Pretendimi: Kjo video tregon oksidin e grafenit në vaksinat anti-Covid

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një masë të zezë magnetike. Konspiracionistët anti-vaksinë po pretendojnë se video tregon “oksidin e grafenit” në vaksinat anti-Covid.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale nga është shkëputur ky klip.

Ajo është botuar në Youtube më 7 nëntor 2016, përpara se jo vetëm vaksinat anti-Covid, por edhe vetë Covid-19 të ekzistonin.

Më tej, video është një udhëzues që tregon si të bësh vetë “llucë magnetike”. Në listën e përbërësve që shënohen në përshkrimin e videos nuk përfshihet ndonjë lloj grafeni.

Përbërësit e llucës magnetike: vinovil, ujë, oksid hekuri, niseshte e lëngshme, magnet neodimiumi

Ekziston gjithashtu edhe një variant i magnetit të lëngshëm që shitet online si lojë për fëmijët. 
Sa i përket grafenit të pretenduar në vaksinat anti-Covid, Faktoje e ka përgënjeshtruar këtë pretendim edhe më parë.