Marketing me mjekun e rremë për trajtimin çudibërës për venat

846

Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz. “Faktoje” verifikoi një tjetër rast ku portalet përdorin emrin e një mjeku të rremë për të shitur një produkt që sipas tyre “bën mrekullinë” duke pastruar venat. Gjithçka është e sajuar me qëllim shitjen e produktit.

Esmeralda Topi

Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron një medikament për kurimin e venave, duke përdorur mjekë të rremë.

Artikulli nis me intervistën e një mjeku që jep këshilla se si njerëzit, kryesisht të moshuarit, mund të pastrojnë venat me një trajtim nga shtëpia, në mënyrë që të shmangin mbi dhjetë sëmundje të ndryshme të sistemit vaskular.

Për ta bërë sa më të besueshme për lexuesit këto këshilla, faqja e internetit oustebya.com e shoqëron intervistën e mjekut me një fotografi, ndërkohë që e prezanton doktorin tek lexuesit si Shefin e Universitetit të Mjekësisë dhe Farmacisë, Shef të Divizionit të Kirurgjisë Vaskulare dhe Profesor të kirurgjisë Neuro.

Për ta bërë sa më të besueshme për lexuesit këto këshilla, faqja e internetit oustebya.com e shoqëron intervistën e mjekut me një fotografi, ndërkohë që e prezanton doktorin tek lexuesit si Shefin e Universitetit të Mjekësisë dhe Farmacisë, Shef të Divizionit të Kirurgjisë Vaskulare dhe Profesor të kirurgjisë Neuro.

‘Ka vetëm një produkt mund të them se pastron venat në mënyrë të sigurt: Hypertea Hypertea të zgjat jetën me 11-17 vjet. Ju jep energji dhe ndjenjën e rehatisë, ju kursen nga vuajtjet dhe nuk harxhon asnjë nga stamina juaj. Është e padëmshme sepse është një çaj i përbërë nga bimë të shëndetshme. Është produkti i 2-ti më i përdorur për pastrimin e venave. Vendi i parë i përket operacionit. Për dallim nga metodat që përdoret në kirurgji, ky produkt nuk shkakton komplikime dhe nuk ka efekte anësore. Nga venat arteriale më të trasha deri tek kapilarët më delikatë.’– shkruhet ndër të tjera në intervistën e publikuar duke cituar Doktor Hasanin që këshillon përdorimin e këtij çaji çudibërës për pastrimin e enëve të gjakut.

Portali e prezanton mjekun me figurë dhe emër, por nuk ka vendosur mbiemrin e tij. Këto janë skemat më të përdorura të mashtrimit të njerëzve online. Për të njëjtin produkt, “Faktoje” më herët ka bërë një verifikim në të cilin Agjencia Kombëtare e Barnave sqaronte se “Hypertea” është një shtesë ushqimore dhe jo medikament. Ndërsa presidentja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma theksonte se: “Unë jam e bindur që nuk ka mjek që të reklamojë produkte të tilla. Duhet një reagim nga institucionet për të kontrolluar edhe këtë kategori produktesh pasi ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

“Faktoje” verifikoi fotografinë e mjekut që është përdorur në artikullin në fjalë. Nga kërkimi nëpërmjet TinEye rezulton se foto e përdorur për mjekun është imazh i ricikluar nga faqe të huaja. Në të vërtetë, fotografia e përdorur nga portali është e një mjeku gjinekolog nga Rusia, me emrin Mark Arkadyevich Kurtser.

Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur intervista të rreme për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.