BallinaFaktometerE vërtetëValbona turistike, pranë dritës, e paparë....

Valbona turistike, pranë dritës, e paparë….

Valbona, perla e turizmit malor në veriun e Shqipërisë ka probleme serioze me furnizimin e energjisë elektrike. Sipas pronarëve të bujtinave, shkak është amortizimi i rrjetit shpërndarës dhe mungesa e investimeve. Nga ana tjetër, Valbona po shënon rritje të numrit të turistëve, por linjat e vjetra të energjisë nuk e përballojnë furnizimin, duke dëmtuar drejtpërdrejt turizmin.  Një raport i ERE-s vërteton se në Tropojë, që për ironi është zona ku prodhohet energji, humbjet e energjisë elektrike janë rreth 55%, niveli më i lartë i humbjes në rang vendi.

Në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë  më 5 qershor, deputeti i PD për Tropojën, Isuf Çelaj, ngriti shqetësimin në lidhje me furnizimin me energji eletrike në Valbonë, e njohur si një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në veriun e Shqipërisë.

“Është detyrë e qeverisë që t’iu sigurojë kushte për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, ku një nga më kryesorët është furnizimi me energji elektrike 24 orë, gjë e cila për këta banorë nuk është siguruar. Linjat janë investime të vjetra e të shkatërruara, zona prodhon energji, por energji nuk ka”, deklaroi ndër të tjera deputeti Çelaj.

Nisur nga kjo deklaratë e deputetit demokrat, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrikë dhe Bashkisë së Tropojës. Ne i pyetëm këto institucione si është situata e furnizimit aktualisht në Valbonë dhe nëse janë kryer investime për rrjetin elektrik.

Kërkesa për informacion dërguar OSHEE, 8 qershor 2023

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tropojë, 8 qershor 2023

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje nga këto institucione.

Bledar Kubani, pronar i një prej bujtinave në Valbonë, sqaroi për Faktoje, se kapacitetet pritëse në zonë janë shtuar, por investime në rrjetin shpërndarës të energjisë nuk ka. Për pasojë, ndodh që herëpas’here të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike në këtë zonë.

“Rrjeti është i vogël, sepse janë rritur kapacitetet, janë shtuar bujtinat e nuk e përballon, bie rrjeti. Energjia që vjen është e dobët. Ndërprerja e energjisë nuk është diçka që ndodh përditë, por ti mund të jesh në mes të fluksit, plot më turistë dhe të ikin dritat. Mund të ikin një orë ose gjithë ditën, nuk i dihet kur mund të ndodhë problemi”, bën të ditur pronari i bujtinës.

Pëllumb Bisheva, që punon si guidë turistike dhe e njeh me pëllëmbë veriun e Shqipërisë dhe kryesisht Luginën e Valbonës, tregon për Faktoje problemet që hasin pronarët e bizneseve, por edhe banorët në këtë zonë.

“Në Luginën e Valbonës janë disa fshatra, Klysyra, Dragobia, Valbona, Rrogami. Problem kryesor është që linjat elektrike janë larg, domethënë janë ajrore. Atje bie borë dhe prishet shtylla, sepse rëndohet dhe rrëzohet. Shumicën e kohës i ke pa drita këto fshatra. Ka shumë probleme gjatë dimrit, sepse po pati reshje të forta bore, erë, apo fortunë, bien shtyllat. E vetmja zgjidhje është që të krijohet diçka nëntokë.

“Gjatë verës ka drita përgjithësisht, vetëm nëse ka ndonjë dëmtim. Rrjeti është shumë i amortizuar dhe ka avari. Gjatë verës mund të shkojë ky problem 2-3 ditë maksimumi dhe rregullohet, ndërsa gjatë dimrit rri 1-2 javë pa drita, sepse edhe kushtet atmosferike janë të tilla. Me pak fjalë tre problemet kryesore që do të evidentoja janë: tensioni i ulët, rrjeti i amortizuar dhe pjesa e kontrollit, pasi ndodh një defekt dhe nuk ka forca të gatishmërisë që të vijnë ta rregullojnë”, bën të ditur ai.

Sipas Pëllumbit, gjatë verës fluksi i turistëve është i madh. Ka turistë të huaj, turistë shqiptarë dhe gjithashtu ka shumë shqiptarë të Kosovës që vizitojnë Valbonën dhe se në fundjavë kërkesat për akomodim i kalojnë kapacitetet.

Pamje nga Valbona

Por, sa shqetëuese është për turistët ndërprerja e energjisë elektrike?

“Turistët e huaj nuk shqetësohen nga ikja e dritave, ndërsa turistët shqiptarë nervozohen shumë. Të huajt thonë ‘jemi në fshat, ndodhi-ndodhi, është defekt”, tregon Pëllumbi.

Mirëpo, ai rrëfen edhe për një fshat turistik në këtë zonë, Çeremi, ku mungon çdo lloj lidhjeje me energjinë elektrike.

“Çeremi nuk ka fare energji, vetëm një linjë të vogël që është me transformator nga këta të vegjlit dhe është i vendosur vetëm në zall të Çeremit. Pjesa tjetër e tij nuk është e aksesuar me energji elektrike.

Pamje nga Çeremi, ku mungon energjia elektrike

Ka bujtina aty dhe shkojnë shumë turistë të huaj. Ato funksionojnë me panele diellore, ndërsa për të gatuar përdorin sobat me dru”, bën të ditur Pëllumb Bisheva.

Pamje nga Çeremi, ku shihet se bujtinat funksionojnë me panele diellore

Humbjet e energjisë në rrjet

Raporti i vitit 2022 nga Enti Rregullator i Energjisë nxjerr në pah se humbjet e energjisë elektrike në Tropojë, pjesë e së cilës është edhe Lugina e Valbonës, janë në masën 54.8%, niveli më i lartë në të gjithë vendin.

Screenshot, raporti i ERE për vitin 2022

Ky është edhe një tregues i mungesës së investimeve në rrjetin e shpërndarjes për këtë luginë, e cila për ironi i përket zonës ku prodhohet energjia elektrike.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img