BallinaUncategorized“Luga bosh” e portaleve për rritjen e pagave nga qeveria

“Luga bosh” e portaleve për rritjen e pagave nga qeveria

Lajmi i shumëpritur për rritjen e pagave apo mbështetje financiare për përballimin e rritje së çmimeve të energjisë, i publikuar në portale ditët e fundit, rezulton jo i vërtetë. Sipas verifikimit të bërë nga Faktoje, lajmi i trumbetuar nga portali Olajme.com është një riciklim i vendimit të muajit shkurt për të trajtuar më pagë minimale naftëtarët e Ballshit, të mbetur pa punë pas mbylljes së rafinerisë.

 

Rritja e pagave dhe paketave të ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë, mbetet kërkesa kryesore e çdo familjeje që përballon prej muajsh rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe së afërmi edhe të energjisë. Një titull për një vendim pozitiv nga qeveria në këtë mbështetje ekonomike nuk mund të kalojë pa tërhequr vëmendjen në rrjet. Kjo duket se ka qënë arësyeja e riciklimit të një vendimi të muajit shkurt të qeverisë dhe publikimit të tij më 14 shtator nga portali olajme.com.

Një tjetër teknikë e përdorur për të tërhequr klikime është dhe titulli i përdorur, “Hyn në fuqi direkt/ Rama merr vendim: Japim rrogë ‘shtesë’ për këtë kategori…”, i cili njofton vendimmarrjen, por pa specifikuar kategorinë përfituese dhe asnjë detaj të mëtejshëm që mund të ofrojë informacion të saktë për lexuesit.

Screenshot nga faqja e portalit olajme.com

Pa shumë referenca mbi periudhën kohore dhe të dhëna të tjera mbi vendimmarrrjen, artikulli sqaron në brendësi se “Ky vendim është firmosur nga kryeministri Edi Rama, i cili edhe një herë i qëndron në krah fuqisë punëtore. Do të ketë një pagesë të barabartë me pagën minimale, që do u jepet ish-punonjësve të Rafinerisë së Ballshit.”

“Faktoje” verifikoi më tej vendimet e Këshillit të Ministrave dhe konfirmoi se bëhet fjalë për një vendim që ekzekutivi ka marrë në muaji shkurt të këtij viti, ende pa nisur agresioni rus në Ukrainë dhe rritja e çmimeve në ekonominë shqiptare dhe mbarëbotërore. Më konkretisht, më 2 shkurt 2022, mbi shtatë muaj më parë, qeveria vendosi mbështetjen me pagë minimale të naftëtarëve të Ballshit, të mbetur pa punë pas mbylljes së rafinerisë. Vendimi mban firmën e zëvendëskryeministrit të asaj kohe, Arben Ahmetaj. Këto paga janë dhënë nga fondi prej 420 milionë lekësh nga buxheti i miratuar për vitin 2022 si “Pagesa e papunësisë”.

Screenshot nga VKM për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit nga punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh

“Faktoje” kontaktoi edhe me kryetarin e Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, z. Sokol Dautaj, i cili konfirmoi se përfituesit kanë muaj që marrin pagesën e përcaktuar me vendim qeverie. “Nuk kemi pasur asnjë problem, vazhdojmë të marrim pagesën prej 32.000 lekësh, sipas VKM-së që ka shpallur qeveria në muajin shkurt.”- tha Dautaj për Faktoje.

Bazuar mbi këtë verifikim, lajmi për një vendimmarrje të fundit të qeverisë për rritjen e pagave rezulton një riciklim i vendimeve të muajit shkurt, i ripublikuar me një titull të cunguar, për të krijuar klikime.

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img