ANXHELA RUÇI INVA HASANALIAJ
Licensat e dhëna për transportin ndërqytetas nuk janë shfuqizuar, ndryshe nga çfarë deklaroi në dhjetor të vitit të kaluar ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri.
Në udhëzimin që mban datën 5 dhjetor 2017 thuhet se janë shfuqizuar 90 linja autobusësh, të dhëna me urdhër të ish-ministrit të këtij dikasteri, Sokol Dervishaj.
Ministria dhe Shoqata e Transportit Ndërqytetas në të njëjtën linjë
“Faktoje” komunikoi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të mësuar se në cilën fazë ndodhej ekzekutimi i udhëzimit. Në dokumentin e paraqitur, data 4 janar 2018 do të shënonte afatin e fundit për dorëzimin e licensave, gjë që do do t’i jepte fund mbivendosjeve të linjave apo orareve paralele, të cilat kanë hapur jo pak probleme në Transportin Ndërqytetas.
Në një intervistë dhënë për Faktoje, Kujtim Mema, kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas u shpreh se: “Ministri aktual i shfuqizoi këto linja faktikisht, megjithatë ka shumë punë për të bërë.”
‘’Nga e thëna në të bërë, na ndan në mes nje det i tërë’’
Pas komunikimeve zyrtare, hapi i radhës që “Faktoje” ndërmori ishte komunikimi i drejtëpërdrejtë me shoferët e linjave ndërqytetase në terminalin e jugut dhe atë të veriut. Informacionet e grumbulluara në terren, rrëzuan pretendimin e Ministrisë sipas së cilës licensat ishin pezulluar.
Shoferët e autobusëve që udhëtonin drejt jugut të Shqipërisë thanë se as ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte me licensat e disa subjekteve. Kjo për faktin se ata një ditë lejoheshin të parkoheshin në terminal, e një ditë tjetër nuk lejoheshin, konfuzion që zgjaste prej disa ditësh.
Në po të njëjtin terminal, “Faktoje” siguroi një urdhëzim të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Gentian Këri. Në dokument, kompanisë që administron terminalin e jugut “Tirana Parking” i kërkohet të mos u krijojë asnjë pengesë subjekteve të licensuara, pasi nuk ka asnjë shfuqizim, ndryshe nga vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare.
Si për ironi, në të njëjtën ditë që është shpërndarë ky urdhër në terminal, ministri Gjiknuri në një intervistë televizive pohoi se shfuqizimi kishte përfunduar. “Që me marrjen e detyrës time, unë kam ngritur një grup pune i cili evidentoi të gjitha ato licensa të dhëna në kundërshtim me ligjin. Ju e dini, e keni marrë vesh edhe publikisht që një pjesë e tyre janë anulluar”,- tha Gjiknuri.
Ndërsa në terminalin e Veriut linjat paralele vazhdonin të operonin normalisht, duke vendosur linjat ekzistuese përballë një konkurence të pandershme. Një nga shoferët e linjës Burrel-Tiranë Asim Terziu, tha për “Faktoje” se dita-ditës linja Kamëz-Tiranë, merr pasagjerët që duhet të udhëtojnë me linjën e tij. Kjo linjë (Kamëz – Tiranë) duhet të ishte shfuqizuar me urdhrin e ministrit Damian Gjiknuri, por ajo vazhdon ende të operojë.
Po në terminalin e veriut, problem tjetër është mbivendosja e orareve. Pasagjerët që udhëtojnë drejt Tropojës megjithëse janë të paktë, duhet të zgjedhin midis 3 subjekteve të cilët kanë pothuajse të njëjtin orar, problem ky që duhet të zgjidhej me shfuqizimin e licencave.
Dhe pse sipas ligjit 90 liçensat janë shfuqizuar, problemet në terminalet e Transportit Ndërqytetas janë ende shqetësuese. Anomalia nis në Ministri, ku kreu i këtij institucioni jep një urdhër shfuqizimi, ndërkohë nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm jep një tjetër urdhër që procesi të vazhdojë normalisht pasi nuk ka asnjë shfuqizim, ndryshe nga udhëzimi i ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës. Duke parë dhe situatën në terren lajmin për shfuqizimin e licensave do ta klasifikojmë GËNJESHTËR duke shpresuar në gjetjen e gjuhës së përbashkët të institucioneve për këtë çështje jo pak të rëndësishme.