Vdekja e mbretëreshës Elizabeth II më 8 shtator vazhdon të nxisë teori konspirative. “Studiuesja” e shkencave okulte, Pranvera Xhafa pretendoi, në një emision televiziv se mbretëresha kishte vdekur kohë më parë, dhe ishte zëvendësuar nga një klon. “Faktoje” zgjodhi të analizojë deklaratën, në dukje qesharake, si shembull për të demonstruar si përgënjeshtrohen teoritë konspirative.
Patris Pustina
Portale të ndryshme po i bëjnë jehonë online teorive nga më të çuditshmet për vdekjen e mbretëreshës britanike. Një nga këto portale ka zgjedhur të lajmërojë zbulimin e provave bindëse se mbretëresha ishte e klonuar duke cituar edhe një studiuese shqiptare. Në fakt, lajmi trajton me seriozitetin e një studimi shkencor, shfaqjen në emisionin televiziv “Shqipëria Live” të znj. Pranvera Xhafa, e cila e prezanton veten si studiuese e shkencave okulte.
Emisioni ku është shfaqur zonja Xhafa transmetohet gjatë ditës, pra audienca e tij përfshin persona që nuk punojnë gjatë ditës, si gra shtëpiake dhe të moshuar. Kjo pjesë e publikut është veçanërisht vulnerabël ndaj lajmeve të rreme, dizinformimit dhe teorive konspirative, edhe për faktin se mënyra e jetesës që i lejon të ndjekin një emision të tillë do të thotë se kontaktet e tyre me botën e jashtme mund të jenë të limituara. Kështu, i vetmi informacion për botën për këto grupe vjen nga televizioni dhe është e nevojshme që teoritë konspirative, apo tema të debatueshme të ngjashme, të shoqërohen me seriozitetin e duhur nga gazetarët si në televizion ashtu edhe në portalet që i bëjnë jehonë për klikime.
Dhe ajo çka u servir lë për të dëshiruar. Kështu, më 9 shtator, Pranvera Xhafa deklaroi për shikuesit: “Dalëngadalë do të shikoni ngjarje që nuk i keni parë më parë, por edhe personazhe që nuk kanë qenë vërtetë realë, ose që kanë vdekur më përpara se të shpallen të vdekur, siç është rasti i mbretëreshës. […] [Mbretëresha] ka vdekur më përpara se sot, ose se ditën që e kanë shpallur. […] Sikur mbretëresha, ashtu edhe shumë personazhe të tjerë VIP ose liderë, kanë aktorët e vet, po ashtu edhe klonët e vet që të paktën janë shfaqur që pas viteve 2000 në skenën e elitës botërore. […] Shpeshherë, kur personazhet janë të pamundur të shfaqen fizikisht, ata përdorin klonet e tyre.”
Xhafa shtoi se, krahas mbretëreshës, Papa Francesco dhe presidenti amerikan Joe Biden kanë vdekur dhe janë zëvendësuar në shfaqjet e tyre publike nga klone.
Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Por, si zakonisht, zonja Xhafa nuk paraqet asnjë provë.
Në realitetin tonë, klonimi i një personi do të thotë krijimi i një kopje gjenetike identike të tij. Deri më tani, askush nuk ka arritur të provojë shkencërisht se klonimi i njeriut ka ndodhur ndonjëherë. Klonimi i njerëzve është i vështirë qoftë për arsye shkencore, që kanë të bëjnë me strukturën e vezëve të njeriut, si dhe për arsye logjistike. Klonimi i gjitarëve, në ditët e sotme, ka 10-20% shanse të jetë i suksesshëm. Kjo do të thotë se, një përpjekje për të klonuar një qenie njerëzore do të kishte nevojë për një numër të madh vezësh dhe nëna surrogate ku do të rriten embrionet potenciale.
Por, edhe nëse e marrim të mirëqenë se pushteti dhe pasuria e familjes mbretërore kanë arritur t’i kapërcejnë pengesat e mësipërme. Kloni i mbretëreshës, që pretendohet se ka zëvendësuar Elizabeth pas vdekjes, do të duhej të ishte në të njejtën moshë me mbretëreshën. Duke marrë parasysh që mbretëresha ka lindur në vitin 1926 kjo duket diçka e vështirë të ishte një realitet për atë periudhë. Klonimi i parë i një gjitari, deles Dolly, ndodhi 70 vite më pas, në vitin 1996. Vështirë të besohet se shkenca e viteve 1920, qoftë edhe ajo dedikuar familjes mbretërore, ka mundur të krijojë një klon të bebes Elizabeth.
Kështu, me anë të disa njohurive bazë mbi biologjinë, një aritmetike të thjeshtë, dhe një ushtrim minimal të logjikës, mund të hedhim poshtë lehtë teorinë konspirative të klonimit të mbretëreshës. Megjithatë, kjo nuk duhet të shpërqendrojë nga parimi se, përgjegjësia për të dhënë prova bie mbi personin që po bën pretendimin. Në fjalët e shkrimtarit Christopher Hitchens, çka mund të pohoet pa prova, mund edhe të shpërfillet pa prova.