Marketingu i rremë për mjekimet nuk kursen as ministren Manastirliu

1242

 

Veç mjekëve të rremë, tashmë në rrjetet sociale po përdoret edhe figura e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për të shitur preparate për trajtimin e diabetit. Nëpërmjet titujve dhe fotove të rreme, portali përpiqet që të tërheqë lexuesit, me qëllim shitjen e produktit.

——————————————————————————————————–

Në datën 10 shkurt, në rrjetet sociale është publikuar një postim ku njoftohet një ulje çmimi për trajtimin e diabetikëve. Gjithashtu përdoret edhe fotoja e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në mënyrë që ta bëjë sa më të besueshëm postimin, duke e prezantuar për lexuesit si një “bonus” nga qeveria për diabetikët.

“Nga ky muaj hyn në fuqi zbritja e çmimit për parandalimin e sheqerit të lartë në gjak për të gjithë diabetikët…Diabetët shqiptarë marrin përfitime për parandalimin e diabetit”, shkruan faqja në Facebook që mban emrin “Agile prose”.

Screenshot, postimi i bërë në rrjetet sociale

Nëse do të klikojmë linkun bashkëngjitur postimit hapet një artikull, që rekomandon një preparat për trajtimin e diabetit.

“Stabilizimi i sheqerit në gjak dhe shërimi i diabetit me 4800 ALL pa e lënë sëmundjen të vrasë veten është e mundur”, shkruhet në artikullin që në krye mban emrin “Today”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

“Faktoje” vendosi të bëjë gjithashtu një verifikim të këtij artikulli, pasi nëse do ta shohim në brendësi vihen re shumë pasaktësi në përcjelljen e informacionit te lexuesit. Së pari, në këtë artikull përmendet një mjeke me emrin Arta Zeqiri, e cila sigurohet se çdo person në Tiranë do ta marrë këtë medikamentet me çmimin 4800 lekë. Ndërkohë, më tej në tekst thuhet se mjekja e pretenduar është nga Kosova, duke krijuar konfuzion dhe mospërputhje se cili është fokusi dhe target-grupi i synuar.

Nëse do bëjmë një kërkim në listën e mjekëve të Kosovës shihet që ka një mjeke me këtë emër, e cila mban gradën “Doktor i Mjekësisë”, por portal ka përdorur vetëm emrin e saj. Ne bëmë edhe një verifikim të fotos me TinEye, ku rezulton se imazhi i përdorur qarkullon në internet që prej vitit 2019 dhe nuk ka asnjë lidhje me emrin e mjekes.

Në një sërë artikujsh, Faktoje ka raportuar se si portalet ofronin preparate për të trajtuar sëmundje të ndryshme, duke përdorur intervista të rreme.

Është mjaft e rëndësishme që njerëzit t’i drejtohem mjekëve specialistë, para se të vendosin për të blerë apo konsumuar produkte të tilla.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Artikulli paraprakShqipëria nuk mori vaksina Covid19 nga Rusia?
Artikulli tjetërFoto e manipuluar ruse krijon indinjatë për “policinë që duam”
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.