetëm pa spital.

Më 16 shkurt të vitit 2021, kryeministri Rama kreu inspektimin e radhës në kantierin e spitalit së bashku me ministren e Shëndetësisë, zonjën Ogerta Manastirliu dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, zonjën Majlinda Cara. Në momentin e mbërritjes së kreut të ekzekutivit, në kantier ende po pastrohej sheshi i ndërtimit, edhe pse puna për këtë objekt shëndetësor duhej të kishte përfunduar, sipas zotimeve të mëparshme të qeverisë, në qershor të vitit 2020.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 shkurt 2021

Afati i ri që artikuloi zoti Rama më 16 shkurt, për ndërtimin e spitalit, ishte 4 muaj. Kryeministri u kërkoi përgjegjësve të ndërtimit që të punonin me 3 turne për ta përfunduar punën përpara afatit.

“Duhet të punoni 24 orë, me tre turne, që ta mbarojmë para afatit. Edhe është e mundur, se është një volum relativisht i vogël edhe me këtë teknologji besoj që kryhet me sukses.” – tha ai.

Spitali i Laçit, i cili do të realizohet me fondet e qeverisë shqiptare, do të ndërtohet me një sistem light steel (çelik i lehtë) dhe panele gipsi, në mënyrë që të përfundohet në një kohë sa më të shkurtër.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 shkurt 2021

“Ky investim është i shumëpritur për komunitetin kryeministër dhe të falenderoj pa masë për pjesën e spitalit. Në fakt firmat duhet të punojnë 24 orë dhe në fakt këtë firmë unë nuk do ta lë asnjë ditë e natë pa iu ardh këtu, sepse është investimi më i domosdoshëm për qytetarët edhe në kohë pandemie. “- u shpreh kryebashkiakja e Kurbinit, zonja Majlinda Cara në 16 shkurt, gjatë bisedës me kryeministrin Rama.

Më 16 qershor 2021, ose 4 muaj pas zotimit të radhës, Faktoje shkoi në qytetin e Laçit për të verifikuar këtë premtim. Situata që gjetëm në terren dëshmonte se përfundimi i punimeve dhe hapja e spitalit të Laçit donte ende kohë të ndodhte.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 qershor 2021

Ne u përpoqëm të bisedonim me inxhinerët përgjegjës, për të kuptuar arsyet e vonesës së rindërtimit dhe shkeljes së afateve, por ata refuzuan të flasin për Faktoje.

“Ne nuk kemi autorizim për të folur.” – tha njëri prej tyre.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 qershor 2021

Më pas u drejtuam në zyrat e Bashkisë Kurbin, ku biseduam me personin përgjegjës për procesin e rindërtimit pranë kësaj bashkie. Pavarësisht se kryebashkiakja Majlinda Cara ishte shprehur se do të ndiqte këtë proces  personalisht, ne u përcollëm për tek Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk mund të japim dot informacion, sepse nuk është aset i joni. Ministria e Shëndetësisë është njësi zbatuese dhe për gjithçka duhet t’iu drejtohesh atyre”, – tha përfaqësuesi i Bashkisë Kurbin.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 qershor 2021

Më pas, Faktoje iu drejtua zëdhënëses për mediat të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilën e pyeti se kur do të përfundojë rindërtimi i spitalit të Laçit.

Biseda në whatsapp me zëdhënësen e medias së Ministrisë së Shëndetësisë, 16 qershor 2021

Pas përgjigjes se duhej t’i drejtoheshim zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë, ne dërguam një kërkesë për informacion dhe jemi në pritje për një përgjigje shteruese.

Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, 16 qershor 2021

Pavarësisht si do jetë përgjigjja, verifikimi në terren për premtimin e kryeministrit se spitali i Laçit do të hapte dyert, tregoi se ai nuk u mbajt, për të dytën herë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img