BallinaPertejMbetjet e spitalit të Durrësit, shkeljet në menaxhim të zbuluara nga KLSH të ruajtura nën sekretin tregtar 

Mbetjet e spitalit të Durrësit, shkeljet në menaxhim të zbuluara nga KLSH të ruajtura nën sekretin tregtar 

Nga Erjola Azizolli

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Spitalin Rajonal të Durrësit (2015–2018), i publikuar në vitin 2019, (i fundit deri më tani referuar mbetjeve) evidentoi shkelje serioze në menaxhimin e mbetjeve spitalore në atë spital  

Raporti thekson se mbetjet e rrezikshme nuk janë trajtuar sipas klasifikimit përkatës por si  të zakonshme, në kundërshtim me ligjin, ndërsa në një tjetër konstatim nënvizohet se “dokumentacioni i administruar nuk siguron prova të plota mbi kryerjen e shërbimit”.

Referuar raportit, u konstatuan shpenzime të paargumentuara (për shkak të mungesës së dokumentacionit justifikues)  ndërsa nënvizohet se “grupi i auditimit nuk mund të shprehet mbi saktësinë, plotësinë dhe vërtetësinë e kryerjes së shërbimit” .

Po ashtu, sipas raportit, nuk janë ndjekur procedurat e nevojshme për të siguruar që mbetjet të jenë asgjesuar realisht.

Mbetjet spitalore sot

Por si është sot situata e mbetjeve në Durrës dhe sa janë reflektuar rekomandimet e KLSH?

Referuar përgjigjeve për Faktoje,  në Spitalin Rajonal të Durrësit, ka një kontratë me një kompani të licencuar për asgjesimin e mbetjeve spitalore, por transparenca mbetet e kufizuar

Zyrtarisht, spitali deklaron për Faktoje se shërbimi me kompaninë e liçensimit kryhet sipas ligjit.

Për këtë proces, nga viti 2022 deri në 2025 janë paguar mbi 32 milionë lekë.

Por kur kërkohet të shihet kontrata, institucioni refuzon, duke e justifikuar me “sekret tregtar” dhe për pasojë ”nuk mund të bëhet publike” .

Në të njëjtën kohë, mbi mënyrën e matjes së mbetjeve, spitali deklaron se “sasia e mbetjeve matet me peshë reale përmes peshoreve elektronike në përdorim”.

Megjithatë, dokumentet tregojnë se peshorja për matjen e mbetjeve është vendosur në përdorim vetëm në vitin 2025, ndërkohë që raportohen të dhëna edhe për vitet më parë

Të dhënat e vëna në dispozicion nga Spitali Rajonal Durrës: 

2022 –  24784.5 kg

2023 –  24445.7 kg

2024 –  33019.3 kg

2025 –   35059   kg

AKM

Për më tepër, Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmon se spitali nuk është inspektuar prej pesë vitesh

Sipas autoritetit përgjegjës për monitorimin mjedisor, “Spitali Durrës nuk është inspektuar, por do të jetë pjesë e subjekteve të planifikuara nga ana e institucionit tonë për kontroll të kritereve dhe zbatimit të kushteve të lejes mjedisore”.

Por AKM thotë gjithashtu se Spitali Rajonal Durrës kryen transportin e mbetjeve sipas kontratave me subjekte tË liçensuara 

“Subjektet që janë të pajisur me leje mjedisi janë objekt kontrolli nga kjo agjenci”, thotë AKM

Mekanizmi i monitorimit

Auditimet e mëparshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se problematikat në Spitalin Rajonal të Durrësit nuk kufizohen në një proces të vetëm apo në një periudhë të caktuar.

Nga menaxhimi i mbetjeve spitalore, ku mungesa e dokumentimit dhe verifikimit e bën të vështirë vlerësimin e plotë të shërbimit, te funksionimi në situatë emergjence gjatë pandemisë, ku janë evidentuar dobësi në shërbime jetike, burime njerëzore dhe menaxhim financiar, vihet re një element i përbashkët: mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit dhe monitorimit.

Në këtë kontekst, gjetjet e auditimeve sugjerojnë se sfidat nuk lidhen vetëm me raste të veçanta, por me mënyrën se si funksionojnë dhe mbikëqyren proceset në tërësi, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e masave për adresimin e tyre në praktikë.

Në mungesë të transparencës dhe dyshimeve për sistemet e mbikqyrjes së procesit, menaxhimi i mbetjeve në spitalin rajonal të Durrësit nuk ofron garancitë e duhura të funksionimit.

Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img