BallinaPertejRikthimi i papritur i abonesë së përgjithshme në Tiranë, çoroditje dhe ulje e pakontrolluar e çmimit

Rikthimi i papritur i abonesë së përgjithshme në Tiranë, çoroditje dhe ulje e pakontrolluar e çmimit

Bashkia e Tiranës riktheu abonenë e përgjithshme në transportin urban, pak javë nga pezullimi i saj, një vendim që ndikoi në xhepat e rreth 50 mijë qytetarëve që përdorin çdo ditë këtë transport. Faktoje nuk mori përgjigje zyrtare për këtë vendim të menjëhershëm të Bashkisë, por nga verifikimi në terren konstatoi se abonetë e përgjithshme u shitën me çmime të reduktuara, me gjysmën apo dhe një të tretën e vlerës, ndërkohë që qytetarët kanë qenë mosbesues dhe të çoroditur përballë këtij ndryshimi.


Në 28 qershor, rreth 3 javë nga pezullimi i abonesë së përgjithshme të transportit urban në kryeqytet, bashkia e Tiranës me një vendim të këshillit bashkiak në fund të muajit qershor, vendosi ta rikthejë atë në treg.

Screenshot nga vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës që tregon shfuqizimin e vendimit për heqjen e abonesë së përgjithshme

Ky vendim erdhi papritur, pasi në 31 maj, përmes një njoftimi, ky institucion  njoftoi se abonjea do të pezullohej për 3 muaj, deri në shtator, me qëllim kryerjen e një studimi për përmirësimin e shërbimit në transportin urban.

Screenshot i njoftimit zyrtar i Bashkisë Tiranë, datë 31 maj 2021

“Aboneja e përgjithshme e transportit publik do të hiqet nga qarkullimi vetëm për një periudhë të përkohshme 3 mujore (Qershor, Korrik, Gusht), me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit, si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave, frekuencat, kushtet e shërbimit, gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit.”- thuhej ndër të tjera në njoftimin e bashkisë për heqjen e abonesë së përgjithshme në fund të muajit maj.

Me rikthimin e papritur të abonesë, ende pa përfunduar muaji i parë i studimit të trgut nga bashkia, Faktoje u interesua përmes një kërkese zyrtare për informacion duke e pyetur këtë institucion se cilat ishin arsyet që rikthyen abonenë e përgjithshme në treg para përfundimit të fazës 3 mujore të studimit.

Kërkesa zyrtare për informacion dërguar Bashkisë Tiranë

Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga ky institucion.

Çfarë solli rikthimi i papritur i abonesë së përgjithshme në treg?

Faktoje bëri një vëzhgim në ditët e para të korrikut, pranë disa pikave të shitjes së aboneve dhe linjat kryesore të transportit urban në kryeqytet. Ne konstatuam se aboneja e përgjithshme e cila kushton 1600 lekë të reja, u shit me gjysmën apo edhe 1/3 e çmimit normal.

Sipas faturinove dhe shitësve nëpër kioska, kjo vinte për shkak se dy linja të transportit urban po i shisnin me çmim më të ulët këto lloj abonesh.

Foto e abonesë së përgjithshme së muajit korrik 2021  

“Kombinati nuk ka punuar 5 muaj dhe prandaj po shet abone pa fitim, kështu kanë filluar dhe të tjerët duke ulur çmimet”-u shpreh për Faktojen një faturino i linjës së Kombinatit.

Një faturino i linjës së Saukut tregon:

“Linja e Saukut po i shet pa asnjë lloj fitimi e kështu kanë ulur çmimet dhe linjat e tjera. Tani normal që do i ulin se qytetarët pse do shkojnë të marrin një abone 1600 lekë kur mund ta marrin 600 lekë, e njëjta abone është, të njëjtën punë bën”.

Të gjendur përballë këtij fakti, së pari vendimit të menjëhershëm të bashkisë për rikthimin e abonesë së prgjithshme dhe çmimit të ulur, qytetarët kanë hezituar.

“A bëjnë punë kur unë të hyp nëpër urbane, se mos më dalin false”-dëgjohet një zotëri rreth të 60-ve, ndërkohë që pyet personat që po shesin abonetë e përgjithshme me çmim të reduktuar në qendër të Tiranës.

Në foto e shkrepur me datë 2 korrik,ndërsa një qytetar  blen një abone të  përgjithshme me 600 lekë, në qendër të Tiranës.

Një tjetër qytetare thotë për Faktoje:

“Po më duket si Viti i Ri, sikur po shesin gjela deti, fillon njëri hajde abone e përgjithshme 600 lekë të reja, sa mbaron ky fillon tjetri, ejani abone të përgjithshme 1000 lekë të reja. Uroj që të mos sjellë konflikte mes njerëzve ky çrregullim i çmimeve në treg”.

Në foto e një faturinoje që shet abone të përgjithshme në qendër të Tiranës

Faktoje kontaktoi me Bashkinë e Tiranës për të ditur arsyen e uljes së çmimit të abonesë së përgjithshme dhe nëse po monitorohej kjo çoroditje e çmimit, por nuk mori asnjë përgjigje.

Pezullimi i abonesë së përgjithshme me vendimin e bashkisë Tiranë siç raportoi Faktoje në fillim të muajit qershor, afektoi rreth 50 mijë qytetarë, sidomos ata që përdorin më shumë se një linjë urbani dhe të cilëve u duhej të shpenzonin më shumë para për blerjen e aboneve të linjave të veçanta.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img