.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëManastirliu: Kemi ende kapacitete të lira...

Manastirliu: Kemi ende kapacitete të lira…

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe kryeministri Rama, kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se ende ka shtretër të lirë në 3 spitalet Covid. Por pas përditësimit të të dhënave në 25 nëntor, numri prej 461 pacientësh që raportohen të shtruar e tejkalon kapacitetin prej 432 shtretërish në të tre spitalet. Po të bësh llogarinë me të dhënat që jep ministria, rezulton se 29 pacientë janë pa shtretër, nëse marrim të mirëqenë konfirmimet zyrtare se nuk ka të shtruar në spitalet rajonale.


Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 461 pacientë, 19 në terapi intensive, 7 pacientë janë të intubuar – thuhet në raportimin e Ministrisë së Shëndetësisë të së mërkurës, 25 nëntor.

Më 11 nëntor, ministrja Manastirliu rikonfirmoi kapacitetin prej 550 shtretërish për pacientët e infektuar nga virusi Sars-Cov-2, përfshirë edhe numrin e shtretërve të spitalit Covid-4, I cili deri më sot nuk është hapur.

Më lejoni të them që ne disponojmë kapacitetet për të pritur 550 pacientë në spitalet e dedikuara për COVID-in deklaroi Manastirliu.

Më 13 nëntor, në faqen “Facebook” të kryeministrit Edi Rama u transmetuan “pamjet ekskluzive” nga spitali Covid 4, të pajisur me aparaturat e duhura për trajtimin e pacientëve Covid. Zëvendësdrejtoresha e Qendrës Spitalore Univeristare, “Nënë Tereza”, Daniela Nika foli edhe mbi kapacitetet e spitalit “Covid4”.

Janë 110 shtretër, plus tetë të terapisë intensive. Faktet flasin vetë, kush do ta quajë propagandë, le ta quajë – u shpreh Nika.

“Faktoje”, më herët kishte pyetur pranë Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me strukturën spitalore të dedikuar për pacientët e infektuar nga koronavirusi, dhe mori këtë përgjigje:

Përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për spitali Covid 4

Duke iu referuar të dhënave zyrtare që Ministria e Shëndetësisë ka raportuar, rezulton se nga shifra totale prej 550 shtretërish në të katër spitalet covid, duke zbritur 118 shtretër që i përkasin spitalit covid 4, ende jo funksional, rezulton se në tre strukturat e tjera spitalore gjenden 432 shtretër. Nga ana tjetër, shifra prej 455 pacientësh të hospitalizuar, dëshmon se 23 pacientë janë pa shtretër.

Ndërkohë paraqitja grafike që tregon ecurinë e shtrimeve në spitalet covid, dëshmon se gjatë muajit nëntor janë ezaururar kapacitetet.

Ecuria e rasteve të të shtruarve në spitalet Covid deri më 23 nëntor 2020

“Faktoje”, të mërkurën e 25 nëntorit bëri një vëzhgim në tre strukturat spitalore funksionale si dhe në spitalin Covid 4.

Spitali Infektiv, 25.11.2020

Erdha për të sjellë ca ushqime. Kam babin 66 vjeç të shtruar. Kam ardhur që nga ora 7 e mëngjesit dhe sot nuk ka pasur shumë lëvizje. Vështirësia më e madhe që kemi, përveç frikës, është që nuk kemi komunikim me të shtruarit – i tha “Faktojes”, Valbona Domi, 43 vjeçare e cila priste para Covid 1.

Situatë e ngjashme paraqitej edhe në spitalin Covid 3.

Spitali Covid 3, urgjenca e ish-kirurgjisë në QSUT, 25.11.2020

Spitali “Shefqet Ndroqi”, i quajtur ndryshe edhe spitali Covid 2 paraqitej gjithashtu në gjendje të qetë gjatë momentit të vëzhgimit.

Spitali “Shefqet Ndroqi” (Covid 2), 25.11.2020

U bë kohë që po sajohemi. Si fillim i sillnin thuajse të gjithë te ne, pastaj u çuan te Shefqet Ndroqi. Ata kanë në total 200 shtretër e me sa di unë edhe ata presin që të shërohet apo ndërrojë jetë ndokush që të lirohet vendi. Shtretëtit nuk janë problemi më i madh kur vjen puna te menaxhimi i pandemisë. Ne kemi në total 134 epidemiologë, 754 staf mbështetës, 570 mjekë dhe rreth 1110 infermierë në gjithë vendin. Nevoja e madhe krijohet për burimet njerëzore dhe aparatura e oksigjenimit. Nuk di tamam se si është situata te spitalet e tjera Covid, po te infektivi është në kapacitet të plotë – i tha “Faktojes” infermieri B.L., i cili aktualisht është angazhuar në Spitalin Infektiv, njohur edhe si Covid 1.

E ndërsa tre strukturat spitalore përballen me kapacitete të ezauruara, siç vëretetojnë edhe shifrat zyrtare, spitali Covid 4, vijon të mos jetë funksional.

Deri më sot autoritetet zyrtare vazhdojnë të këmbëngulin se ka ende kapacitete të lira në 3 spitalet covid, ndërsa mohojnë që të jenë hapur pavione covid nëpër spitalet rajonale. Nga ana tjetër, nuk jepet ndonjë sqarim se ku po trajtohen 23 pacientë që dalin ‘tepër’. Nga verifikimi i kryer, vendosëm që deklaratat që flasin për kapacitete të lira në 3 spitalet funksionale Covid, t’i kategorizojmë të pavërteta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img