Ministri gjerman i Shëndetësisë nuk ka pranuar së fundmi pasojat e shkaktuara nga vaksinimi ndaj Covid-19. Faktoje verifikoi se fjala e ministrit është nxjerrë jashtë kontekstit gjatë një interviste në televizionin gjerman ZDF.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë shpërndarë një video të ministrit gjerman të Shëndetësisë, Karl Lauterbach, ku pretendohet se ai ka deklaruar se vaksinat e Covid-19 janë të rrezikshme dhe shkaktojnë efekte anësore serioze.
“Për herë të parë ministri Shëndetësisë së Gjermanisë Karl Lauterbach pranon publikisht se Qeveria njeh zyrtarisht efektet anësore, të cilat shkaktuan vaxinat kundër k@vidit”, shkruhet në postimet e shpërndara në rrjetet sociale.
Ky postim vjen në të njëjtën kohë që në Gjermani janë ngritur rreth 200 padi civile ndaj prodhuesve të vaksinave nga qytetarë që pretendojnë se janë dëmtuar dhe kanë pasur pasoja nga vaksinimi.
Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Video e shpërndarë në rrjetet sociale në format të cunguar, është në gjuhën gjermane dhe me titra në greqisht, por gjatë një kërkimi në internet arritëm të gjenim intervistën e plotë të zotit Lauterbach, me titra në anglisht.
Intervista me ministrin e Shëndetësisë është publikuar nga rrjeti gjerman ZDF më 12 mars të këtij viti. Nëse do shohim të gjithë videon, vihet re se nis me disa ankesa të qytetarëve në lidhje me efektet e vaksinave dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria.
Moderatori i kërkon një koment ministrit mbi rastet dhe këto akuza për mungesë mbështetje, teksa ky i fundit shpreh keqardhjen për rastet, duke shtuar: “Ata kanë aftësi të kufizuara shumë të rënda, disa prej të cilave do të jenë të përhershme”.
Më tej gjatë intervistës, saktësisht në minutën e 9:51 sekonda, ai thekson: “Sipas të dhënave më të fundit kërkimore, dëmtimet e rënda nga vaksina janë të rralla. Provat janë më pak se një rast në 10 mijë vaksinime. Kështu që dëmet nuk janë të zakonshme”.
Mirëpo, video e bërë virale në rrjetet sociale e ka nxjerrë nga konteksti fjalën e ministrit. Pjesa ku ai shpreh keqardhje, është përgjigje për akuzën që sistemi shëndetësor nuk ka ofruar mbështetje për pacientët dhe jo një keqardhje për fushatat e detyrueshme të vaksinimit nga Covid. Ndërsa teksti që shoqëron postimin dizinformon, pasi Ministri gjerman i Shëndetësisë ka deklaruar se efektet anësore janë të rralla.
Studimet e shumta kanë vërtetuar se vaksinimi redukton shtrimet në spital, por kjo duket se nuk u leverdis aktivistëve anti-vaksinim, të cilët përpiqen që të shpërndajnë informacione të rreme mbi vaksinimin.
Edhe studimet amerikane e britanike kanë provuar se vaksinat mbrojnë kundër COVID-it afatgjatë.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë lajmet e rreme të shpërndara nga grupet anti-vaksinim me qëllim uljen e besueshmërisë për sa i përket efektivitetit të vaksinave kundër Covid-19.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin