BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë profili i Behgjet Pacollit që premton 10 mijë euro për ndjekësit e tij

I rremë profili i Behgjet Pacollit që premton 10 mijë euro për ndjekësit e tij

Skemës së mashtrimit në Facebook, ku pretendohet se figura të njohura publike japin mijëra euro për ndjekësit e tyre, nuk i ka shpëtuar as biznesmeni dhe politikani i Kosovës, Behgjet Pacolli. Faktoje verifikoi si të rremë këtë profil që premton shpërblim për ndjekësit e tij me qëllim rritjen e ndjekësve dhe klikimeve.   

Postime të shpërndara në Facebook më 20 nëntor pretendojnë se biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli jep një shpërblim për 250 personat e parë që thonë ’Përshëndetje’ në një postim që pretendohet se është bërë nga ai.

Përshëndetje 10,000 €, ju bekoj te gjitheve!! 250 personat e parë që thonë (Përshëndetje), do t’u jap 10,000 € dhe jam i vërtetë, Që tani e tutje”-shkruan profili që mban emrin e Behgjet Pacollit.

Postimi shoqërohet edhe me një video, ku duket zoti Pacolli, realizuar gjatë një komunikimi të tij ‘live’ me ndjekësit në rrjetet sociale.

Në këtë video, Pacolli u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve në rrjetet sociale mbi tema të ndryshme, që nga jeta politike e deri te çështja e liberalizimit të vizave.

Për sa i përket AKR ju mund të jeni të informuar se unë jam duke punuar në mënyrë intensive. Ne jemi në procesin e zgjedhjeve kudo në Kosovë … Ne jemi duke punuar për Kosovën dhe është e rëndësishme mbështetja juaj”, thotë ndër të tjera Pacolli në videon e publikuar.

Në asnjë moment në këtë video, ai nuk njofton se do të japë një shpërblim për ndjekësit. I gjithë teksti është i sajuar dhe kanë zgjedhur t’i bashkëngjisin një video për ta bërë më të besueshme.

Faktoje bëri një verifikim edhe të këtij profili, i cili ka vetëm 8 ndjekës. Ndërsa profili i vërtetë i zotit Pacolli është i verifikuar me shenjë blu nga Facebook dhe ka mbi 990 mijë ndjekës.

Kjo nuk është hera e parë që emri i tij përdoret për skema të tilla mashtrimi. Pak ditë më parë, saktësisht më 16 nëntor, zoti Pacolli denoncoi këto publikime të shpërndara në rrjetet sociale.

“Ka një kohë që nëpër rrjetet sociale qarkullojnë video të rreme dhe montazhe, të cilat synojnë mashtrimin e qytetarëve. Dua të theksoj se nuk ka asgjë të vërtetë, dhe bëj thirrje që të shmangen këto manipulime nga individë me qëllime të këqija që synojnë mashtrimin.

Në të njëjtën kohë, bëj thirrje që njesia e krimeve kibernetike të ndjekë individët që po mashtrojnë dhe manipulojnë qytetarët. Janë dhjetëra faqe në rrjetet sociale që përdorin profile të rreme në emrin tim për qëllime mashtrimi ndaj qytetarëve. Ju lus dhe këshilloj që t’i shmangeni atyre dhe t’i raportoni.

Përsëris, kjo është një përpjekje manipulimi dhe asgjë nga ajo që po shpërndahet nuk është e vërtetë”, sqaronte biznesmeni dhe politikani i njohur.

Në artikuj të publikuar më herët, Faktoje ka verifikuar skema identike mashtrimi, ku është përdorur imazhi i këngëtareve Leonora JakupiRita Ora, Enca Haxhiaj, me qëllim rritjen e numrit të ndjekësve të profileve në Facebook dhe më pas shitjen e tyre tek bizneset apo individë të ndryshëm.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img