Ina Allkanjari
Mëngjesin e kësaj të enjteje Rusia nisi zyrtarisht sulmin e armatosur ndaj Ukrainës. Por lufta e vërtetë i ka dhënë shenjat më herët me deklaratat dhe raportimet keqinformuese nga Rusia që i kanë fryrë zjarrit, siç vlerësojnë ekspertët, me qëllime destabilizuese. Faktoje mori në analizë deklaratën e kryediplomatit rus Lavrov bërë më 18 shkurt, se në Ukrainë po dërgoheshin mercenarë lufte nga Shqipëria, RMV dhe Bosnje Hercegovina. Deklarata ishte publikuar edhe në faqen zyrtare të qeverisë ruse, por sot rezulton të jetë fshirë.
————–
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, njoftuan në 24 shkurt se forcat ruse nisën një sulm ushtarak në Ukrainë nga Donbasi, që shkaktoi viktima, numri i saktë i të cilëve mbetet ende për t’u konfirmuar. Në një fjalim para sulmit Presidenti Vladimir Putin deklaroi se ka nisur një operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës duke paralajmëruar se përgjigja e Moskës do të jetë “e menjëhershme” nëse dikush përpiqet të përballet me Rusinë.
Sulmi ushtarak nisi disa ditë pas një fushate deklaratash nga zyrtarët më të lartë rusë, të cilat kanë dhënë ndikimin e vet në keqinformimin e opinionit publik.
Minstri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, gjatë një interviste në kanalin RT TV Moske, pretendoi rekrutimin e mercenarëve në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe se Ballkani Perëndimor është terren për krimin ku ka terroristë dhe trafikantë droge.
“Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, ndër të tjera, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë”-citohet të ketë thënë krydiplomati i Rusisë Lavrov, në 18 shkurt.
Që prej asaj dite Faktoje nisi të bënte disa verifikime mbi vërtetësinë e kësaj deklarate dhe kërkoi opinionin e ekspertëve mbi efektet që ajo mund të shkaktonte tek vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilat prekeshin drejtpërdrjet prej saj.
Nga nje kontroll online, evidentuam se kjo deklaratë ishte e publikuar në 18 shkurt në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme në Rusi.
Screenshot, postimi i deklaratës së Sergey Lavrov në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme në Rusi datë 18.02.2022
Por në datën 24 shkurt, ditë kur nisi sulmi ushtarak, kur klikuam të njëjtin link të Ministrisë së Jashtme ruse, në vend të deklaratës rezulton ky mbishkrim.
Screenshot, postimi i deklaratës së Sergey Lavrov në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme në Rusi datë 24.02.2022, i fshirë
Në datë 21 shkurt Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ne kërkuam nga institucionet e sipërpërmenduara nëse kanë dijeni për pretendimin e ngritur nga Ministri i Jashtëm Rus, Lavrov për dërgimin e shtetasve shqiptarë me qëllim angazhimin në luftë në Ukrainë dhe nëse e konfirmojnë vërtetësinë e kësaj deklarate. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.
Sreenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Brendshme datë 21.02.2022
Faktoje iu drejtua në datë 22 shkurt Ambasadës Ruse në Shqipëri ku kërkuam konfirmim të vërtetësisë së deklaratës së Ministrit të Jashtëm Lavrov. Ende nuk kemi një përgjigje nga Ambasada Ruse në Tiranë.
Screenshot, pyetja drejtuar Ambasadës Ruse në Shqipëri datë 22.02.2022
Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cila hedh poshtë pretendimet e publikuara në agjencinë e lajmeve ruse dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. MEPJ njoftonte se në shenjë proteste ka thirrur ambasadorin rus, Mihail Afanasiev, për t’i kërkuar përgënjeshtrimin e lajmit.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ish kryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pandeli Majko i cili në datë 18 shkurt nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook theksoi se deklarata e Lavrov është e paprecedentë.
“Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse ka bërë sot një deklarim të paprecedentë për “mercenarë” shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë. Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (nëse do ta bëjë). Kanali Televiziv WION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për “hartën” e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën. Njeriu i mençur e bën menjëherë atë çfarë budallai e bën në fund! (Makiavel)”- shkruante Majko.
Screenshot, postimi i ish-Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko datë 18.02.2022
Një tjetër reagim ka ardhur nga Presidenti Ilir Meta i cili u shpreh se kjo mund të jetë një deklaratë e ndikuar nga dizinformimi në media ose për qëllime propagandistike.
“Mund të jetë ndikuar nga dezinformacionet nga mediat e ndryshme dhe në rastin më të keq një shpikje propagandistike sikur vendet tona përbëjnë një rrezik apo një tendencë të caktuar ndaj Rusisë, gjë që nuk është e vërtetë, ne jemi në përkrahje të Ukrainës, duam një zgjidhje të shpejtw përmes diplomacisë, do dënonim çdo agresion dhe dëshirojmë që Rusia të vetëpërmbahet dhe përmes diplomacisë të tejkalohet kjo situatë”- shprehej Meta.
Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, ekspert për çështjet e sigurisë tregon për Faktoje se deklaratën e Ministrit të Jashtëm Sergrey Lavrov e konsideron të gënjeshtër dhe të pabazë.
“Është gënjeshtër, është e pabazë. Nuk e ndalon dot që mos ta bëjw deklaratën. Ai bën deklarata në favor të interesit të tij, janë gënjeshtra. Ai e bën për popullin deklaratën jo për qeverinë. Për popullin e tij si fillim. Po t’i shikosh vendet e përmendura, Kosovë, Shqipëri, Bosnje Hercegovinë janë të vetme vende myslimane të Ballkanit. Ata prej nesh që shkuan në Siri, ishin të indoktrinuar, vatjën për para, sepse paguheshin mirë. Por vajtën se ishin myslaman që luftonin me idewn për të mbrojtur islamin atje. Kurse në Ukrainë një vend ortodoks, sado rroga të larta të ofrohen nuk e besoj dot”- tregon për Faktoje ish kreu I SHISH, Fatos Klosi.
Më tej Klosi thekson:
“Ne i kemi dënuar të gjithë ata që shkuan në Siri, kush është kthyer këtu është dënuar sipas ligjit dhe këtë ligj e kanë të gjitha vendet edhe vetë rusët. Pra ne jemi kundra atyre që shkojnë dhe luftojnë në terrene jo shqiptare, që paguhen dhe quhen mercenarë. Kjo gjë është me ligj s’kanë si të na kritikojnë ne si shtet. Kshuqë baza për të thënë që shqipëria po dërgon, nuk është e vërtetë”- u shpreh ekperti i sigurisë.
*Foto kryesore marrë nga agjencitë e huaja ndërkombëtare të lajmeve