Kampi “Ashraf 3” në Manzë u kthye në qendër të raportimeve mediatike më 20 qershor, pas një kontrolli policor në mjediset e kampit. Muxhahedinët, të njohur si opozitarë të regjimit në Iran, pretenduan se u ishte cënuar territori dhe se një anëtar i tyre vdiq nga dhuna policore. Kaq mjaftoi që situata të “ndizej” mediatikisht me tituj që flisnin për dhjetëra të plagosur dhe një fushë lufte, duke futur në panik opinionin publik. 24 orë më vonë narrativa e luftës u rrëzua me daljen e fakteve për ngjarjen.
———————————————————-
Më 20 qershor, një raportim “lufte” nisi në disa media (sidomos portale) pas ndërhyrjes së policisë në territorin e kampit ‘Ashraf 3’ në Manzë. Aksioni i policisë për një kontroll të urdhëruar nga SPAK, u raportua gjerësisht, por informacionet e shpërndara ishin kontradiktore dhe të pakonfirmuara. Mediat tradicionale dhe ato online ndoqën hap pas hapi çdo zhvillim në kampin e muxhahedinëve, duke pretenduar se një “luftë” po zhvillohej brenda tij dhe se flitej për viktima dhe të plagosur.
“Pamje lufte nga Manza, pretendohet për 2 të vdekur brenda kampit, dhjetëra të tjerë plagosur!”-shkruan “Koha Jona” në një artikull që mban datën 20 qershor.
Burimi Koha Jonë
Këto pretendime për viktima dhe të plagosur u shpërndanë rrufeshëm, duke u bërë temë diskutimi edhe në emisone të ndryshme televizive. Mirëpo, ajo që vihej re në mënyrën e raportimit ishte fakti se “media po i hidhte bezinë zjarrit”, duke përdorur tituj sensacionalë ende pa u konfirmuar më par nga burime zyrtare.
“Panik dhe frikë në kampin MEK në Manzë, 1 i vdekur dhe disa të plagosur”-raportoi Top News.
Burimi: Top News
Disa portale të tjera përdorën intervista me përfaqësues të kampit, duke aluduar se ishin plagosur mbi 100 muxhahedinë si pasojë e dhunës nga Policia e Shtetit.
“Mund të filmoni të vdekurin’, flet mjeku në kampin e muxhahedinëve: 100 të plagosur, 3 në gjendje të rëndë janë dërguar te Trauma”-shkruante “Newsbomb”
Burimi: Newsbomb
Veç kësaj, mediat publikuan pamje të trupit të pajetë që ishte në kampin MEK në Manzë, duke e “shitur” si një lajm ekskluziv dhe të konfirmuar.
“Ekskluzive/ Me FOTO, konfirmohet një i vdekur brenda kampit të muxhahedinëve, flet mjeku: Janë goditur me shkop dhe gaz lotsjellës”-shkruan Gazeta Shqip.
Burimi: Gazeta Shqip
Raportimet mbi zhvillimet në kampin MEK zunë vend kryesor në të gjitha mediat në Shqipëri, por jo vetëm. Lajmet, ku pretendohej për viktima dhe qindra të plagosur u pasqyruan edhe nga mediat në Kosovë. Narrativa e përdorur është pikërisht se në Shqipëri po zhvillohej një “luftë” mes policisë dhe muxhahedinëve,
Burimi: Tëvë
Në të gjitha raportimet e mediave tradicionale dhe ato online, në vendin tonë dhe në Kosovë, artikujt janë bazuar vetëm në pretendimin e mjekut të kampit se personi humbi jetën nga dhuna policore. Por nuk u tregua asnjë fakt në lidhje me shkaqet e vdekjes.
Çfarë deklaruan zyrtarët e MEK?
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, nëpërmjet një komunikate zyrtare deklaroi se 1 mijë policë shqiptarë sulmuan kampin ‘Ashraf 3’, duke shkaktuar një viktimë dhe 100 të plagosur.
“Ata thyen shumë dyer, dollapë dhe pajisje dhe sulmuan banorët me gaz lotsjellës dhe sprej piper. Shumë kompjuterë u prishën ose u morën.
Si rezultat i këtij sulmi kriminal, një anëtar i Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), z. Ali Mostashari, u vra dhe më shumë se 100 njerëz u plagosën për shkak të gjuajtjes së policisë me sprej piper. Shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa disa janë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Veprimet e policisë shqiptare kujtojnë sulmet kriminale të forcave të Nouri al-Maliki në kampin Ashraf në Irak midis viteve 2009 dhe 2015”, thuhet në deklaratën zyrtare tw MEK.
Reagimi i Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme
Në lidhje me situatën në kampin e muxhahedinëe, Policia e Shtetit bëri një reagim zyrtar më 20 qershor, ku sqaroi arsyet e aksionit të kryer.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp”, sqaroi Policia e Shtetit.
Pas policië, pati një reagim edhe nga Ministria e Brendshme:
“Operacioni policor në kampin e muxhahedinëve në Manzë u bë në zbatim të urdhrit të SPAK dhe vendimit të GJKKO dhe është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014, kur u vendosën në Shqipëri, vetëm për qëllime humanitare”.
Një ditë pas incidenteve të ndodhura, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mohuan akuzat e ngritura nga muxhahedinët se viktima në kamp ishte shkaktuar si pasojë e dhunës së policisë.
“Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Po presim ekspertizën mjeko-ligjore. Ka pamje edhe nga policia, por jam i bindur që ka pamje edhe nga vetë anëtarët e MEK, që vërteton këtë gjë. Sepse nuk është prekur qoftë edhe një anëtar me dorë. Do të presim ekspertizën mjeko-ligjore”, tha Çuçi në një deklaratë për mediat.
Ndërsa Rrumbullaku nënvizoi:
“Nga ana jonë është përdorur thjesht sprajt individual, ne kemi mbetur të dëmtuar, 15 punonjës të policisë, si dhe janw dëmtuar disa mjete policore dhe nga ana e tyre janë lënduar 21 shtetas”.
Reagimi i DASH dhe ambasadores Yuri Kim
Përplasja mes Policisë së Shtetit dhe anëtarëve të kampit “Ashraf” solli edhe reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. DASH theksoi se përkrah aksionin policor, madje ngriti dyshime për aktivitetin e MEK si organizatë.
“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, thuhet në deklaratën e DASH për “Radio Evropa e Lirë”.
Edhe reagimi i ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim ishte qartazi në mbështetje të veprimeve të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
“Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka disa kushte të caktuara që zbatohen për çdo mysafir në vendin tuaj dhe mysafirët duhet t’i respektojnë ato”, argumentoi diplomatja e SHBA-së.
E pyetur nëse Shqipëria duhet t’i largojë muxhahedinët, Kim nënvizoi:
“Është një vendim që i përket qeverisë shqiptare”.
Mediat dhe narrativa e ‘luftës’ në syrin e ekspertëve
Si e shohin ekspertët këtë raportim të medias në lidhje me incidentet në kampin MEK? Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa tha për Faktoje se nuk mund të konsiderohet raportim transferimi i thashethemit apo hamendësimit nga persona të rastësishëm në një vendngjarje ku ekziston hermetizmi, si në rastin e kampit të MEK ku ditë më parë ndodhën disa episode tronditëse.
“Reporterët në momentet e para morën të mirëqena të thënat e kujtdo që dëshmon aty, qoftë edhe në pozitën e kurreshtarit. Raportimet e para po, kishin të bënin me shpërndarje paniku. Raportimi pa verifikim i lajmit të rremë për dy të vrarë, do të duhej të shmangej. Kishte kohë dhe mundësi të kryqëzoheshin të dhënat që dilnin prej kampit, sidomos onlineve të tyre dhe autoriteteve zyrtare të policisë dhe organeve të hetimit. Ndjeshmëria ndërkombëtare për këtë kamp në vendin tonë është e lartë dhe vetë banorët e tij janë të aftë në aspektin kibernetik dhe komunikimin virtual në përgjithësi. Duhej përdorur me më tepër efikasitet prej reporterëve kjo mundësi që ofrohet nga zyrat dhe individët e komunikimit nga ana e MEK”, sqaron zoti Çipa.
Ai ka edhe një sugjerim të mediat dhe gazetarët që të mos bien pre e kësaj mënyre raportimi, pa kontrolluar dhe verifikuar fillimisht burimet e informacionit.
“Sugjeroj të njihen mediat online që janë krijuar nga banorët e këtij kampi. Të ndiqen faqet specifike që ata kanë në rrjetet sociale në më shumë se tri gjuhë. Të merret më tepër informacion për strukturën organizative dhe atë komunikuese që ata kanë ndërtuar brenda kampit. Të ndjekin ende pas episodeve të dhënat e raportuara për kapacitetet kibernetike që ata kanë dhe kanë zhvilluar brenda kampit, të saktësojnë ende se cila është veprimtaria në kamp dhe në rrjetin ndërkombëtar të kësaj opozite politike iraniane, në ekzil, e cila aktualisht është një ‘gur në lëvizje’ në kontekstet gjeopolitike dhe zhvillimet ndërkombëtare mes fuqive të mëdha.
Të zbardhen lajmet e publikuara për risqet apo rreziqet që ofrohen për vendin dhe shoqërisë shqiptare nga prania e këtij kampi dhe numrit të konsiderueshëm të banorëve të tij në Shqipëri. Ose të hidhet dritë edhe mbi lajme dhe të dhëna të raportuara, të cilat mund të jenë inskenime, sajesa ose konspiracione”, argumenton zoti Çipa.
Në lidhje me këtë çështje, ekspertja e komunikimit Edlira Gjoni thekson se mediat në Shqipëria ranë pre e raportimit sensacionalë, duke dizinformuar audiencën. “Në vend që gazetarët të kishin marrë informacion përse po ndodhte kjo, ranë pre e raportimit sensacional, me termat, frikë, panik dhe dizinformacion për viktima dhe të plagosur. Kjo do të thotë që media nxiton të shesë atë që është e klikueshme. Mediat tradicionale, ata që japin lajme 24 orë dhe që i shohin të gjithë shqiptarë, kanë nxituar në këtë raportim, kanë qenë të pasakata, kanë qenë dizinformuese dhe për mendimin tim kanë qenë edhe keqinformuese”, sqaron ajo.
Ekspertja e komunikimit sugjeron që kur bëhet fjala për çështje madhore që lidhen me sigurinë, mediat duhet të tregohen më të kujdeshme mbi mënyrën e raportimit.
“Diçka që më tërhoqi vëmendjen nga raportimi i gabuar mediatik që ndodhi në Manzë, ishte mania për të nxituar dhe për të transmetuar në median shqiptare më së shumti pretendime që vinin nga e anëtarëve të MEK, sesa të kishte një strategji. Më tërhoqi vëmendjen, sesi për një çështje kaq madhore, ku hyn siguria, mediat shqiptare nxitonte të fitonte klikime dhe të mbulonte live. Mediat duhet të mësojë që për të raportuar në mënyrë profesionale dhe për të rritur besueshmërinë te ajo, duhet të mësojë të presë”, shprehet Gjoni.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli