BallinaTë pambajturaSi po zvarritet ndërtimi i mbikalimit të premtuar në Unazën Jugore Elbasan

Si po zvarritet ndërtimi i mbikalimit të premtuar në Unazën Jugore Elbasan

Në kryqëzimin e rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd, i konsideruar si vendi i aksidenteve të shpeshta, ende s’është ndërtuar mbikalimi që duhej të kishte përfunduar në qershor 2021. Projekti me vlerë mbi 316 milionë lekë, u ndërpre, për shkak të disa ndryshimeve të tij, siç konfirmoi bashkia Elbasan. Kjo zvarritje po ndikon drejtpërdrejt në jetën e banorëve që rrezikojnë çdo ditë duke kaluar në rrugën e automjeteve, në mungesë të mbikalimit.

Bardha Nergjoni

Në 19 dhjetor 2020 bashkia Elbasan konfirmoi fillimin e ndërtimit të një segmenti tepër të rëndësishëm për qytetin siç ishte mbikalimi i varrezave. Kjo do t’i jepte zgjidhje qarkullimit të ngarkuar në Kryqëzimin e Cërrikut dhe veçanërisht sigurisë së njerëzve. Përgjatë Unazës Jugore janë sakrifikuar shumë jetë njerëzish nga kalimi në anën tjetër të rrugës.

“Rruga e re e varrezave do t’i japë zgjidhje një gangrene 30 vjeçare të lëvizshmërisë së automjeteve në Unazën Jugore të bashkisë Elbasan”-shkruante  kryetari i bashkisë Gledian Llatja në një postim në profilin e tij në Facebook, teksa shfaqet në krah të Kryeministrit Edi Rama duke inspektuar fillimin e punimeve në këtë segment.

Screenshot i postimit të kryebashkakut të Elbasanit, Llatja 19 dhjetor 2020

Një ditë para këtij inspektimi, në 18 dhjetor 2020 kryebashkiaku Llatja postoi në profilin e tij një video ku shfaqej situata problematike e këtij aksi dhe pamjet e projektit me vlerë mbi 316 milionë lekë të reja, si do të ishte kur të përfundonte.

Screenshot i videos me pamjet e projekti, postuar nga kryebashkiaku i Elbasanit në 18 dhjetor 2020

Screenshot i videos me situatën aktuale të rrugës, postuar nga kryebashkiaku i Elbasanit Llatja në 18 dhjetor 2020

Afati i punimeve ishte 6 muaj nga shpallja e fituesve të tenderit, bashkim i dy kompanive “Vëllezërit Hysa” dhe “Ergi sh.p.k” i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas këtij afati, segmenti në rrugën Borodin Mitarja duhej të kishin përfunduar në qershor 2021. Tabela e vendosur në kantier, tregon vetëm afatin 6 mujor të punimeve, por jo datën e nisjes dhe përfundimit siç e përcakton ligji.

Në mbledhjen e 22 tetorit 2020 Këshilli Bashkiak Elbasan miratoi fillimin e procedurës për shpronësimin e një pasurie me qëllim realizimin e projektit “Rruga e Re e Varrezave dhe ndërtimi i nënkalimit hekurudhor në kryqëzimin e rrugës nacionale Elbasan-Librazhd”.

Foto e tabelës në kantierin e punimeve për projektin Rruga Labinot Fushë-Qafë Rrenas, Rruga e re e Varrezave, Elbasan

Kontrata është lidhur më16 tetor të vitit 2020 dhe afati i realizimit të punimeve në kontratë për të dy investimet ishte 8 muaj. Ndërkohë që ka përfunduar rruga Labinot-qafë Rrenas, në pjesën e dytë të projektit ishte parashikuar ndërtimi i Rrugës së Re të Varrezave dhe i mbikalimit hekurudhor që përshkon Unazën Jugore dhe segmetin hekurudhor me një gjatësi rreth 800 metër.

Por nga një verifikim në terren në 23 shkurt 2022, rezulton se aksi i premtuar nuk është ndërtuar ende.

Foto e rrugës ku duhej të kishte përfunduar projekti për Rrugën e re të Varrezve, Elbasan

Gjatë vëzhgimit konstatuam se banorët e zonës vazhdojnë të lëvizin në këtë pjesë të rrezikshme të rrugës, duke rrezikuar jetën. Nxënësit po ashtu kalojnë nga ky segment për të shkuar në shkollë. Banorët e zonës se Krastës shprehen se ky nënkalim paraqet një rrezikshmëri të madhe për ta, por kalimi në këtë rrugë është i nevojshëm pasi është mënyra e vetme për t’i lidhur ata me pjesën tjetër të qytetit.

“Unë këtu kam shtëpinë dhe kjo është rruga e vetme që na lidh me pjesën tjetër të qytetit” – thotë Altini, i cili çdo ditë duhet të përdorë nënkalimin për të arritur në anën tjetër të rrugës.

Ndërkohë Anila e cilëson të vetmen mundësi që ajo të shkojë në punë pavarësisht se e di që rrezikon çdo ditë jetën.

Myervete Miraka thotë se është e domosdoshme që rruga të hapet.

“Ne do na bëhej një nder i madh që kjo rruga të hapet, sepse është rruga kryesore për familjarët, për ne që sëmuremi dhe duhet të shkojmë nëpër spitale”. Një tjetër banore thotë se rreziku më i madh është për fëmijët e shkollave.

“Vështirësia dihet, por fëmijët e shkollës janë kryesorja, plus neve bëjmë 4 kilometra që të ikim në shtëpi, ndërkohë që unë e kam 200 metra më larg. Këtë rrugë e bëj çdo ditë se s’ka rrugë tjetër. Fëmijët janë shumë të rrezikuar. Këtu duhet një mbikalim për kombësorët. Kur do të bëhet mbikalimi? Ne tani e kemi nevojën, nuk e kemi kur të rriten fëmijët”-përfundon ajo.

Mungesa e një mbikalimi ka bërë që një numër i madh aksidentesh, një pjesë e madhe me pasojë vdekjen, të regjistrohen në këtë pjesë të rrugës.

Në shtator të vitit 2021 ARRSH vendosi barriera që banorët e Krastës të mos përdorin më nënkalimin dhe segmentin rrugor të rrezikshëm, pasi nuk plotëson kushtet teknike.

Në 24 shtator banorët e zonës së Krastës u ngritën në protestë duke shkulur barrierat pasi ky aks ishte e vetmja mënyr për të arritur në anën tjetër të rrugës.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja gjatë mbledhjes së Këshillit bashkiak të muajit shtator 2021 deklaroi se projekti i mbikalimit është duke u rishikuar për shkak se në pjesën jugore të qytetit është projektuar të ndërtohet automotoparku i automjeteve. Ai tha se do të shikohet zgjerimi dhe përshtatja në kuadër të këtij investimi.

Në një përgjigje të kërkesës për informim për arsyet e mospërfundimit të projektit, bashkia Elbasan sqaron:

“Për objektin Rruga e re e varrezave dhe ndërtimi i mbikalimit hekurudhor në kryqëzimin e rrugëve Elbasan-Librazhd me rrugën Borodin Mitarja, ju informojmë se punimet për këtë vepër u ndërprenë për arsye teknike dhe tashmë pas zgjidhjes së dhënë, me projektin përfundimtar pritet të fillojnë punimet”.

Nga verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin për ndërtimin e aksit në Unazën Jugore të Elbasanit, ta kategorizojmë të Pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img