BallinaDeklarataBasha: Dako bashkëpunoi me grupet kriminale për blerjen e votave

Basha: Dako bashkëpunoi me grupet kriminale për blerjen e votave

INVA HASANALIAJ

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, u bë protagonist i akuzave të artikuluara nga kreu i PD  Lulzim Basha që kishin të bënin kryesisht me përfshirjen e Dakos në blerjen e votave gjatë fushatës elektorale të qershorit të vitit që lamë pas. Sipas Bashës, një gjë e tillë është bërë në bashkëpunim me grupet kriminale ndërsa shtoi se akuzat i mbështeste në faktet që i dispononte Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe partnerët ndërkombëtarë. 

Megjithatë, në asnjë rast gjatë deklaratës kreu i opozitës nuk citon burimin e këtij informacioni. 

“Vangjush Dako, është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, ku i kërkon të vjedhin dhe blejnë votat për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017. Shërbimet inteligjente, përfshirë edhe ato të vendeve partnere, e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon,” deklaroi Basha në një dalje për mediat gjatë 2018-ës.  

Pas kontakteve që Faktoje pati me zyrën për shtyp në PD për të mësuar burimin e informacionit, ata na adresuan Prokurorinë si institucionin e vetëm i cili mund të na përgjigjej për këtë çështje. 

Prokuroria nuk reagoi në asnjë formë zyrtare për këtë çështje. “Faktoje” kontaktoi me zëdhënësin e këtij institucioni por nuk mori asnjë përgjigjje. 

Ndërkohë, nisur nga deklarata e kryeopozitarit se SHISH ishte në dijeni të këtij fakti, ne kontaktuam me këtë të fundit për të mësuar burimin e informacionit për akuzën. 

Zëvendësdrejtori i SHISH, Helidon Bendo nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare drejtuar “Faktoje” shpjegoi se,  ky institucion është i depolitizuar dhe nuk informon partitë politike. Po ashtu ai tha se, në momentin kur institucioni që ai drejton krijon bindjen për shkelje të ligjit, informon institucionet përkatëse ligjzbatuese duke mbrojtur burimet dhe metodat informative. 

“Drejtori i SHISH në zbatim të ligjit të mësipërm informon dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe Kryeministri për probleme që lidhen me sigurimin ndërkombëtar dhe në asnjë rast nuk informon partitë politike të ndryshme mbi informacionet që ai disponon”– thuhet në përgjigje. 

Rrjedhimisht, kjo deklaratë e bërë nga kreu i Partisë Demokratike, nuk ka një burim informacioni konkret në të cilin mund të mbështetet, duke e lënë atë në kuadrin e sulmeve politike. 

Nga ana tjetër, Vangjush Dako reagoi ndaj akuzave të bëra nga kreu i PD. Përmes një statusi në Facebook ai bëri të ditur se kishte vendosur ta çonte në gjyq Bashën për shpifje. 

“Kam vendosur ta çoj në gjyq Lulzim Bashën, si një shpifës profesionist që e ka kaluar cakun e tolerancës time. Ky njeri që gënjen sy për sy kë t’i dalë përpara, një i paaftë që si kryetar bashkie la kokrrën e namit me paaftësinë e me gënjeshtrat e tij dhe si kryetar i opozitës e ka bërë qesharake PD-në, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për shumë gjëra,” shkroi Dako. 

Duke përballur këto përgjigje apo verifikime faktesh, rezulton se deklarata e Bashës nuk është bazuar në fakte konkrete, ose te paktën ne nuk na u mundësua njohja me to, gjithmonë nëse ekzistojnë, dhe një gjë e tillë, krijon dyshime për vërtetësinë e lajmit.  Duke qenë se një lajm i tillë nuk mund të klasifikohet as i vërtetë e as gënjeshtër, do ta përcaktojmë si PA KATEGORI.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img