BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëGjysmë e vërteta e Ramës për vaksinat e dhuruara nga Turqia

Gjysmë e vërteta e Ramës për vaksinat e dhuruara nga Turqia

Vaksinat anticovid të dhuruara nga Turqia gjatë pandemisë së COVID 19, u kthyen në qendër të vëmendjes në mediat shqiptare gjatë fundit të gushtit. Sipas deklaratës së kryeministrit Rama, gjatë Forumit Strategjik të Bled-it, në Slloveni  nëse nuk do të ishte për Erdoganin, Shqipëria do të kishte shumë më tepër fatalitete. Faktoje verifikoi se, edhe pse Turqia ishte e para që ndihmoi Shqipërinë me vaksina, sërish nuk e lë prapa edhe kontributin e BE që solli mbi 1 milion vaksina gjatë periudhës së COVID 19 për Shqipërinë.

Barbara Halla

“Për vaksinat Serbia iu drejtua Kinës dhe Rusisë, ne vrapuam drejt Turqisë, po të mos ishte Erdogan do kishim më shumë fatalitete. Ky është realiteti, shpresoj që Europa të nxjerrë mësimet e veta,” tha kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi në Forumin e 17-të Strategjik që u mbajt në Bled të Sllovenisë më 29-30 gusht.

Rama e përdori këtë fjalim si për të lartësuar Turqinë, por edhe për të kritikuar Bashkimin Europian, duke shtuar se “Bashkimi Europian [duhet] të mos e përsërisë gabimin e turpshëm që thjesht i shpërndanë vaksinat njëri-tjetrit dhe na harrojnë plotësisht”.

Mediat turke nuk vonuan ta përdorin këtë fjalim të Ramës si propagandë pro-Turke. Siç u raportua gjerësisht nga mediat shqiptare, portali turk Haber7 shkroi: “Fjalët e ashpra të Edi Ramës për BE-në, mirënjohje Turqisë!”

Burim: BalkanWeb

Pohimet e Ramës janë gjysmë të vërteta: nga një anë, është e vërtetë se Turqia qe nga të parat që dhuroi dhe ofroi vaksina për vendet e treta si Shqipëria. Megjithatë, edhe Bashkimi Europian ka luajtur një rol vendimtar në vaksinimin e popullsisë në vendet e varfëra, duke dhuruar qindra miliona vaksina që nga vera e vitit 2021.

Ndihma e Turqisë ndaj Shqipërisë

Përsa i përket ndihmës së Turqisë, është e vërtetë se ky shtet qe ndër të parët që furnizoi Shqipërinë me vaksina. Shqipëria e filloi vaksinimin e popullsisë në mars 2021. Më 25 mars, rreth 192 mijë vaksina Coronavac të prodhuara nga kompania kineze Sinovac mbërritën në Shqipëri përmes Stambollit, së bashku me 90 mijë vaksina të tjera të dhuruara përmes skemës COVAX dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Burim: Anadolu Agency

Po atë ditë, Rama deklaroi se kishte arritur marrëveshje me kompani turke për përfitimin e mbi 1 milion vaksinave të tjera.

“Kemi siguruar 1 milionë vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysmë milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë. Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim.”- tha Rama.

Faktoje ka raportuar ardhjen e 500 mijë vaksinave në Shqipëri në prill të 2021, për të cilat qeveria pagoi 10 milionë dollarë. Në maj 2021, qeveria shqiptare lidhi një kontratë me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret A.s”. Detajet e kësaj kontrate — si numri i vaksinave të porositura, apo çmimi i tyre—mbetën sekret. Kjo kontratë u bë për një vaksinë të prodhuar në Turqi, pasi Sinovac ndaloi prodhimin e të vetës.  

Faktoje iu drejtua së fundi me kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ambasadës turke, në lidhje me sasinë e vaksinave që shteti turk ka sjellë në Shqipëri, që prej nisjes së pandemisë deri më sot, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi një përgjigje.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 12 shtator 2022

Kërkesa për informacion dërguar Ambasadës turke në Tiranë, 13 shtator 2022

Ndër muaj, vaksinat kineze (që për më tepër, paketoheshin në Turqi sipas një hetimi të Faktoje), u zëvendësuan nga ato Pfizer për të cilat qeveria shqiptare ka firmosur marrëveshje të tjera.

Ndërkohë, në dhjetor 2021, Turqia filloi të prodhonte masivisht vaksinën e saj, Turkovac mbas shumë vonesave dhe e ka aprovuar për përdorim në raste emergjence. Presidenti RexhepTaip Erdogan ka premtuar 15 milionë doza ndaj vendeve afrikane. Në maj 2022, Banka Botërore i dha Turqisë një hua prej 500 milionë USD për të vazhduar përpjekjet kundër COVID-19, duke përfshirë prodhimin e mëtejshëm të Turkovac. Por nuk dihet nëse pritet që doza të Turkovac të përdoren në Shqipëri.

Sa Vaksina Dhuroi BE-ja për Shqipërinë?

Faktoje kontaktoi zyrën e BE-së në Shqipëri për të marrë të dhëna të sakta mbi ndihmën e dhuruar prej Bashkimit Europian gjatë pandemisë. Në përgjigjen e 9 shtatorit 2022, ata shkruajnë:

“Gjatë pandemisë COVID 19, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj reaguan menjëherë për ta ndihmuar Shqipërinë të mbronte popullin e saj duke dhuruar 1.078.310 vaksina.”

Këto vaksina u bënë të mundura së pari falë një granti prej 9.5 milion eurosh që i lejoi qeverisë shqiptare të blente vaksina nga vendet e BE-së. Kjo përfshin 518.310 vaksina Pfizer të ardhura nga Austria dhe Portugalia.

Pjesa tjetër e vaksinave qenë donacione të drejtpërdrejta, si dhe vaksina të furnizuara nëpërmjet skemës COVAX.

“Me mënyrën e dytë, qeveria daneze dhuroi 250.000 vaksina Astra Zeneca në korrik 2021, Greqia dhuroi 100.000 vaksina Astra Zeneca në 2021 dhe Letonia dhuroi 30.000 doza vaksinash Astra Zeneca. Në kuadër të strukturës COVAX, 180.000 doza vaksinash Astra Zeneca janë dhuruar nga Italia,” shkruan perfaqësia e BE-së në Tiranë.

Turqia si Donatore në Kontekstin Botëror

Të dhënat mbi zemërgjerësinë e Turqisë mbështeten kryesisht nga portale pro-qeverisë turke, apo agjencitë e lajmeve shtetërore. Për shembull, gazeta pro-qeveritare Daily Sabah ka shkruar se Turqia ka dhënë ndihma për më shumë se 131 shtete, që nga vaksinat deri tek testet për COVID dhe veshjet mbrojtëse për personelin e spitaleve. Por ky artikull nuk jep asnjë burim konkret që lidhet me qeverinë dhe një hetim nga ana e Faktoje nuk gjeti burime të besueshme për këto të dhëna.

Turqia nuk shfaqet në listën e donatorëve më të mëdhenj të skemës COVAX, sipas faqes Our World in Data. Për më tepër, të dhënat tregojnë se vendi i dytë në këtë renditje i përket Bashkimit Europian, i cili parakalohet vetëm nga Shtetet e Bashkuara.

Burim: Our World in Data

Edhe sipas matësit Launch & Scale, i cili menaxhohet nga universiteti Duke në SHBA, Turqia nuk i përket 10 vendeve me numrin më të lartë të donacioneve.

Burim: Duke Global Health Innovation Center

Turqia qëndron në një pozicion shumë modest, me rreth 976,000 vaksina të dhuruara — më pak sesa Kroacia, Sllovenia, apo edhe kompania Sinovac vetë.

Burim: Duke Global Health Innovation Center

Gjithsesi, edhe përse Bashkimi Europian ka dhuruar me qindra miliona doza vaksinash, qëndron gjithsesi në një pozicion të parehatshëm—sidomos përkundrejt kontinentit Afrikan. Sipas organizatës ndërkombëtare Oxfam, në shkurt të vitit 2022 BE-ja po përgatitej të eliminonte 55 milionë doza vaksinash afër datës së skandencës, përkundrejt 30 milionë dozave që i ishin çuar vendeve afrikane në atë periudhë. Në një kontekst të tillë, ndihma që premton dhe jep Turqia (sidomos duke marrë parasysh mospërputhjen midis GDP-së përbashkët të BE-së dhe asaj të Turqisë) del në dritë më pozitive.

Kjo qasje nga ana e BE-së i jep avantazhin Turqisë, e cila—si në rastin e fjalimit të kryeministrit Rama—përdor mbulimin mediatik pozitiv për të bërë propagandë. Në një fjalim për Parlamentin Europian në maj 2020, Eurodeputetja franceze Julie Lechanteux e tha qartë:

“Turqia përfitoi nga kriza e COVID-19 për t’u dukur më efektive dhe më e bashkuar përballë vendeve të Ballkanit me një diplomaci të ndihmës mjekësore që synonte të përmirësonte imazhin e saj në territoret e mëparshme të Perandorisë Osmane dhe të rriste ndikimin e saj në Rajon.”

Fjalimi i Ramës tregon se Turqia po ia del këtij synimi, pavarësisht tendencave autokratike dhe rreziqeve që dalin në pah nga bashkpunimi me një politikan si Erdogani.

 

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Editor: Viola Keta & Aimona Vogli Hotova

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img