BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes nga këshillat për diabetin nga mjekë të rremë

Kujdes nga këshillat për diabetin nga mjekë të rremë

Këshillat mjekësore online për shërimin nga diabeti në disa raste janë marketing i bazuar në informacione të rreme. “Faktoje” verifikoi se si përdoren emra mjekësh të rremë dhe foto ilustruese të marra nga web-i për të manipuluar audiencën dhe shitur produkte farmaceutike me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e publikut.

————————————————————————————————————————

Lajmet e rreme përdoren jo vetëm për të ndikuar në informimin e publikut për qëllime të caktuara përfitimi politik apo financiar, por edhe në fushata marketingu. Një faqe në internet “News24World” ka publikuar një intervistë ku supozohet se mjekja e njohur jep sugjerime dhe këshilla si të “luftojmë” diabetin nëpërmjet një preparati të quajtur ‘ diaFix”.

Në këtë artikulli, portali në fjalë citon mjeken Laura Abedini, e cila ndër të tjera sugjeron: “Unë personalisht do të sigurohem që çdo njeri që e kërkon ilaçin e diabetit dhe stabilizimit të sheqerit në gjak ta marrë atë me çmim të veçantë”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Ky informacion ka një ndikim direkt në jetën e qytetarëve dhe ndaj “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij. Fillimisht bëmë një kërkim për të verifikuar nëse zonja e pretenduar nga portali ishte mjeke në Shqipëri. Nga kërkimi rezulton se Laura Abedini nuk është në listën e mjekëve të publikuar nga institucionet publike si dhe nuk është e njohur edhe nga mjekë të tjerë specialistë që pyetëm.

Gjithashtu ne bëmë edhe një verifikim për të kuptuar sa reale është fotoja e mjekes, e përdorur nga portali “News24World”. Nëpërmjet “TinEye” zbuluam se në fakt imazhi i përdorur për të treguar mjeken, është një foto ilustruese, pasi qarkullon në internet prej gati 10 vitesh.

Foto e “mjekes” shqiptare e tregtuar në internet si foto për publikime dhe website

Faqja e internetit që reklamon produktin, e ka përdorur këtë imazh dhe emrin fals të mjekes për ta bërë më të besueshme për publikun, në mënyrë që të arrijë të shesë produktet.

Ajo që vihet re tjetër është fakti se artikulli nuk ka autor dhe as datë publikimi. Gjithashtu, një element tjetër që shton dyshimet janë edhe komentet në fund të shkrimit. Komentet janë të shkruara shumë korrekt nga ana gramatikore, madje duke përdorur edhe shkronjën “ë”. Të gjitha komentet janë shumë pozitive dhe kanë edhe përgjigje nga mjeka “fantazmë”.

Në një tjetër artikull, Faktoje raportoi se si portalet ofronin preparate për të trajtuar sëmundjet e zemrës, duke përdorur intervista të rreme.

Është mjaft e rëndësishme që njerëzit t’i drejtohem mjekëve specialistë, para se të vendosin për të blerë apo konsumuar produkte të tilla.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img