BallinaFaktometerE vërtetëManastirliu: Bashkitë e djathta mbajnë peng fondin 6% për familjet në nevojë

Manastirliu: Bashkitë e djathta mbajnë peng fondin 6% për familjet në nevojë

INVA HASANALIAJ

Largimi nga lista e skemës së ndihmës ekonomike të një pjese të famijeve në nevojë, krijoi debate në seancën parlamentare të 15 marsit.

Mes replikave të deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi nga foltorja se skema e re e ndihmës ekonomike i ka dhënë mundësinë mbi 10 mijë familjeve të reja të përfitojnë.

Ndër të tjera ministrja deklaroi se Qeveria ka dyfishuar fondin për bashkitë, i cili është i dedikuar për familjet në nevojë. Ajo i kërkoi gjithashtu bashkive të djathta të mos e mbajnë peng fondin 6% që kanë në dispozicion, por ta shpërndajnë menjëherë për këto familje.

“Pse nuk e jep sot 6% bashkia e Shkodrës, pse nuk e jep sot 6% Kavaja, Mati Rrogozhina? Vetëm sepse duhet të mundësohet vijimi i turit të opozitës për familjet e varfra”u shpreh ministrja Manastirliu.

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” komunikoi me bashkitë e sipërpërmendura, për të mësuar se çfarë është bërë me fondin prej 6%.

Bashkia e Shkodrës na bëri me dije se është në proces të përgatitjes së projekt vendimit për fondin e alokuar.

Bashkia Mat në përgjigjen e saj tha se zbatimi dhe shpërndarja e fondit do të bëhet në muajin prill të 2018-ës.

Bashkia Kavajë pohoi se momentalisht 6%-ë​shi i alokuar nuk ka kaluar akoma në Keshillin Bashkiak sepse është një fond i pamjaftueshëm.  Kjo sipas tyre është një shifër shumë e vogël për t’iu shpërndarë qytetarëve dhe do të  krijonte probleme me pjesën tjetër jopërfituese pë​r shkak të pamjaftueshmërisë së fondit.

Po ashtu edhe Bashkia e Rrogozhinës na komunikoi se, brenda muajit mars do të jenë 7 familje që do të përfitojnë megjithatë një gjë e tillë ende nuk është zbatuar.

Nisur nga komunikimet me bashkitë e përmendura, “Faktoje” arriti në përfundim se deklarata e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu është E VËRTETË. Asnjë nga bashkitë e listuara prej saj nuk kanë filluar me shpërndarjen e fondit prej 6%.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img