Lufta në Ukrainë, po shoqërohet me fushatë dizinformimi dhe mashtrimesh online. Verifikimi i Faktoje, në bashkëpunim me organzatat fact-checking në Ukrainë dhe shtete të tjera, rezulton se edhe në Shqipëri po qarkullon një fushatë për mbledhje fondesh me sloganin “Help save Ukraine”. Faktoje tregon hapat se si të mos biem pre e këtij mashtrimi, i cili është bërë viral dhe po shpërndahet nga qytetarë shqiptarë, pa e kuptuar se janë ‘peshkuar’

Vetëm disa orë pas nisjes së sulmeve ruse mbi territorin e Ukrainës, një numër i madh organizatash nisën fushata për mbledhjen e fondeve në kuadër të ndihmës për qytetarët ukrainas. Një ndër postimet që u panë nëpër faqe e rrjeteve sociale të qytetarëve shqiptarë ishte edhe kjo:

*Screenshot i fushatës online për mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ukrainës

Fushata e nisur nga një organizatë e quajtur “Plant a tree”  informon se për çdo rishpërndarje të fotos në fjalë janë 0.01 $ që do të shkojnë për të ndihmuar Ukrainën. Kjo fushatë është e pavërtetë ashtu sikurse vetë organizata. Faktoje bëri kërkimet e saj dhe rezulton se organizata përdor fushata të ngjashme për të rritur audiencën dhe si rrjedhim për të rritur përfitimet për vete.

1)Organizata pa të dhëna publike

Nëse kërkoni për faqen zyrtare të “Plant a tree eco” do të shikoni se nuk ka asnjë të dhënë për individët që e drejtojnë atë apo se ku i ka zyrat kjo organizatë.

*Faqja e “Plant a tree” sektori I të dhënave

“Ekipi ynë është një grup sipërmarrësish të motivuar që duan të sigurojnë të ardhmen e planetit.”-shkruhet në vendin ku duhet të ishin minimalisht të dhënat e personave që punojnë në emër të kësaj organizate.

2)Histori të mëparshme mashtrimi

PlantATreeCo është një faqe interneti që shet byzylykë plastikë dhe pretendon se mbjell një pemë për çdo blerje të bërë.

*Story aktive në faqen e Instagram të “Plant a tree”

Edhe më herët kjo faqe ka shfrytëzuar kriza humanitare apo çështje me interes publik për të rritur shikueshmërinë në të njëjtën moto “Çdo share është 0.01 $”

*Postime të tjera nga “Plant a tree eco”

Në postime të tjera të kësaj faqeje ka komente nga individë të tjerë të cilët kanë rënë pree mashtrimeve të mëparshme. Ata bëjën thirrje që faqja të bllokohet dhe të ndalohet dhënia e donacioneve të tjera.

*Pjesë nga komente të ndryshme

4) Organizata fact-cheking në Ukraninë vërtetojnë se kjo organizatë po keqpërdor situatën

Voxukraine.org shkruan se në rrjetet sociale njerëzit po përhapin informacione se shoqata bamirëse si “Razom për Ukrainën” dhe Plant a tree eco” kanë organizuar një mbledhje fondesh për ripostime nën sloganin “Ndihmoni të shpëtojmë Ukrainën”.

Razom për Ukrainën” raportoi në faqen e saj në Facebook se ata nuk kanë organizuar këtë mbledhje fondesh dhe se nuk e njohin  organizatën Plantatreeco. Sugjerojmë të mos shpërndahen informacione për mbledhje fondesh, dhe nëse e keni bërë tashmë fshijeni postimin.” – Shkruajnë Voxukraine.org

3) Mediat ndërkombëtare kanë dhënë alarmin edhe më herët

Në nëntor të vitit 2021 “Huff post” i dedikon një artikull kësaj organizate ku zbulon sesi vetë ajo e pranon se pas fushatave të tilla nuk ka asnjë donacion apo mbjellje pemësh.

“Miliona njerëz duket se janë mashtruar nga një trend viral në Instagram që premtonte të mbillte një pemë për çdo foto kafshe të postuar në këtë platformë. “Plant A Tree Co” një llogari  me një milion ndjekës, pranuan se ishin ata pas trendit viral dhe se e fshinë postimin origjinal pas “10 minutash” sepse mund ta shihnin shkallën e tij duke u bërë virale dhe e dinin që mund të mos ishin në gjendje të kishin burimet për të mbjellë pemët.